E shtunë, 13 Korrik, 2024

BORRELL: NUK KA MARRËVESHJE MES KOSOVËS DHE SERBISË

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala kosovare.

Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, tha Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie”.

“Po, ne kemi mision, EULEX-in, edhe KFOR-in po ashtu. Por, ata nuk mund të marrin sipër rolin e Policisë së Kosovës”, tha ai.

“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell për gazetarët.

Edhe pse nuk ka marrëveshje, ai tha se kërkon nga Kosova që menjëherë “t’i pezullojë fazat e mëtejshme” të planit për riregjistrimin e makinave në veri të Kosovës, ndërsa nga Serbia “të pezullojë lëshimin e targave” të reja, të tilla si KM, që në Kosovë konsiderohen të paligjshme.

“Unë u kërkoj të dyja palëve t’i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave”, tha Borrell.

Ai, po ashtu, tha se “do t’i informojë shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar”.

“Kjo vlen veçanërisht për Kosovën”, tha kryediplomati evropian.

Ku qëndron problemi i targave?

Me ndërmjetësimin e Borrellit, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan të hënën për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë – çështje kjo që ka rritur tensionet mes dy vendeve.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Serbia – e cila lëshon targa për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999 – e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

Sipas planit të Qeverisë së Kosovës, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, parashihet të nisë më 22 nëntor.

Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit është në fuqi faza e qortimit të shoferëve.

Pas fazës së gjobave, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Kurti: Propozimi i BE-së i papranueshëm

Kryeministri Kurti tha se propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave dhe Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

“Në propozimin që na e kanë sjellë [më herët] zotërinjtë Borrell dhe [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra, që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re, për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023”, tha Kurti.

Sipas tij, Borrell “hoqi dorë nga ky afat” dhe nga “propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Unë jam i gatshëm të zhvilloj takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë: marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale të natyrave të ndryshme, si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën”, tha Kurti.

Ai tha se shpreson se BE-ja “do të gjejë forcën që t’i rrijë prapa zotimit të vet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Në fjalën e tij të hënën, Borrell nuk përmendi ndonjë datë, por tha se “ekziston një përgjegjësi e madhe për dështimin e bisedimeve sot dhe për çfarëdo
përshkallëzimi dhe dhune që mund të ndodhë në terren në ditët në vazhdim”.

“Sa më përket mua, unë do ta mbaj dialogun shumë lart në agjendën time, me mbështetjen e BE-së dhe të Lajçakut”, tha Borrell.

Vuçiq: Ne do t’i respektojmë kërkesat e Borrellit

Pas bisedimeve të së hënës, Vuçiq tha se “nuk është arritur absolutisht asnjë marrëveshje”.

Megjithatë, shtoi ai, pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

“Ai kërkoi që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, e që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha Vuçiq.

“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha ai dhe shtoi se Serbia “do t’i qëndrojë pranë popullit serb” në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkuan disa herë Kosovës që të shtyjë zbatimin e planit për targa, me qëllim shmangien e tensioneve.

“Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet”, tha të dielën një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

“Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës, vënë në rrezik të panevojshëm jetën e personave të pafajshëm dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, tha ai.

Çështja e targave shkaktoi tensione edhe në fund të korrikut, kur disa serbë lokalë në veri të Kosovës u rebeluan dhe ngritën barrikada.

Me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës, atëbotë, shtyu zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave.

Përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve

Kurti dhe Vuçiq u takuan të hënën në Bruksel për herë të parë në më shumë se tre muaj.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.

Së voni, komuniteti ndërkombëtar i ka intensifikuar thirrjet për Kosovën që të themelojë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë.

Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, kërkon që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

Të fundit