E shtunë, 13 Korrik, 2024

PARATË NË PERËNDIM, PREMTIMET NË LINDJE

Libri përfundon me krahasimin e dy perandorive: perandoria amerikane prodhoi dhe vazhdon të prodhojë fitim neto për Shtetet e Bashkuara, pasi vendet brenda perandorisë financojnë deficitin e Shteteve të Bashkuara dhe rritjen e buxhetit të saj ushtarak. Nga ana tjetër, Bashkimi Sovjetik nga humbja e perandorisë së vet pati vetëm humbje neto: duhej ta subvenciononte dhe të mbante ushtrinë gjithmonë të gatshme për të ndërhyrë, duke minuar kështu prosperitetin e brendshëm ekonomik…Njërën perandori e përbënin dhe e përbëjnë vende që u bashkuan vullnetarisht, tjetrën – vendet e pushtuara, por dallimi më i rëndësishëm është në faktin se vetëm njëra prej tyre ishte ekonomikisht e suksesshme.

Shkruan: BRANKO MILANOVIQ*

Pikëkthesa në historinë ekonomike të botës së parë dhe të dytë ndodhi në periudhën 1973-1975 kur çmimi i naftës u rrit gjashtë herë, rritja ekonomike u ngadalësua dhe kontrata sociale midis shtetit dhe qytetarëve, që përfshinte rritje të pakufizuar ekonomike dhe mbrojtje sociale nga djepi deri në varr, u prish. Ky nuk është një vëzhgim origjinal: për këtë janë shkruar dhjetëra, ndoshta qindra, libra. Ajo që e veçon librin e Fritz Barthelit, “Triumfi i Premtimeve të Shkelura”, është analiza krahasuese e mënyrës sesi u menaxhua kriza në Perëndimin demokratik dhe në Lindjen autoritare dhe se si kjo çoi në fundin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e komunizmit. Ky kuadër dhe analizë e unifikuar e implikimeve të disa ngjarjeve të rëndësishme politike, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe federatave të tjera komuniste, bashkimi i Gjermanisë, e kështu me radhë, janë kontributet më të mëdha të Barthelit.

Libri mund të përmblidhet si më poshtë. Të ballafaquar me shokun ekonomik që s’mbahet mend e të paprecedentë  që bëri të pamundur vazhdimin e politikave të miratuara pas Luftës së Dytë Botërore, të dy sistemet u detyruan të “shkelnin premtimet” e bëra ndaj qytetarëve dhe t’i rreken disiplinimit të fuqisë punëtore. Shtetet perëndimore e mbijetuan stuhinë falë mbështetjes së parave kapitaliste dhe legjitimitetit të siguruar nga zgjedhjet.

Shtetet lindore hynë në borxhe që të mos i shkelnin zotimet. Kur në vitet ’80 u provua se nuk mund t’i kthenin borxhet, u bë e dukshme varësia e tyre nga mëshira e kapitalizmit botëror dhe si rrjedhojë e shteteve kapitaliste që kontrollonin sistemin financiar ndërkombëtar.

Pse ishte kaq e rëndësishme për vendet komuniste të mos shkelin zotimet e tyre, ndërsa Thatcheri dhe Reagani e bënë këtë pa shumë hezitime? Dhe, mbijetuan. Përgjigja është në politikë. Udhëheqësit e vendeve komuniste e dinin se legjitimitetin mund ta ruanin vetëm nëse do të vazhdonin të siguronin shërbime të shumta sociale dhe të mos këmbëngulnin së tepërmi për produktivitetin. Por ekuacioni “ne shtiremi se punojmë ndërsa ata hiqen se na paguajnë” nuk mund të funksiononte përgjithmonë. Ekonomitë po ngadalësoheshin, shkalla e rritjes po ulej, cilësia e shërbimeve sociale po përkeqësohej. E vetmja rrugëdalje ishte disiplinimi i fuqisë punëtore. Në Perëndim atë e bëri Margaret Thatcher me represionin ndaj punëtorëve të organizuar dhe veçanërisht sindikatave të minatorëve (a e kujton dikush ende Arthur Scargillin?), kurse në Lindje Edward Gierek dhe pasardhësit e tij të shumtë në Poloni. Margaret Thatcher korri fitore për shkak të mbështetjes së segmenteve të tjera të shoqërisë dhe izolimit relativ të punëtorëve. Shtetet komuniste nuk mund të bënin lëshime të ngjashme, sepse pjesa më e madhe e shoqërisë e përceptonte administratën shtetërore si jolegjitime.

