E hënë, 28 Prill, 2025

TË RINJTË, PARTITË POLITIKE DHE PROCESI ZGJEDHOR

Nëse partitë duan t’i mbajnë rinj të angazhuar në proceset demokratike, ato duhet të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj politikës. Shembujt evropianë tregojnë se përfshirja e të rinjve në jetën politike dhe në proceset zgjedhore, përmes programeve të shumta edukative qytetare, frymëzon dhe angazhon të rinjtë dhe mundëson që ata t’i qasen me ndërgjegje këtij lloj angazhimi. Këto programe janë gjithnjë e më të suksesshme dhe të dëshiruara në vendet evropiane, por nuk janë dhe nuk  praktikohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky angazhim do t’i pajisë të rinjtë me aftësi më të mira për zgjidhjen e problemeve dhe përfundimisht do t’i aftësojë ata të bëhen liderë efektivë në politikë

Shkruan: Katerina Topallova

Të rinjtë janë shtylla e kombit, pjesë përbërëse e çdo shoqërie. Për kujtesë, çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbi 18 vjet ka “të drejtën e votës”, dhe aktualisht nuk ka plane për uljen e moshës së votimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas nenit 22 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut: “Të drejtën e votës e fiton çdo shtetas i cili ka mbushur moshën 18 vjeç. Ndërsa në të kaluarën angazhimi politik i qytetarëve/rinisë kanalizohej kryesisht përmes aktivizmit në partitë politike (anëtarësimi, puna vullnetare, fushata derë më derë, pjesëmarrja në mbledhje etj.), dekada e fundit ka treguar se partitë politike përballen me vështirësi në tërheqjen e anëtarëve të rinj të partisë, dhe veçanërisht në mesin e të rinjve. Raporti Global i Rinisë i OKB-së 2016 tregon se anëtarësimi në parti politike është më i ulët tek ata nën moshën 30 vjeçare, në karahasim me ata që janë më të moshuar. Vetëm 4.1 përqind e 18-29-vjeçarëve janë anëtarë aktivë të partisë, krahasuar me 5 përqind të të gjithë të rriturve. Ky trend vazhdon deri në hulumtimin e fundit deri në vitin 2022.

Nëse partitë duan t’i mbajnë të rinjtë të angazhuar në proceset demokratike, ato duhet të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj politikës. Forcimi i kompetencave dhe aftësive të tyre ndihmon në formimin e perceptimeve të tyre si dhe ndikon në qëndrimet dhe të menduarit e tyre ndaj hapjes dhe efektivitetit të sistemit politik të vendit. Shembujt evropianë tregojnë se përfshirja e të rinjve në jetën politike dhe në proceset zgjedhore, përmes programeve të shumta edukative qytetare, frymëzon dhe angazhon në mënyrë adekuate të rinjtë, në mënyrë që ata t’i qasen me ndërgjegje këtij lloj angazhimi. Këto programe janë gjithnjë e më të suksesshme dhe të dëshiruara në vendet evropiane, por nuk janë dhe nuk  praktikohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky angazhim do t’i pajisë të rinjtë me aftësi më të mira për zgjidhjen e problemeve dhe përfundimisht do t’i aftësojë ata të bëhen liderë efektivë në politikë. Por ku duhet të vendoset problemi kryesor?

Sipas anketave të opinionit publik të IRI-it, partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë besueshmëri të ulët dhe janë ndër institucionet me më pak besim nga qytetarët. Këto sfida reflektohen në mosangazhimin në rritje të të rinjve në proceset politike dhe dialogun politik. Vetëm 30 për qind e atyre të moshës 18 deri në 35 vjeç thonë se kanë shumë gjasa të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme.

