E premte, 17 Maj, 2024

INTEGRISTËT DHE KËRKIMI I KOHEZIONIT TË BRENDSHËM

Në historikun e shumëpartizmit, ndër shqiptarët në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, tash e njëzetë vjet, po tregohet si një subjekt që ia ka dalur të sheshojë mosmarrëveshjet apo edhe konfliktet e brendshme. Ato janë paraqitur në periudha të caktuara dhe, shikuar nga jashtë, fitohet përshtypja se më shumë kanë qenë tregues aspirimesh për interesa të ngushta a grupore sesa rezultat i mospajtimeve të natyrës programore-statutare apo edhe ideologjike. Nga të gjitha këto zhvillime apo konfrontime është veçuar kreu i partisë, Ali Ahmeti. “Veçuar” në sensin se u ka dhënë udhë përplasjeve që edhe së fundmi, me paraqitjen e të ashtuquajturit “Grup i zjarrit”, provojnë atë që quhet ekzistim “fraksionesh”, përkatësisht demokraci e brendshme.

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Për këtë të shtunë është paralajmëruar mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim. Sikur të mos kishin qenë fërkimet e fundit të bëra publike nga i ashtuquajturi “Grup i zjarrit”, mbase ky nuk do të ishte as edhe lajm! Po, përtej kësaj, për kë kjo ditë do të mbajë epitetin e ditës D?

Rendi i paralajmëruar i ditës thotë se do të bëhet konstituimi i organeve të partisë dhe duket se shpatat do të puqen pikërisht rreth çështjes kush do të ngjitet në hierarkinë integriste që në ballë ka liderin e vet historik, Ali Ahmeti? Thënë më saktë: A do t’ia dalë ky i fundit të “shuajë” zjarrin e grupthit që më shumë shpërfaqi tym sesa flakë? Duke katapultuar “katërshen” në pozita drejtuese nga nënkryetarë e deri në sekretarë të BDI-së, apo do të ketë zgjidhje që do të cilësohej si kompromise?

Kjo – e para!

E dyta: Si po, në të vërtetë, si do të reflektohet në këtë parti karshi synimeve të proklamuara në Kongresin e saj të fundit për reforma të brendshme dhe axhendën e gjelbërt?

Logjika e thotë se valët e zhurmës së 24 muajve të fundit janë përplasur më shumë për murin e zgjidhjeve kadrovike në ekzektiv sesa për atë të kursit partiak. Dorën në zemër, edhe kjo pakënaqësi do të ngjiste sikur të kishte pasur ndonjë shmangie nga përzgjedhjet e ekzekutivit në të kaluarën. Edhe atëherë, edhe tani fjala e liderit të partisë ka qenë vendimtare! Dorën në zemër, edhe atëbotë, edhe tani, nuk është se s‘ka pasur hatërmbetje që rezultuan (nëse ju kujtohet!) me krijime të subjekteve të reja që pas zgjedhjeve mbetën si kalliri pa kokrra!

Së këndejmi, është për t’u pritur që konsituimi i organeve partiake të BDI-së të jetë shprehje e disponimit në këtë parti për t’u përgatitur për kohën që vjen. Kjo për shkak se skena politike partiake në bllokun shqiptar nuk është se nuk po dinamizohet. Humbja e integristëve në Tetovë (një herë) e Gostivar (dy herë radhazi), nuk mund të amortizohet vetëm me “skuadrën e suksesshme në ekzekutiv”, përtej përçmimit të saj nga i ashtuquajturi “Grup i zjarrit”. Përkundrazi: Të shtunën integristët do të na dëshmojnë nëse do të ndjekin logjikën “zbrit Ti- të ngjitem Unë” që do të na rikujtonte përvojën së fundmi të PD-së në Tiranë, atë të “Kuvendit të karrigeve” të LDK-së, – dikur, apo reformat e brendshme të partisë me prurje të reja – do të bëhen më të prekshme! Mes këtyre dy shinave, natyrisht se ka vend edhe për llogaridhënie, edhe për përgjegjësi, edhe për meritokraci, për funksionarë e misionarë! Dhe, në këtë shtrirje, përtej guaskave partiake, doemos se duhet patur parasysh edhe faktorin kohë dhe hapësirë. Tek ne dhe më larg!

 

Të fundit