E hënë, 21 Prill, 2025

VETON SURROI: BALLKANI PERENDIMOR TË BËHET PJESË E INTEGRIMIT EVROPIAN

Shkrimtari dhe publicist i njohur, Veton Surroi,  ka deklaruar në Beograd se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen në procesin e integrimit evropian, edhe për faktin se disa jetojnë në hapësira “ku konflikti nuk ka mbaruar”, – transmeton kdpolitik.com artikullin e Kohës Ditore.

Surroi ka thënë të enjten në tryezën e organizuar në Beograd me temë “Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit – Labirinti i Bashkëpunimit Rajonal”, se Kosova ka nevojë për një ombrellë të politikës dhe sigurisë dhe se këtë e ofron më së miri Procesi i Berlinit.

“Ballkani i Hapur është një projekt i hapur. Kushdo që do t’i bashkohet, mundet. Procesi i Berlinit është integrim i institucionalizuar. Në këtë sens, Kosova mendoj se ka nevojë për një ombrellë të sigurisë dhe politikës dhe Procesi i Berlinit është opsioni për këtë”, – ka thënë Surroi.

Duke folur për çështjet e sigurisë, ai ka thënë se kur arrihen marrëveshje të sigurisë, ecet përpara në krijimin e kushteve për mbrojtjen e identitetit. Po ashtu, Surroi ka nënvizuar rëndësinë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në një proces të integrimit evropian, edhe për faktin se disa jetojnë në hapësira “ku konflikti nuk ka mbaruar”. Sipas tij, aktualisht shtrohet pyetja si do të transferohet procesi i integrimit të këtyre shteteve.

“Ne jetojmë në një hapësirë ku konflikti nuk ka mbaruar. Në hapësirën e konfliktit të pambaruar. A mund të përfshihesh në proces të integrimit. Përgjigja në këtë është po. Duhet të përfshihemi. Të gjitha proceset e tjera integruese që patën sukses, u bënë me sigurinë e NATO-s. Çështja është si do ta transferojmë këtë proces?”, – deklaroi Surroi.

Ai u shpreh se duhet diskutuar se si të shfrytëzohet energjia e investuar në “Ballkanin e Hapur” dhe në Procesin e Berlinit”.

“Çështja është si ta përdorim energjinë e investuar në të dyja proceset dhe t’i përdorim së bashku. Mund të diskutojmë pse është e mirë t’i kemi gjashtë e jo tre. Kjo është arsyeja pse Ballkani i Hapur nuk mund të përmbush këtë ose atë. Kështu që – përdor të mirën që vjen nga kjo”, – ka thënë Surroi në Beograd.

Të fundit