PJESËMARRJA E TË RINJVE NË JETËN POLITIKE

Është interesante të theksohet se në shtator 2017, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut themeloi Klubin për Çështje dhe Politika Rinore, bazuar në trendin e Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të vendeve europiane. Klubi për çështje dhe politika rinore është organ joformal në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga deputetë të të gjitha partive parlamentare që synojnë të realizojnë interesat e të rinjve në vend, në bashkëpunim me organizatat rinore, grupet joformale rinore dhe të rinjve, krahëve politikë. Koordinatori i parë i Klubit të Rinisë dhe Politikës ishte deputeti më i ri në Kuvend. Në kuadër të strukturës aktuale parlamentare, të zgjedhur në korrik 2020, klubi është planifikuar të mbledhë deputetë nën moshën 35 vjeç, por edhe të gjithë deputetët e tjerë që mund të kontribuojnë në përpjekjet për përmirësimin e kushteve në të cilat jetojnë të rinjtë dhe rritjen e interesit të tyre për përfshirje në jetën publike dhe politike.

Megjithatë, analizë më gjithëpërfshirëse të pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike dhe në proceset zgjedhore e ofron Projekti i Iniciativës Demokratike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me vështrim të veçantë për situatën në Republikën e Maqedonisë së Veriut, botuar nga Westminster Foundation for Democracy, një hulumtim i titulluar “Pjesëmarrja socio-politike e të rinjve në Maqedoninë e Veriut: optimizëm, apati apo zhgënjim?”. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se një numër i konsiderueshëm i të rinjve në Maqedoni e kanë zakon të dalin për të votuar, ku 64% e të anketuarve kanë deklaruar se votojnë gjithmonë në zgjedhje, ndërsa 20% të tjerë thonë se ndonjëherë votojnë. Vetëm një pjesë e vogël (6%) e të gjithë të anketuarve kanë deklaruar se nuk dalin kurrë për të votuar, ndërsa pjesa tjetër ose nuk kanë të drejtë vote (5%) ose kanë refuzuar t’i përgjigjen kësaj pyetjeje (5%).

Këto gjetje adresojnë perceptimin e përbashkët në vend (dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor) se të rinjtë po tërhiqen nga format konvencionale të politikës, veçanërisht nga votimi. Në fund të fundit, rezultatet tregojnë se të rinjtë nuk janë aspak të interesuar për të votuar. Kjo mund të shihet si një shenjë pozitive sepse votimi në punën kërkimore-shkencore është konsideruar vazhdimisht si një tregues i rëndësishëm i përgjegjësisë qytetare dhe një nga detyrat më të rëndësishme qytetare. Sidoqoftë, shprehia votimit tek të rinjtë në Maqedoninë e Veriut mund të lidhet me përpjekjet intensive të mobilizimit dhe presionit të ushtruara nga mjedisi politik, përfshirë partitë politike. Kur bëhet fjalë për ndikimin e variablave demografikë si mosha, gjinia dhe vendbanimi, nuk janë vërejtur dallime domethënëse.

Përkatësia etnike ishte gjithashtu një variabël mjaft i parëndësishëm kur bëhej fjalë për votim, me ndryshimin që pjesëmarrja në votime në mesin e maqedonasve etnikë ishte pak më e lartë se në grupet e tjera etnike. Të rinjtë e punësuar në sektorin publik dhe personat me buxhet mujor më të lartë votojnë në përqindje më të lartë se ata që janë të punësuar në sektorë të tjerë ose ende në arsim ose ata me buxhet mujor më të ulët. Ata të anketuar që u deklaruan si anëtarë apo simpatizantë të partisë pritej të ishin pak më të angazhuar në votim në krahasim me joanëtarët dhe jo mbështetësit. Megjithatë, siç theksohet më vonë në këtë raport, rezultatet e anketës sugjerojnë se angazhimi politik i të rinjve në zgjedhje nuk nënkupton domosdoshmërisht anëtarësim në parti.

