E hënë, 21 Prill, 2025

MËRGIMI DHE RËNIA E NATALITETIT I “BOSHATIS” SHKOLLAT

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës këtë vit ka rreth 30 mijë nxënës më pak të regjistruar në shkolla. Klasat nga viti në vit po zbrazen, Sipas drejtorëve të disa shkollave zvogëlimi e numrit të nxënësve vjen për shkak të rënies së natalitetit dhe për shkak të migrimit. Në shkollën fillore “Fak Konica”, në fshatin Sllupçan, janë regjistruar rreth 400 nxënës më pak se sa në vitin 2007. Edhe në shkollën e mesme “Ismet Jashari” të Likovës ka rënie të numrit. Në vitin 2007 kanë qenë të regjistruar 480 nxënës, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar rreth 420. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në arsimin fillor numri i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë po zvogëlohet dhe gjatë dhjetëvjeçarit 2007-2017 numri është më i ulët për 13.5 për qind.

 Shkruan: Gentar Ismaili

Bankat shkollore nëpër shkollat e vendit nuk janë më të mbushura si dikur. Nuk është i njëjti as vrulli i nxënësve që rreshtoheshin për të hyrë në klasa, e as zërat e nxënësve që ushtonin para se të niste mësimi. Të gjitha këto po zbehen e  zvogëlohen çdo ditë e më shumë. Klasat e shkollat nga viti në vit janë më pak të mbushura. Arsyet e ndryshme familjare, kanë bërë që këtë vit të regjistrohen rreth 30 000 nxënës më pak. Këtë e thonë të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statisikave.

Nga bashkëbisedimi me disa drejtorë shkollash, ata si arsye kryesore rendisin zvogëlimin e natalitetit të popullatës, migrimin mbrenda shtetit nga qyteti tek tjetri dhe dalja jashtë shteti etj.

Në rajonin e komunës së Likovës, gjegjësisht në shkollën fillore “Fak Konica”, në fshatin Sllupçan, janë regjistruar rreth 400 nxënës më pak se sa në vitin 2007.

Drejtori i kësaj shkolle fillore Rashit Jahiu thotë se në vitin 2007 janë regjistruar rreth 978 nxënës, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar 599 nxënës. Shkak kryesor për këtë thotë se është rënia e natalitetit dhe shkuarja në mërgim.

“Në vitin 2007 janë regjistruar rreth 978 nxënës, ndërsa këtë vit janë regjistruar 599 nxënës. Arsyet janë prej më të ndryshmeve, por ndër ta më kryesoret janë rënia e natalitetit dhe dalja nga vendlindja për në mërgim”, u shpreh drejtori Jahiu.

Të njëjtat arsye për numër më të vogël të regjistrimit të nxënësve, i thotë edhe drejtori i shkollës së mesme të fshatit Likovë.  Drejtori i shkollës mesme komunale “Ismet Jashari” Isni Aliji thotë se në vitin 2007 kanë qenë të regjistruar 480 nxënës, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar rreth 420.

“Në vitin 2007 janë regjistruar rreth 480 nxënës, ndërsa këtë vit janë regjistruar 420 nxënës. Arsyet janë të ndryshme, por më kryesoret janë zvogëlimi i natalitetit dhe shkuarja në mërgim”, u shpreh Aliji.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në arsimin fillor numri i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë po zvogëlohet dhe gjatë dhjetëvjeçarit 2007-2017, numri është më i ulët për 13.5 për qind. Nëse gjatë vitit shkollor 2014-2015 numëroheshin 61.608 nxënës në ciklin e ulët, në vitin shkollor 2018-2019 numëroheshin mbi 59 mijë nxënës. Gjatë vitit të kaluar shkollor dhe vitit aktual siç kanë thënë nga Enti, në shumë shkolla në zonën e Likovës, Gostivarit, Tetovës, mësuesit ballafaqohen me reduktimin e numrit të nxënësve. Madje, ka shkolla në zona më të thella malore ku klasat numërojnë jo më shumë se 4 deri në 10 nxënës.

 

Të fundit