Polonia dhe Britania e Madhe janë shembuj të përkryer të dy sistemeve dhe Bartheli i përshkruan ato në detaje. Në këto vende u zhvilluan dy eksperimente natyrore në të cilat shumë ndryshime ishin identike, por ai kryesori (legjitimiteti politik) dallonte. Mieczyslaw Rakowski, kryeministri i fundit (ultra-reformator) i Polonisë komuniste, vërejti se gjatë mandatit të Tadeusz Mazowieckit, kryeministrit të parë jokomunist, punëtorët pranuan pa shumë ankesa rënien e pagave dhe të standardit të jetesës që në disa shtete të tjera komuniste do të ishte e paimagjinueshme. Në fakt, reformat të cilat më 1987 i zbatoi në Poloni zëvendëskryeministri Sadowski ishin pothuajse identike në aspektin makroekonomik me reformat e Leszek Balcerowiczit në vitet 1989-90: reduktimi drastik i subvencioneve, eliminimi i të ashtuquajturave “teprica monetare”, rritja e papunësisë, liberalizimi i kursit të këmbimit. Por reformat e Sadowskit dështuan që në hapin e parë; reformat e zbatuara nga Balcerowiczi i mbijetuan një periudhe të vështirë dhe hodhën themelet për rritjen e ardhshme në Poloni. Në thënien e njohur që i atribuohet Balcerowiczit, kjo u bë e mundur nga periudha jetëshkurtër e masave të “politikës emergjente”.

Në tërheqjen ndonjëherë të tepruar të paraleleve midis Lindjes dhe Perëndimit, Bartheli anashkalon një moment të rëndësishëm. Qeveritë komuniste ishin teorikisht qeveri punëtore. Ky ishte çelësi, shpesh edhe i vetmi themel i legjitimitetit të tyre. Qeveritë perëndimore, nga ana tjetër, ishin dhe mbetën në shërbim të mbrojtjes së pronës private, dhe për rrjedhojë janë de fakto qeveri kapitaliste. Për qeveritë komuniste, hyrja në konflikt me punëtorët përbënte një pengesë të pakapërcyeshme ideologjike. Fakti që qeveria polake u detyrua të kthehej kundër punëtorëve të saj flet për falimentimin e saj ideologjik. Për qeveritë perëndimore, kjo ishte ideologjikisht krejtësisht e pranueshme, pavarësisht nga vështirësitë politike në vendet që kishin sindikata të forta dhe parti komuniste (Franca dhe Italia).

Në anën tjetër të botës, masat “disiplinore” të vendosura nga Paul Volcker prodhuan recesionin e thellë në Shtetet e Bashkuara. Por besimi në rritje i pronarëve të kapitalit se Shtetet e Bashkuara si vend ishin të gatshme dhe të afta për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj punëtorëve dhe për të mbrojtur kapitalin, rivendosi besimin në tregjet financiare dhe stimuloi derdhje të mëdha të kapitalit të huaj (“gatishmëria e Volckerit për të disiplinuar popullin amerikan u tregoi pronarëve të kapitalit global se kreatorët e politikave në Amerikë i vendosin interesat e kapitalit mbi interesat e punëtorëve”, f. 340). Fluksi i kapitalit të huaj i mundësoi Shteteve të Bashkuara që gjatë 40 viteve të ardhshme të financonin deficitin e jashtëm tregtar të jashtëm – një arritje kjo që asnjë vend tjetër as që mund ta ëndërrojë.

