E hënë, 19 Maj, 2025

PËRSE NA DUHET NJË KONGRES PËR ARSIMIN KOMBËTAR

Kujdesi për të folur pastër gjuhën shqipe dhe për të shkruar pa gabime, është një domosdoshmëri për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe sidomos për shkollat e institucionet shtetërore, duke filluar nga politikanët, që përdorin fjalë të huaja apo nga Parlamenti e mediat e shkruara dhe televizive.

Shkruan: TEFTA CAMI*

Kongresi i Arsimit i 12 sh tatorit të këtij viti me temë “Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian” do të krijojë kushte e mundësi për zhvillimin mbarëkombëtar të arsimit shqiptar. Mbështetja dhe inkurajimi i Ministrisë së Arsimit dhe i Sporteve, si dhe institucioneve vartëse, është një domosdoshmëri, sepse arsimi i unifikuar kombëtar është bazamenti e themeli i edukimit të vetëdijes kombëtare dhe e bashkimit kombëtar. Shkolla përgatit të ardhmen e kombit. Sipas vlerësimit të Kryeministrit z. Rama “Arsimi është arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit”.

E përshëndes hartimin dhe miratimin nga të dy shtetet shqiptare, me nismën e ministres të Ministrisë të Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, znj. Evis Kushi për përdorimin e Abetares së unifikuar në klasat e para të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe të klasave të para të shkollave shqipe në Maqedoninë e Veriut. Përdorimi i Abetares së unifikuar kombëtare është një hap i rëndësishëm në fushën e sistemit arsimor shqiptar. Me siguri, teksti i Abetares do të jetë hartuar sipas principeve të gjuhës shqipe, si një gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoeuropiane, si dhe tekstet e Abetares dhe të Këndimit që synojnë e realizojnë edukimin e ndjenjave kombëtare të fëmijëve të klasave të para.

Besoj se po shfrytëzohet edhe përvoja e mirë dhe e pasur historike e përdorimit të Abetareve dhe të teksteve të përbashkëta, si:

  1. Periudha e Rilindjes Kombëtare, kur misionarët e arsimit shqiptar merrnin Abetaren e hartuar nga Naim Frashëri me shkronja shqipe nga “Shoqëria e të Shtypurit të Shkronja Shqip në Stamboll në vitin 1879” në kohën e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me dekret perandorak.

Sipas të dhënave historike, “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” u formua me 12 tetor të vitit 1879 në Stamboll. Ishte një organizatë patriotike e intelektualëve shqiptarë, që promovonin botime në gjuhën shqipe, veçanërisht tekste shkollore, të cilat ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për edukimin e brezave të rinj. Kur është krijuar, ka pasur 28 anëtarë themelues, 4 ishin katolikë nga Shkodra (Pashko Vaso, Ndoc Xhuxha, Nikoll e Gjon Bonati), 14 ishin ortodoksë nga Korça e Gjirokastra dhe 10 ishin myslimanë. Ndër myslimanët, përveç dr. Ibrahim Starovës, nëntë të tjerë ishin nga Vilajeti i Janinës, ndër ta përfaqësues të familjeve të bejlerëve të Vilajetit: Ferid pashë Vlora, Mehmet Ali pashë Vrioni, vëllezërit Vejsel dhe Ibrahim bej Dino, Mustafa bej Janina, Sejfulla bej Zavalani, Ahmet Shefki Gjirokastra, si dhe Samiu me Naimin. Kërkesën e parë për përdorimin e shkronja shqipe e bëri Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll në vitin 1879 dhe u lejua me dekret perandorak. Ndërsa Mulla Daut Boriçi në vitin 1882 u propozoi autoriteteve osmane që të botoheshin abetare dhe gramatika shqipe me shkronja arabe. Abetaret e para, “Këndimi i Çunave” i ka nxjerrë në dritë Naim Frashëri.

Pas dhunës e burgosjes të disa nga krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u vështirësuan kushtet e Shoqërisë “Drita” të Stambollit nga censura. Prandaj bashkëpunuan me mërgatën e Bukureshtit dhe formuan “Degën e Shoqërisë së Stambollit për libra shqip” me emrin “Drita”. Në Rumani u shquan disa patriotë shqiptarë si: Naum Veqilharxhi, Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe pasardhës të tyre.

