E premte, 13 Dhjetor, 2024

AFËR BETEJËS SË FUNDIT?

Gara për sa më shumë koka bërthamore ka bërë që shtetet e fuqishme të posedojnë armë atomike për të shkatërruar disa herë planetin tokë. Por çka i mban larg shtypjes së sustës?

 

Shkruan: Xhelal Neziri

 

Kur në vitin 1944 Adolf Hitler e kishte parë se do ta humbiste luftën, që e kishte hapur në të gjitha frontet, ai shkurt e pyeti gjeneralin nazist Dietrich von Choltitz: A po digjet Parisi?

Hitleri kishte urdhëruar të nënshtruarin e tij që të mbronte me të gjitha forcat kryeqytetin e Francës, i cili qe pushtuar nga Gjermania. Paralelisht, kishte urdhëruar që Parisi të minohej në të gjitha anët me qëllim të shkatërrohet në rast se do të humbej kontrolli mbi këtë qytet.

“Parisi nuk duhet të bjerë në duart e armikut (Anglia dhe SHBA), veçse si një fushë rrënojash”, kishte urdhëruar Hitleri.

Por Von Choltitz, që kishte drejtuar kryeqytetin francez si guvernator i nazistëve, refuzoi ta bënte këtë. Nuk e shtypi sustën që do të çonte në ajër tërë qytetin. Edhe pse më vonë u mor në përgjegjësi për shumë krime, ai shpesh njihet edhe si “Shpëtimtari i Parisit”.

Mosbindja ndaj urdhrave të çmendura të Hitlerit ka shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe qytetin e bukur të Parisit.

Sot bota duket se po ballafaqohet me një shkatërrues tjetër, të ngjashëm me Hitlerin. Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, ka paralajmëruar se në luftën e filluar në Ukrainë mund të përdorë edhe armët bërthamore. Propagandistët e tij shpesh përsërisin pyetjen retorike: Çka duhet një botë pa Rusinë?

Rusia është vendi me numër më të madh të kokave bërthamore në botë. Një humbje nga Ukraina mbase do ta shtynte Putinin të mendojë t’i përdorë këto armë. Ka ekspertë që kanë vënë në pikëpyetje edhe gjendjen e tij mentale. Edhe Hitleri kishte shumë probleme psiqike. Madje, ka të dhëna se konsumonte edhe drogë. Andaj ishte i paparashikueshëm dhe shkatërrimtar. Ai ka vëzhguar nga afër qytetet që pushtoheshin e digjeshin nga ushtria e tij. Kjo i ka krijuar një kënaqësi dhe ka ushqyer super-egon e tij.

Armët bërthamore pothuajse kanë qëndruar të qeta që nga viti 1945, kur së fundmi u përdorën në Hiroshima dhe Negasaki të Japonisë. Super-egoja e Putinit, tendenca për të rikthyer krenarinë ruse, udhëheqja si lider autokrat dhe frika nga një fund si ai i Hitlerit, krijon pak shpresë se te ai mund të funksionojë ndërgjegjja. Kjo e bën të mundshëm skenarin më të errët – atë që e përsërisin propaganduesit e Putinit.

Po a ka shpresë se, megjithatë, do të shpëtojmë nga më e keqja?

MOSBINDJA

Mosbindja e ndaj urdhrave të çmendura të Putinit, si ajo e Von Choltitz ndaj Hitlerit, mund të jetë një burim optimizmi. Për mosbindjen ka shkruar njëri nga psikanalistët më të njohur të shekullit të njëzetë, Erich From.

Ai rikujton se për shekuj autoritetet dhe prindërit kanë këmbëngulur se bindja është një virtyt dhe se mosbindja është një ves. Por, From e kundërshton këtë edukatë me konstatimin se “historia njerëzore filloi me një akt mosbindjeje dhe nuk ka gjasa që ajo të përfundojë me një akt bindjeje”.  Ai përmend fillimin e historisë së njerëzimit me mosbindjen e Adamit dhe Evës, apo të Promotheut në mitologjinë greke i cili e vodhi zjarrin nga perënditë dhe ua dha njerëzve. Por thekson se jo çdo mosbindje është e mirë. Ai i kualifikon si të dëmshme mosbindjet ndaj parimeve, moralit dhe ligjeve ndërkombëtare.