Vështirësitë strukturore të përshkruara në shembullin e Polonisë ishin edhe më të theksuara në rastin e Bashkimit Sovjetik. Përveç se ishin të shtrënguar të zgjidhin probleme të brendshme ekonomike të ngjashme me ato të vendeve të tjera të Evropës Lindore, udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik mbanin edhe barrën e perandorisë joefikase. Në disa kapituj të ngjeshur, Bartheli përshkruan dilemën para së cilës u gjetën Gorbaçovi dhe udhëheqja sovjetike. Ata e kuptuan se ekonomia e vendit ishte viktimë e buxhetit ushtarak dhe financimit të perandorisë (“Ne kemi arritur kufijtë ekstrem të mundësive tona”, i tha Gorbaçovi Byrosë Politike më 1986, f. 178). Ata më në fund u pajtuan me humbjen e perandorisë, me kusht që të mund ta “shesin” atë për monedhë të fortë për të ringjallur ekonominë. Por Gorbaçovi, vëren Bartheli, nuk zbatoi reforma ekonomike. Ai premtoi se do t’i përdorte paratë e marra për të thelluar dhe përshpejtuar perestrojkën. Kur erdhën paratë (15 miliardë marka nga Gjermania Perëndimore), reformat nuk u zbatuan, ndërsa fati i parave mbetet i panjohur.

(Është magjepsës fundi i kapitullit 10 ku përshkruhet se si u bë kjo tregti e pabesueshme. Pazaret u zhvilluan si në treg. Gorbaçovi kërkoi 20 miliardë marka për tërheqjen e njësive sovjetike nga Gjermania Lindore. Kohl i ofroi atij pesë miliardë. Ai u kërkoi amerikanëve për ta ndihmuar, por ata refuzuan. Kohl më pas arriti të mblidhte 8 miliardë, por Gorbaçovi e refuzoi ofertën si “qorrsokak”. Kohl e ngriti ofertën në 12 miliardë. Edhe kjo u refuzua. Kohl, i dëshpëruar, ofroi edhe tre miliardë kredi pa kamata. Kjo është oferta që u pranua në fund.)

Kapitulli i fundit e lë lexuesin para pyetjeve të vështira që edhe sot janë aktuale. Si është e mundur që Gorbaçovi ishte aq jo kompetent si në negociata ashtu edhe në zhvillimin e politikave? Pse gjithë ai dallim midis asaj që Gorbaçovi e dinte se duhej të bënte dhe asaj që bëri? Nëse perandoria duhej të shitej tashmë, pse negociatat u bënë kaq keq? A është fjala për mungesë njohurish dhe sofistikim të lidershipit, mungesë kohe, paaftësi për të kuptuar të gjitha pasojat? Asgjë nga këto nuk është sqaruar, por libri i Barthelit, veçanërisht Kapitulli 11, i kthen lexuesit në këto çështje.

Kur rrëfenjat dhe premtimet e pafundme të Gorbaçovit, pas të cilave u kërkuan  paratë, krahasohen me veprimet e Kohlit racional, gjakftohtë dhe të matur (ose George Bushit të Vjetër), habit ndryshimi në cilësinë e aftësive shtetërore. Megjithatë, dallimet individuale nuk mund të shpjegojnë gjithçka që ndodhi. Gorbaçovi ishte në një situatë ku hapësira e tij për manovrim (ndoshta për shkak të politikave që ai adoptoi) po zvogëlohej dita-ditës. Kohl, nga ana tjetër, falë fluksit të gjermanolindorëve, kuazi-bankrotimit të Gjermanisë Lindore dhe “xhepave të thellë” (të citojmë James Bakerin) të Gjermanisë Perëndimore, kishte gjithnjë e më shumë hapësirë ​​për negociata.

Libri përfundon me krahasimin e dy perandorive: perandoria amerikane prodhoi dhe vazhdon të prodhojë fitim neto për Shtetet e Bashkuara, pasi vendet brenda perandorisë financojnë deficitin e Shteteve të Bashkuara dhe rritjen e buxhetit të saj ushtarak. Nga ana tjetër, Bashkimi Sovjetik nga humbja e perandorisë së vet pati vetëm humbje neto: duhej ta subvenciononte dhe të mbante ushtrinë gjithmonë të gatshme për të ndërhyrë, duke minuar kështu prosperitetin e brendshëm ekonomik. (“Pas vitit 1980, perandoria amerikane u bë resurs i rëndësishëm material i Uashingtonit, ndërsa perandoria sovjetike ishte barrë në rritje për Moskën”, f. 341). Njërën perandori e përbënin dhe e përbëjnë vende që u bashkuan vullnetarisht, tjetrën – vendet e pushtuara, por dallimi më i rëndësishëm është në faktin se vetëm njëra prej tyre ishte ekonomikisht e suksesshme.

*Shkrimi është marrë nga: pescanik.net

Të fundit