E martë, 13 Maj, 2025

HUMBJA E FIQIRIT DHE IKJA E TRURIT

Këto ditë, falë një mikut tim që ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore, pata një bashkëbisedim tepër të këndshëm me një grup studentësh. Po diskutonim për largimin e të rinjve nga vendi dhe për pse-të e marrjes së një vendimi të këtillë. Nuk është se nuk e duan vendlindjen, nuk është se s’janë të vetëdijshëm se çfarë i pret përtej kufirit, ama pa iu dridh qerpiku të thonë se meritokracia gjatë punësimit lë shumë për të dëshiruar!

SHKRUAN: SELADIN XHEZAIRI

Tranzicioni në Evropën Juglindore vazhdon të marrë haraçin edhe kur është fjala për lëvizjet e popullsisë. Dyndja nga fshati në qytet (Kryeqytet), hiq rastin e Sllovenisë apo edhe të Kroacisë deri-diku si dukuri të thuash nuk të vret syrin. Në të njëjtën kohë migrimi jashtë vendit po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese, pa çka se politikë bërësit nuk reshtin së trumbetuari se po punojnë për t’ia ndalur turrin. Në këtë rrafsh, duket se Ballkani Perendimor po e paguan çmimin e mosharmonizimit të sistemit arsimor me nevojat e tregut. Dhe, njerëzit e veçmas të rinjtë, në kërkim të perspektivës, dinë të dallojnë sheqerin nga shapi. Kur sistemi humb fiqirin, doemos se do ta kemi atë që ka hyrë në gjuhën tonë, në fjalorin politik si ikje e trurit. Sipas të dhënave të OSBE-së për periudhën 2012-2016, ta zëmë, nga Maqedonia janë larguar në vit rreth dhjetë mijë njerëz, kryesisht të rinj, nga Serbia 15.700 kurse nga Bosnjë e Hercergovina diçka më shumë se 18.000. Kambanë alarmi, prandaj është edhe dukuria e sigurimit të pasaportave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ( në rastin tonë kryesisht të Bullgarisë) që aktualisht po ndërmerr edhe ngjyrime politike.

Por, të mos i ikim temës: Largimi i të rinjve, ikja e trurit, nuk është tipik vetëm për Maqedoninë e Veriut apo për gjashtëshen ballkanike. Me një dukuri të këtillë janë përballur edhe Kroacia, Bullgaria, Hungaria, Rumania, Polonia, Çekia e Sllovakia, kush më shumë e kush më pak. Mbaj mend se para një dekade polakët u dyndën masovikisht në Mbretërinë e Bashkuar  duke gjetur punë kryesisht në ndërtimtari, por ndërkohë si  shkuan, ashtu edhe u larguan, u kthyen në shtetin e tyre. Ka të atillë që marrin botën në sy sa për të hequr merakun dhe, shpejt kthehen në vendlindje. Po përtej kësaj, është në dorën e pushtetit, përkatësisht të pushteteve në rajon, pra dhe tek ne, që të ndërtojnë politika të atilla të shkollimit dhe kjo kërkon domosdoshmërisht një bashkëpunim të përhershëm me grupet e interesit, saktësisht me nevojat e tregut, në mënyrë që investimet në arsim të mos shkojnë badihava. Kohë më parë Fondacioni i Westminsterit për Demokraci (WFD) publikoi një analizë, pas punës dyvjeçare, sipas së cilës  Maqedonia e Veriut  në vit humb 333 milion euro, Mali i Zi, 70, Kosova 519, Shqipëria 559, Bosnjë e Hercegovina 710, ndërsa Serbia regjistron humbjen më të lartë prej 897 milion eurove në vit.  Shto kësaj edhe të dhënat se shkollimi i një të riu ( të dhënat janë për vitin 2019), fjala vjen në Serbi kushton diçka më shumë se 34 mijë euro, në Mal të Zi mbi 31 mijë, në Maqedoninë e Veriut rreth 29 mijë euro, kurse në Shqipëri më se 18.200, euro, arrijmë në përfundim se ndër sukseset më të mëdha të çdo qeverie e të çdo vendi do të ishte ndërtimi i politikave me të cilat do të parandalohej tendenca në rritje e braktisjes së vendit. Kështu si qëndrojnë punët, tek ne në Maqedoni, po edhe në rajon në përgjithësi, pushtet sikur mjaftohen nga treguesit se kurbetqarët tanë nuk e harrojnë vendlindjen, duke dërguar e investuar në vendlindje paratë e fituara jashtë. Në të njëjtën kohë, nëse në këtë plan prinë diaspora e Kosovës apo ajo e Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë, të dhënat thonë se Maqedonia e Veriut nuk qëndron bash mirë. Shi për këtë, imponohet domosdoja e zgjidhjes strukturore të problemeve. Ekspertët thonë se më e efektshme do të ishte, ta zëmë, që t’ju ndihmohet bizneseve, punëdhësve dhe firmave  për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zbutjen e barrës tatimore të punësimit sesa të përqëndrohen në ato që emërtohen si masa aktive të punësimit. Dhe, të mbajnë llogari  për ngushtimin e dallimeve mes zonave urbane e rurale. Këto të fundit, për mungesë investimesh janë edhe më të varfërat dhe, së këndejmi, edhe boshatisja e tyre është realitet.

Këto ditë, falë një mikut tim që ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore, pata një bashkëbisedim tepër të këndshëm me një grup studentësh. Po diskutonim për largimin e të rinjve nga vendi dhe për pse-të e marrjes së një vendimi të këtillë. Nuk është se nuk e duan vendlindjen, nuk është se s’janë të vetëdijshëm se çfarë i pret përtej kufirit, ama pa iu dridh qerpiku të thonë se meritokracia gjatë punësimit lë shumë për të dëshiruar!

Të fundit