Pothuajse gjysma e të anketuarve (49.5%) besojnë se nuk mund të ndikojnë në situatën duke votuar ose se mund të ndikojnë vetëm pjesërisht në situatë. Kjo shtron pyetjen se përse kaq shumë të rinj vendosin të votojnë pavarësisht se nuk janë të bindur për fuqinë e votës së tyre. Një shembull kategorik i kësaj është se nga 659 të anketuar që janë përgjigjur se votojnë gjithmonë, pothuajse gjysma e tyre (47.4%) janë përgjigjur gjithashtu se nuk besojnë fare se gjendja e vendit mund të ndikohet nga votimi.

Ajo që vlen të përmendet është dallimi i madh në dobinë dhe ndikimin e perceptuar të votimit ndërmjet anëtarëve/mbështetësve të partive politike dhe anëtarëve/përkrahësve jopartiakë. Në përgjithësi, anëtarët/simpatizantët e partisë ishin shumë më të bindur për fuqinë e votës së tyre (75.5%) krahasuar me anëtarët/simpatizantët jopartiakë (29.3%). Në këtë pyetje, ka disa dallime domethënëse në bazë të përkatësisë etnike: ndërsa 80% e shqiptarëve etnikë besojnë se votimi në zgjedhje mund të ndikojë në situatën në vend, vetëm 31% e maqedonasve etnikë dhe 19% e pakicave të tjera etnike ndajnë të njëjtin mendim, thuhet në analizën e Westminster Foundation for Democracy.

PRIRJA E ULËT E TË RINJVE VOTUES

Është e vërtetë që pjesëmarrja e votuesve priret të jetë dukshëm më e ulët në mesin e të rinjve sesa në mesin e popullsisë më të vjetër, por interpretimi i kësaj si dëshmi e apatisë injoron barrierat strukturore dhe organizative për pjesëmarrjen në zgjedhje me të cilat përballen shumë të rinj. Gjithashtu neglizhon të marrë parasysh mosbesimin që shumë të rinj ndjejnë ndaj institucioneve tradicionale të qeverisjes. Megjithatë, ndjenja e shkëputjes nga një proces që nuk shihet si një mjet efektiv për angazhim politik kuptimplotë, nuk mund të konsiderohet si apati tek të rinjtë. Ka argumente që kundërshtojnë dhe mbështesin idenë se të rinjve u mungon pjekuria, përvoja dhe njohuritë e nevojshme për të marrë vendime të informuara. Por a është vërtet kështu?

Dhe si përfundim, mund të thuhet se pjesëmarrja efektive dhe domethënëse politike e të rinjve ka një nga tre atributet. Së pari, mund të jetë konsultative, ku zërat e të rinjve dëgjohen në një proces konsultativ të mandatuar nga të rriturit, ku ata kanë kapacitetin, mandatin dhe informacionin për të përmbushur plotësisht rolet e tyre, ose nëpërmjet një nisme avokuese të udhëhequr nga të rinjtë. Së dyti, mund të përfshijë pjesëmarrjen e udhëhequr nga të rinjtë, ku të rinjtë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje brenda komuniteteve të tyre rinore, si p.sh. nëpërmjet OJQ-ve të udhëhequra nga të rinjtë, këshillave studentorë dhe parlamenteve rinore me mandate dhe buxhete. Së treti, mund të përfshijë pjesëmarrjen e të rinjve, ku të rinjtë marrin pjesë efektivisht në proceset e rregullta vendimmarrëse politike, duke u përfshirë si votues, ose si anëtarë të parlamentit, parti politike ose grupe përfaqësuese.

LITERATURA E SHFRYTËZUAR:

  1. Прирачник за младински политики, учество и застапување. Проект финансиран од ЕУ.
  2. Socio – Political Participation of Youth in North Macedonia: Apathy, Optimism or Disappointment? Study 2019. Westminster Foundation for Democracy, North Macedonia.
  3. Студија за млади во Северна Македонија 2018/19, Фондација Фридрих Еберт.
  4. Национална стратегија за млади 2016 – 2025, Агенција за млади и спорт.

Акционен план за имплементација на националната стратегија за млади на Република Македонија, Агенција за млади и спорт.

*Ky artikull hulumtues është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autores.

Të fundit