E diel, 22 Qershor, 2025

BRUKSELI PARALAJMËRON VUÇIQIN: SANKSIONE RUSISË OSE KTHEHEN VIZAT

Nga Brukseli kanë mbërritur paralajmërime se Serbia urgjentisht duhet të harmonizojë politikën e vizave me Brukselin, sepse shumë miigrantë të cilët vijnë në Union e bëjnë këtë nëpërmjet Serbisë për të cilën viza nuk është e nevojshme… Edhe veten Rusia do të vazhdojë ta shikoj lidhur me çështjen e Kosovës për aq kohë sa kjo i konvenon. Putini nuk do të hezitonte për asnjë moment dhe nesër do ta njihte Kosovën nëse bashkësia ndërkombëtare do t’ia njihte Rusisë Krimenë dhe pjesët e shkëputura të Ukrainës.

Shkruan: NENAD KULAÇIN*

Pavarësisht ankesave të përditshme të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ithtarëve  të tij për situatën e vështirë në të cilën ndodhet Serbia, përshtypja është se bashkësia ndërkombëtare për herë të parë të njëjtin president e ka mbështetur për muri. Vuçiqi e ka vet fajin që u gjet në një situatë të tillë, përkatësisht është meritor që Serbia tani është aty ku është. Për vite me radhë, ai në një mënyrë apo tjetër, ka marrë pjesë në zvarritjen e gjetjes së zgjidhjes për Kosovën. Ai me këmbëngulje nguroi që më fuqimisht dhe më me guxim ta çojë Serbinë drejt Bashkimit Evropian. Rrinte në dy karrige, siç thuhet këto vitet e fundit. Ai forcoi me vetëdije nacionalistët dhe të djathtën, me simpati të qarta ndaj Lindjes. Tani gjithçka duhet të paguhet.

Bashkimi Evropian  kaherë ka në dorë instrumente me të cilat mund t’ua bënte të ditur të gjithëve, madje edhe Vuçiqit, se paksa e ka tepruar dhe ka luajtur në kurriz të tyre. Pse lëshoi pe dhe mbylli sytë për para gjithë asaj që pushteti bëri në Serbi nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2012 ndoshta në të ardhmen do të na e shpjegojë këtë dikush. Tani për shumëçka po puqen shpatat dhe nuk ka as nevojë  që përgjigjet dhe arsyetimet të kërkohen në të kaluarën.

Kokëdhembje e re – viza për vëllezërit nga Rusia

Nga Bashkimi Evropian mbërriti si rrufe  informacioni se Serbia mund të mbetet pa liberalizim vizash për shkak të politikës së saj. Kjo është një masë që askush në Serbi nuk e shpreson dhe askush nuk do të donte  që të ndodhë. Shumëkush  e interpretoi këtë si një masë paralajmëruese për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të Vuçiqit që Serbia të vendosë sanksione kundër Rusisë për  shkak të agresionit të saj në Ukrainë, por më pas erdhi shpjegimi se fjala është për krizën e migrantëve.

Nga Brukseli mbërritën paralajmërime se Serbia duhet urgjentisht të harmonizojë politikën e vizave me Unionin, sepse shumë migrantë që vijnë në BE e bëjnë këtë përmes Serbisë, për të cilën nuk duhet vizë. Fjala është për shtete si India dhe Irani ku nuk ka konflikte luftarake, por shtimi i migrantëve në Evropë shënohet çdo ditë. Dhe këtu tani lind problemi…

Nëse tashmë Serbia nuk do të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Brukselin, duke u arsyetuar se nuk është ende e detyruar, sepse është larg pranimit në BE, duke shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, atëherë është krejtësisht e logjikshme që ajo të sinkronizojë politikën e vizave me Unionin, pasi edhe vetë gëzon liberalizimin e vizave. Megjithatë, në listë nuk janë vetëm India dhe Irani, por edhe Rusia. Shtetasve të Rusisë  u duhet vizë për të hyrë në shtetet anëtare të Unionit dhe kështu arrijmë në atë pikë që Vuçiqit do t’i duhej që, duke harmonizuar politikën e vizave me Brukselin, t’u vendoste viza vëllezërve dhe motrave nga Rusia. Ja një kokëdhimbje e re për Vuçiqin…