Qëllimi kryesor i shoqërisë “Drita” ishte botimi i shtypshkrimeve në gjuhën shqipe për t’u dhënë ndihmë të gjithanshme shkollave në Shqipëri për të mësuar gjuhën shqipe krahas asaj osmane. Naimi dhe Samiu kishin interes t’i botonin veprat e tyre në Bukuresht, sepse nuk kishin mundësi në Turqi. Turqit nuk lejonin bashkëpunimin midis shqiptarëve. Shtypshkronjën e vendosën në shtëpinë e tregtarit shqiptar, Sotir Terpo.

Kryetar i Komitetit të Shoqërisë “Drita” u zgjodh Anastas Avramidhi Lakçe; nënkryetar Kostandin Eftimiu, sekretar, personalitet me shumë influencë; arkëtar Rafail Anastasi; anëtarë: Spiro Eftimiu, Vahit Abdullahi, Nikolla Naço, Irakli Duro, G.Theodhori, Andrei Joan, Vasil Terpo, V. Kanasi dhe Gjorgj Gjeçi.

Pas një konflikti, Nikoll Naço me përkrahësit e tij krijon një shoqatë përsëri me emrin “Drita”. Nxori organin e parë “Albanezul” dhe pas një viti me emrin “Shqiptari”. Kjo shoqatë hapi në Bukuresht në vitin 1892 një shkollë normale me konvikt shqiptarovllahe për përgatitjen e mësuesve. Mësimet jepeshin në gjuhën shqipe dhe rumune.

Grupi tjetër i atdhetarëve shqiptarë formuan në vitin 1887 shoqërinë “Dituria”. Në vitet 1886-1888 shoqëritë “Drita” dhe “Dituria” botuan 11 vepra të Naim Frashërit në gjuhën shqipe, që u përdorën si tekste mësimore për mësonjëtoret e para shqipe.

Sami Frashëri me shoqërinë “Drita” punuan për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Në fillim u punua për ngritjen e një shoqate kulturore në Korçë. Përpjekjet e patriotëve shqiptarë u realizuan me 7 mars 1887, ku e hap shkolla shqipe në Korçë dhe u njësua programi me shkollat europiane. Më 14 mars u hap edhe në Pogradec një shkollë shqipe me mësues Koço Sotirin, vëllai i Pandeli Sotirit, mësuesi i parë në mësonjëtoren e Korçës. Hapja e këtyre shkollave ishte bërë pas marrjes së Irades në perandorinë osmane.

Gjuha shqipe me shkronja arabe mësohej në mejtepe, ku krahas lëndëve fetare, mësoheshin edhe lëndët shoqërore e shkencore si matematika, gjeografia, algjebra, historia etj. Megjithëse gjuha shqipe nuk ishte e ndaluar me dekret perandorak, nuk lejohej hapja e shkollave shqipe. Ndërsa kisha greke e kishte mallkuar përdorimin e gjuhës shqipe, të gjuhës së parë e më të vjetër, që është folur X shekuj para Krishtit.

Motrat Parashqevi e Sevasti Qirjazi si dhe Kristo Dako kanë dhënë një kontribut të shquar për shkollën shqipe.

Parashqevi Qiriazi ishte mësuese e Popullit, master e edukimit, pedagoge, intelektuale e shquar, veprimtare e arsimimit të femrës shqiptare, pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit, autorja e abetares së parë shqipe me alfabetin që miratoi Kongresi i Manastirit dhe e himnit të ri, e para grua shqiptare, që ka hartuar një projekt arsimor dhe që është në Bibliotekën Kombëtare në gjuhën anglisht.

Sevasti Qirjazi ka qenë atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimimit në gjuhën shqipe për femrat.

Familja e shquar Qirjazi si, Gjerasim e Parashqeve dhe Sevasti, është e njohur për kontributin e madh në zhvillimin e kulturës dhe arsimit shqiptar nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX.

