E diel, 22 Qershor, 2025

BE-ja MIRATON MANDATIN PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është një nëntori i vitit 2023, por në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më një janar të vitit 2024, transmeton kdpolitik.com njoftimin e Radios Evropa e Lirë.

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë rënë dakord sot për mandatin negociator të Këshillit të BE-së për rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga BE-ja, në bazë të këtij mandati, Presidenca çeke do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian.

Jan Lipavski, ministër i Punëve të Jashtme i Çekisë, vendi i të cilit kryeson Bashkimin Evropian, vlerësoi se vendimi i sotëm paraqet një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt udhëtimit pa viza.

“Sot ne kemi marrë një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt lëvizjes së lirë pa viza dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim një realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollin kufitar, për të menaxhuar migrimin dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm sa do të forcohet në të ardhmen”, – ka thënë ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky.

Vendi i tij udhëheq presidencën e bllokut evropian dhe ka përpiluar tekstin e vendimit që është miratuar nga ambasadorët e BE-së.

Sipas vendimit, liberalizimi i vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike, në përputhje me standardet ndërkombëtare të udhëtimit.

“Pa paragjykuar qëndrimet e vendeve anëtare ndaj statusit të Kosovës – në periudhën deri te nisja efektive e liberalizimit të vizave, dhe ku do të jetë i zbatueshëm vendimi – Kosova duhet të synojë të arrijë marrëveshje apo aranzhime për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka”.

Diçka e tillë kërkohet për t’iu mundësuar vendeve anëtare të BE-së që të mund të dëbojnë nga territori i tyre qytetarët e Kosovës, në rast se ata keqpërdorin liberalizimin e vizave duke qëndruar ilegalisht, apo nëse kërkojnë azil pa pasur bazë.

Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.

Sipas qëndrimit të Këshillit të BE-së, përjashtimi nga kërkesa për viza do të zbatohej nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacioneve për udhëtim dhe Autorizimit (ETIAS), dhe në çdo rast më së voni deri më një janar të vitit 2024.

ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Reagime

Dhe, përderisa media në Prishtinë transmeton me korrektësi  lajmin nga Brukseli, në Beograd lajmi për liberalizimin e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës, ka shkaktuar një valë reagimesh dëshpëruese. Media e afërt me regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, nuk e fesh pakënaqësinë: ”Nuk ka fund HIPOKRIZIA në administratën e Brukselit. Krerët e BE-së vendosën që praktikisht të shpërblejnë Albin Kurtin për shkak se sistematikisht po shkelë çdo germe të Marrëveshjes së Brukselit, duke refuzuar me kokëfortësi të formojë Bashkimin e Komunave Serbe, që është obligim i tij”- shkruan portali novosti.rs.

Të fundit