Moska  kaherë “nuk u beson lotëve”

Refuzimi i tij i vazhdueshëm për të vendosur sanksione ndaj Rusisë e arsyeton duke thënë se Serbia i përmbahet rreptë të drejtës ndërkombëtare, për të cilën po ky Vuçiq thotë se nuk ekziston më, duke zhvilluar politikë të pavarur dhe luftë për interesat kombëtare serbe. Natyrisht se këtu i referohet  shkeljes flagrante të së drejtës ndërkombëtare kur ishte fjala për Serbinë, për shkak të Kosovës, por edhe përvojës së Serbisë me sanksionet, të cilat goditën më shumë njerëzit e zakonshëm sesa bartësit e politikës.

Brukseli u mundua dhe ia doli të gjejë një mënyrë për ta futur Beogradin në hollin për vendosjen e sanksioneve dhe kjo nuk do t’i pëlqejë aspak Vladimir Putinit dhe Moskës. Nëse do t’i besohet Vuçiqit, Serbia së shpejti do të harmonizojë politikën e saj të vizave me Unionin  dhe Vuçiqi do të duhet të vendosë nëse do të rrezikojë që shtetasit e vet t’i privojë nga regjimi pa viza me Unionin për hir të dashurisë për Moskën, apo thjesht rusët do të detyrohen të shkojnë në ambasadën dhe konsullatat serbe që të marrin vizë për hyrje në Serbi.

Moska ka treguar prej kohësh se “nuk u beson lotëve”. Fakti që Serbia votoi në disa raste në Kombet e Bashkuara për dënimin e agresionit rus kundër Ukrainës nuk kaloi pa komente dhe reagime në Rusi, natyrisht negative. Nuk është kjo vetëm për dijeni. Mediat ruse kaherë flasin se Serbia po përgatitet të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Edhe Vuçiqi tha se Serbia do të përpiqet t’ju rezistojë të gjitha presioneve deri në momentin kur të rrezikohen interesat e saj jetike, e atëherë do të detyrohet të…

Gazi rus si kapital shantazhi

Në këtë drejtim, vetëm mund të supozojmë se si do të reagonte Moska zyrtare ndaj vendosjes së vizave nga Serbia për qytetarët e saj. Vështirë se do të kishte mirëkuptim për një gjë të tillë. Disa në Serbi mendojnë ashtu që pyesin se nëse rusët dhe serbët janë miq kaq të mirë, pse Moska nuk do të kishte mirëkuptim që edhe Serbia të vendosë sanksione. Ato sigurisht nuk do ta dëmtonin Rusinë, por Rusia e shikon veten. Ajo për herë të parë u dënua qartë nga një pjesë e madhe e njerëzimit dhe shfrytëzon çdo mundësi ku dëgjohet ndonjë ton disonant, ndërsa nga Beogradi po dëgjohet  pikërisht kjo më shumë se qartë.

Edhe veten Rusia do të vazhdojë ta shikoj lidhur me çështjen e Kosovës për aq kohë sa kjo i konvenon. Putini nuk do të hezitonte për asnjë moment dhe nesër do ta njihte Kosovën nëse bashkësia ndërkombëtare do t’ia njihte  Rusisë Krimenë dhe pjesët e shkëputura të Ukrainës. E tillë është politika. Dhe nuk duhet dënuar Putinin, por të gjithë ata në Serbi të cilët e duan më shumë Rusinë sesa Serbinë. Rusia ka shumë kapital shantazhi kur është fjala për Serbinë. Bëhet fjalë për gazin që Serbia e merr vetëm nga Rusia dhe me çmim të volitshëm. Putini sigurisht se duhet të ketë pasur një pamje shumë më të gjerë kur Vuçiqit i caktoi çmimin e atij gazi  duke e vendosur kështu në situatë pa rrugëdalje. Nuk jemi të sigurt nëse harmonizimi i politikës së vizave të Serbisë dhe Unionit do të ndikojë që Serbia të mbetet pa atë gaz, por jemi të sigurt se Moska nuk do të qëndrojë duarkryq.

*Shkrimi është marrë nga:balkans.aljazeera.net

Të fundit