Edhe Kristo Dako, bashkëshort i Sevasti Qirjazit, u shkollua në Bukuresht e SHBA. Ka qenë anëtar i shoqatave “Shpresa” e “Dituria” dhe president e redaktor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Mbarëkombëtare “Vatra”. Ka takuar dy herë Presidentin e SHBA, Wilson, më 1921 e 1922 dhe i ka folur për liritë e të drejtat e shqiptarëve. Ka qenë ministër i Arsimit në Qeverinë e Hasan Prishtinës për pak ditë. Më 2 tetor hap Institutin “Kyri” dhe më 1925 e vendos atë Institut në Kamzë.

Shoqata patriotike shqiptare janë krijuar në shumë vende të tjera në Europë, Egjipt, SHBA etj.

  1. Periudha e viteve të pushtimit nazifashit të Shqipërisë dhe pas e pushtimit të mbretërisë së Jugosllavisë dhe të krijimit të Shqipërisë natyrale 1941-1944, kur të gjitha trevat shqiptare si në Kosovë e Maqedoni, në Sanxhakun e Nishit ministri Ernest Koliqi ka dërguar qindra mësues shqiptarë, edhe pse vetë Shqipëria nuk i kishte të mjaftueshëm dhe mësonin me të gjitha tekstet e unifikuara në të gjithë sistemin arsimor. Kontributi i atyre mësuesve ka qenë i pakrahasueshëm.

Nga viti 1912 deri në vitin 1941, në trojet e pushtuara shqiptare nga Serbia ishte e ndaluar me dekret shtetëror shkolla në gjuhën shqipe. Mbajtja e një abetareje ilegale dënohej si vepër penale me 10 e më shumë vite burg. Nxënësit shqiptarë që mësonin në shkollat serbe e kishin të ndaluar të flisnin shqip midis tyre dhe për raste të tilla përjashtoheshin nga shkollat. Gjatë viteve 1912- 1941, në administratën apo institucionet e mbretërisë së Jugosllavisë, nuk del të jetë shënuar asnjë shkronjë, asnjë fjalë apo fjali në gjuhën shqipe. Gjuha turke nuk ishte e ndaluar dhe kishte shkolla, gazeta e shoqata në këtë gjuhë. Përpjekja e regjimit monarkist ishte që arnautët (shqiptarët) të identifikoheshin si turq. Prandaj edhe shumë shqiptarë në ish-Jugosllavinë janë regjistruar si turq.

  1. Periudha 1945-1948, me kërkesën e Kosovës, janë dërguar 300 mësues dhe tekstet shkollore nga Shqipëria, që ishin në përdorim në Kosovë e në Maqedoni dhe në Mal të Zi deri në kohën e prishjes së marrëdhënieve Shqipëri- Jugosllavi. Pjesa më e madhe e këtyre mësuesve u kthyen pas prishjes së marrëdhënieve ShqipëriJugosllavi. Në vitin 1979, një grup nga këta mësues kanë vizituar Kosovën me ftesë nga sekretari i Arsimit e Kulturës dhe Shkencës të Kosovës, Ymer Jaka.

Tito, pas vitit 1947, i rindau përsëri trojet shqiptare në Jugosllavi, megjithëse popullsia shqiptare zinte vendin e tretë pas serbëve e kroatëve dhe si territor ishte i përbashkët. Por krijoi republikat e Maqedonisë e të Malit të Zi, megjithëse shumica popullsisë në ato dy republika ishin shqiptarë dhe u përdor dhunë e terror dhe gjenocid për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre, sipas projektit të Çubrilloviçit të vitit 1937, për “Dëbimin e Shqiptarëve”. Njihet mitingu i madh në Tiranë dhe fjalimi i Enver Hoxhës, ku shprehej indinjata dhe kërkesa mbarëpopullore, për të ndaluar ricopëtimin e trojeve shqiptare nga shteti jugosllav.