Më tej From dallon dy lloje të mosbindjeve: njëri në lidhje me konceptin e ndërgjegjes dhe tjetri në lidhje me konceptin e autoritetit.

Ndërgjegjja autoritare, sipas tij, është zëri i brendësuar i një autoriteti brenda nesh, të cilin ne dëshirojmë ta kënaqim. Kjo ndërgjegje është gjithashtu ndërgjegjja për të cilën flet Frojdi duke e qujatur “Super-Ego”. From thotë se, ndryshe nga ndërgjegjja autoritare, është ndërgjegjja humaniste. Kjo, sipas tij, është zëri i pranishëm në çdo qenie njerëzore dhe i pavarur nga sanksionet dhe shpërblimet e jashtme. “Ndërgjegjja humaniste bazohet në faktin se si qenie njerëzore ne kemi një njohuri intuitive të asaj që është njerëzore dhe çnjerëzore, çfarë është e favorshme për jetën dhe çfarë është shkatërruese për jetën. Kjo ndërgjegje i shërben funksionimit tonë si qenie njerëzore. Është zëri që na thërret te vetvetja, te njerëzimi ynë”. Bindja ndaj ndërgjegjes autoritare brenda nesh, thotë From, priret të dobësojë ndërgjegjen humaniste.

Bindja ndaj një personi tjetër, ndërkaq, sipas From është nënshtrim ndaj një autoriteti “irracional” apo “racional”. Autoritet racional mund të gjendet në marrëdhëniet ndërmjet nxënësit dhe mësuesit, kurse autoriteti irracional – në marrëdhëniet midis skllavit dhe zotërisë.

From thotë se bindja ndaj autoriteteve i bën njerëzit të ndihen të mbrojtur e të sigurtë. “Ka edhe një arsye tjetër pse është kaq e vështirë të guxosh të mos bindesh, t’i thuash “jo” pushtetit. Gjatë pjesës më të madhe të historisë njerëzore, bindja është identifikuar me virtytin dhe mosbindja me vesin (mëkatin). Arsyeja është e thjeshtë: deri më tani gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij një pakicë ka sunduar mbi shumicën. Ky rregull u bë i domosdoshëm nga fakti se të mirat e jetës ishin të garantuara për pakicën, kurse vetëm thërrimet mbetën për shumicën. Nëse pakica donte të shijonte gjërat, ishte i nevojshëm një kusht: ta mësojnë shumicën të binden. Për të qenë të sigurt, pakica mund ta imponojë bidnjen edhe me forcë.”

KRIJUESIT DHE SHKATËRRUESIT

Frika nga përdorimi i armëve nukleare është i përhershëm që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe fillimi i Luftës së Ftohtë ndërmjet Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik. Në deklaratën e fundit të presidentit amerikan, Joe Biden, ai paralajmëron rrezikun e armageddonit, apo betejës së fundit njerëzore. Edhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Putin nuk bën blof kur thotë se do të përdorë armët bërthamore.

Në esenë e titulluar “Krijuesit dhe shkatërruesit” From që në vitin 1963 e trajton këtë çështje.

Ai thotë se njerëzit kanë qenë indiferentë për rrezikun që mund të sjellin armët bërthamore dhe këtë e shpjegon në këtë mënyrë: ”Njerëzit janë të vetëdijshëm për mundësinë e një lufte bërthamore. Ata janë të vetëdijshëm për shkatërrimin që një luftë e tillë mund të sjellë me vete. Megjithatë, me sa duket nuk bëjnë asnjë përpjekje për ta shmangur atë luftë. Shumica prej nesh jemi në mëdyshje nga buron kjo sjellje sepse nisemi nga premisa se të gjithë njerëzit e duan jetën dhe e kanë frike vdekjen…Ndoshta ka shumë njerëz që janë indiferentë që në fakt nuk e duan jetën (biofili), por vdekjen (nekrofili)”.

Gara për sa më shumë koka bërthamore ka bërë që shtetet e fuqishme të posedojnë armë atomike për të shkatërruar disa herë planetin tokë. Por çka i mban larg shtypjes së sustës? Mosbindja dhe ndërgjegjja humaniste. Sado i çmendur të kishte qenë Hitleri, gjenerali Von Choltitz nuk e shtypi butonin që do të shkatërronte Parisin.

Të fundit