E diel, 20 Prill, 2025

ZAJAZ: AHMETI SHTRON DARKË PËR KOVAÇEVSKIN

Të premten një mori portalesh, krahësh të ndryshme, duke iu referuar burimeve „të tyre“, njoftuan se si në Zajaz janë takuar Kryeministri dhe kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët(ASH), Arben Taravari, me të parin e BDI-së, Ali Ahmeti. Natyrisht se për shkak të paralajmërimeve për përfshirjen e ASH-së në koalicionin qeverisës, spekulimet reduktoheshin se kush – çka do t’i japë partisë së Taravarit në ndarjen e kulaçit qeveritar. Pasuan përgënjeshtrimet e të trija kampeve sipas të cilave ka pasur vetëm takim  ndërmjet Ahmetit dhe Kovaçevskit, domethënë pa pjesëmarrjen e Taravarit.

Përtej kësaj, bashkëpunëtorja e kdpolitik.com në Kërçovë raporton se kryetari i BDI-së mbrëmë në restorantin Kalaja ka shtruar darkë për kryeministrin Kovaçevski ku kanë marrë pjesë edhe bashkëpunëtorë të tij të tjerë socialdemokatë.

Gjithashtu, kur është fjala për mundësinë e hyrjes së ASH-së në Qeveri, burime të KDP-së thonë se partia e Taravarit kërkon tri ministri, që i bie se LSDM-ja, BDI-ja dhe Alternativa do të duhej të japin nga një. Hëpërhë partia e Afrim Gashit ka shumë gjasë që të heqë dorë nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që ende nuk dihet se cili ka për të qenë „kurbani“ i dytë nga cila ministri dhe cila parti. Sidoqoftë, duhet pritur raundin e ri të bisedimeve të Taravarit me kryeministrin Kovaçevski që mund të rezultojnë me marrëveshje konkrete.

Të fundit