  1. Periudha 1968-1981, kur në të gjithë sistemin arsimor në Kosovë e në viset e tjera shqiptare që nga kopshti i fëmijëve e deri në shkollat e larta zhvillonin mësim me tekstet e shkollave të Shqipërisë. Çdo vit vinte drejtori i Entit të Botimeve “Rilindja” të Kosovës, Rexhep Zogaj, që e kam pritur në ato vite, dhe merrte programe e tekste nga Shtëpia Botuese e Librit Shkollor dhe nga Shtëpia Botuese e Librit Universitar dhe, pasi u hiqnin politizimet, i ribotonin dhe i përdornin në gjithë sistemin arsimor në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare.

Nga viti 1968, kur u çel Universiteti i Prishtinës në Kosovë, u nënshkrua marrëveshja e protokolli i firmosur nga rektori i Universitetit të Tiranës prof. Jorgji Sota dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Dervish Rozhaja, deri në prill të viti 1981, kur shpërthyen demonstratat e studentëve me parullën “Kosova Republikë” dhe “Republikë- Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”, 80% të programit në Universitetin e Prishtinës dhe në Institutet e Larta i zhvillonin pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të Instituteve të tjera të Shqipërisë. Bashkëpunimi në fushën e arsimit e kulturës dhe sporteve me Kosovën është zhvilluar pa marrëveshje shtetërore, por me marrëveshje institucionale.

Me shpërthimin e demonstratave të studentëve e të popullsisë shqiptare në Kosovë Beogradi dislokoi gjithë ushtrinë në Kosovë dhe kontrollohej me avion e ushtri gjithë kufiri me Shqipërinë, mbyllën Universitetin e Institutet e Larta dhe shkollat 8-vjeçare e të mesme, burgosën qindra të rinj e të reja, vranë e plagosën demonstrues, përdorën dhunë e gjenocid, dogjën librat shkollore e universitare deri edhe serialet e akademikëve e të shkrimtarëve të shquar shqiptar.

Për të ndihmuar studentët në Kosovë hapëm një emision televiziv, ku pedagogët nga Tirana, sipas programit, jepnin leksione e zhvillonin diskutime me disa studentë në RTVSH.

Gjatë një informacioni me z. Ahmet Qeriqi, drejtori i gazetës ‘Kosova e Lirë’, me të drejtë më shkruan: “Është një fatkeqësi e madhe që për shumë kohë studiuesit shqiptarë kanë injoruar shkollimin me alfabet arab, duke paraqitur të dhëna se 90 % e popullsisë ishte analfabete dhe duke injoruar faktin se arsimi në cilëndo gjuhë të botës, nuk prodhon analfabetë. Mjerisht është deformuar një e vërtetë historike, pasi e tërë trashëgimia kulturore në gjuhën shqipe në kohën e Perandorisë Osmane është anashkaluar, vetëm se ishte e shkruar me alfabet arab. Ibrahim Nezimi, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Çami e qindra krijues të mirëfilltë, madje edhe shumë realistë, u trajtuan e trajtohen me përçmim si bejtexhinj. Hasan Zyko Kamberi është poeti i parë realist në Shqipëri, një shekull para Çajupit dhe gjysmë shekulli para Migjenit. Shqip ka folur e shqip ka shkruar e ka kritikuar madje edhe vetë Sulltanin, por anashkalohet pse nuk ka shkruar me alfabet shqip afër një shekull e gjysmë para Kongresit të Manastirit.

Studiuesi i letërsisë dhe i kulturës shqipe, Robert Elsi, dëshmon se shqipja në shekullin e 19-të është shkruar me 10-të alfabete të ndryshme, ashtu sikur disa gjuhë të tjera dhe këtë e quan vlerë të një gjuhe aq shumë të folur e të degëzuar dhe jo “mëkat” sikur na kanë mësuar ta quajmë.

Është e njëjtë sikur tani mbeturinat fashiste e naziste në Shqipëri mohojnë tërë të arriturat kulturore, arsimore, edukative të kohës të regjimit komunist, madje duke pretenduar që ndalimin ta bëjnë me ligj”.

Kryeministri i Shqipërisë, z.Rama, duke përshëndetur nismën e Abetares së unifikuar kombëtare, paraqiti, se gjuha shqipe është në rrezik dhe orientoi për mësimin me bazë të gjuhës shqipe në të gjithë sistemin arsimor.

Nëse bëhet një punë e kujdesshme për artikulimin e shqiptimin e saktë të tingujve dhe shkrimin e bukur e pa gabime të shkronjave të gjuhës shqipe që në klasën e parë, si fillimi e bazamenti kryesor, për të vazhduar me kujdes mësimdhënien e gjuhës shqipe gjatë gjithë ciklit të shkollës 9-vjeçare mendoj që gjuha shqipe ka mundësi të përvetësohet mirë nga nxënësit.

Gjuha shqipe duhet të jetë e regjistruar në internet online mirë e pa gabime, sepse do të ndikojë te të rinjtë në shkrimin e saktë e pa gabime. Gjuha shqipe është një gjuhë vitale, që është ruajtur historikisht nga populli gjatë gjithë pushtimeve shekullore të huaja, romake e bizantine, bullgare e serbe, turke e nazifashiste. Si rezultat i rritjes së nivelit të shoqërisë shqiptarë, ka lindur nevoja që të ketë një gjuhë të njësuar, që u realizua me Kongresin Kombëtar të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, si pas motos “Një komb, një gjuhë”, të shprehur nga akademiku Ali Hadri në Simpoziumin e Kosovës në vitin 1968, kur kanë diskutuar Projektin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Beogradi i ka gjykuar profesorët shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë, që ishin delegatë e kanë referuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, sepse synonte të zbatonte një projekt të veçantë për gjuhën letrare në Kosovë e viset e tjera shqiptare, që do të ndikonte në krijimin e një muri ndarës kombëtar. Gjuha e njësuar, nuk mohon përdorimin e dialekteve e nëndialekteve apo të folmeve të tjera. Çdo popull i qytetëruar ka një gjuhë letrare dhe ka një ligj për zbatimin e saj.

Kujdesi për të folur pastër gjuhën shqipe dhe për të shkruar pa gabime, është një domosdoshmëri për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe sidomos për shkollat e institucionet shtetërore, duke filluar nga politikanët, që përdorin fjalë të huaja apo nga Parlamenti e mediat e shkruara dhe televizive.

a-Nuk përdoren dy shkronjat diakritike, ë-ja dhe ç-ja që i ka vetëm gjuha shqipe.

b-Përdoren fjalë të shkurtuara si: FLM, MP, UM, KLSH e tjerë, që e ngurtësojnë gjuhën shqipe dhe që duhen shkruar e shqiptuar të plota.

c-Përdoren edhe emërtime të partive e institucioneve shtetërore, ndërmarrje ekonomike shtetërore e private me iniciale si: PS, PD, PL, LSI, PSD, PPP etj.

d-Në kuadrin e integrimit e të globalizimit të shoqërisë, si dhe të përdorimit të teknologjive të reja, po rrezikohet me të vërtetë gjuha shqipe në këto drejtime:

-Në përdorimin e fjalëve të huaja në vend të fjalëve të bukura shqipe.

-Në përdorimin e ndërtimit të fjalive jo sipas sintaksës e morfologjisë së gjuhës shqipe, por të gjuhëve të huaja neolatine, sllave e anglishtes, sidomos në përkthimet e hartimet e teksteve shkollore, që ndikojnë për keq te nxënësit e studentët.

Nuk ndikojnë për mirë në publik disa diskutantë, që diskutojnë në Parlament me dialektizma, me sharje e ofeza, që prindërit detyrohen të mbyllin televizorin, që të mos shikojnë e dëgjojnë fëmijët, sepse janë pamje të shëmtuara në shoqërinë shqiptare.

Mediat e shkruara dhe televizive, si dhe shtëpitë botuese, spikeret e radiove dhe ato televizive e gjithë institucioneve shtetërore u kërkohet, që të jenë modeli i shkrimit e të folurit pastër e pa gabime të gjuhës amtare e të bukur shqipe.

*Autorja gjatë viteve 1976-1987 ishte ministre e Arsimit dhe e Kulturës në Shqipëri  

 

Të fundit