Kur shteti fillon të rregullojë çmimin me shumicë të energjisë, t’u paguajë kompensime ndërmjetësve dhe të kufizojë çmimet që paguajnë konsumatorët – jo vetëm familjet, por edhe pubet, lavanderitë dhe azilet e pleqëve – “forcat e tregut” shkojnë në botën e fiksionit. Problem është se nuk ka zgjidhje tregu për këtë lloj krize, ashtu siç nuk ka zgjidhje tregu për cunamin.
Shkruan: PAUL MASON*
Ditën kur Liz Truss u bë kryeministre, disa gazetarë ofruan njohuri “ekskluzive” nga plani i saj për zgjidhjen e krizës energjetike. Por planet që ata përshkruan dallojnë esencialisht. Në njërin, Truss ka ndër mend të shpenzojë 75 miliardë paundë për të kompensuar shpërndarësit e energjisë për shkak të kufizimit të çmimeve, në tjetrin të zhvendosë barrën tek konsumatorët dhe t’i detyrojë ata të marrin borxhe afatgjata, ndërsa në të tretin që gjithçka të financohet me huamarrje nga shteti.
Së shpejti do ta dimë se çfarë ka vendosur. Tani për tani, është e sigurt se tregu i energjisë – ky përbindësh i krijuar nga shteti për të ndihmuar kompanitë energjetike që nuk duhej të privatizoheshin kurrë – së shpejti do të pushojë së funksionuari.
Kur shteti fillon të rregullojë çmimin me shumicë të energjisë, t’u paguajë kompensime ndërmjetësve dhe të kufizojë çmimet që paguajnë konsumatorët – jo vetëm familjet, por edhe pubet, lavanderitë dhe azilet e pleqëve – “forcat e tregut” shkojnë në botën e fiksionit. Problem është se nuk ka zgjidhje tregu për këtë lloj krize, ashtu siç nuk ka zgjidhje tregu për cunamin. Çmimet po rriten në mënyrë marramendëse, sepse nuk ka energji të mjaftueshme. Nuk ka energji të mjaftueshme sepse Vladimir Putin ka ndërprerë livrimin e gazit. Jemi në mes të një lufte energjetike dhe kemi mbetur pa opsionet që kemi në kohë paqeje.
Toristët këtë mbase nuk do ta thonë me zë të lartë, por lëvizjet e tyre tregojnë se edhe po fillojnë ta kuptojnë se çfarë po ndodh. Nëse duam të kemi mjaftueshëm energji elektrike, të inkurajojmë përdorimin e centraleve bërthamore dhe burimeve të rinovueshme dhe në të njëjtën kohë të mbajmë çmimet nën nivelin e vendosur nga ligjet e ofertës dhe kërkesës, nevojitet një ndërhyrje për të suspenduar veprimin e forcave të tregut. .
Duket se laburistët kanë fituar dy raundet e para në këtë debat politik. Së pari, kur Rishi Sunak si ministër i financave ra dakord për një taksë emergjente, dhe përsëri kur Liz Truss mbështeti ngrirjen e çmimit të energjisë shtëpiake. Këto fitore, edhe pse simbolike, kanë peshë të konsiderueshme politike. Laburistët ofruan të parët një zgjidhje, ndërsa plani i ngrirjes së çmimeve i shpallur nga Keir Starmer dhe Rachel Reeves, ministrja në hije e financave, ishte i qartë, i thjeshtë dhe i bazuar në parime universaliste.
Sipas planit të cili e ofrojnë laburistët, nga kufizimi i çmimit do të përfitonin të gjithë, jo vetëm të varfërit. Ky është më shumë se një akt solidariteti shoqëror. Plani niset nga ideja se kufizimi universal i çmimit do të ndihmonte në luftimin e inflacionit dhe në këtë mënyrë do të reduktonte deri-diku koston e huamarrjes.
Shumica e votuesve nuk i kuptojnë të gjitha detajet, por e kanë të qartë se sipas planit të laburistëve faturat e tyre të energjisë do të ngriheshin dhe diferenca e çmimit do të përballohej nga gjigantët e industrisë së naftës dhe gazit përmes heqjes së lehtësirave tatimore që morën falë Rishi Sunak. Shkurt, fjala është për politikën e mirë dhe ekonominë e mirë. Sfida tani është të luftohet për pranimin e parimeve të tilla në debatet që do të zhvillohen për paketën më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse të energjisë që Truss po përgatit aktualisht.
Kostoja e kufizimit të çmimit për familjet në një mesatare prej 2.500 paundë në vit gjatë dy viteve të ardhshme vlerësohet në 75 miliardë paundë, por ekonomive shtëpiake u takon vetëm 40 për qind e shpenzimit të energjisë në Britaninë e Madhe. Nëse do të përfshiheshin fabrikat, ndërmarrjet e vogla, spitalet, azilet e pleqëve dhe shkollat, fatura do të ishte 188 miliardë paundë.
Çështja është kush do ta paguajë këtë dhe kur? Punëtorët apo kapitalistët? Tani apo në të ardhmen? Për të gjithë vlerën e krijuar që matet me PBB-në vjetor, ka vetëm dy destinacione përfundimtare: mëditjet dhe fitimet. Pritet që fitimet reale së afërmi të fillojnë të bien më shpejt se kurrë që kur matet lëvizja e tyre. Nga ana tjetër, profitet po rriten në mënyrë marramendëse. Nëse i dorëzohemi forcave të tregut, kriza që po vjen do të sjellë në mënyrë të pashmangshme një nga transferimet më të mëdha të pasurisë tek më të pasurit.
Parimi se koston e kufizimit të çmimit të energjisë duhet ta përballojnë korporatat, nëpërmjet taksave më të larta dhe heqjes së dividendës, dhe jo nga punëtorët, nëpërmjet taksave më të larta, shkurtimeve buxhetore për shërbimet publike dhe uljes së pagave reale, është qartësisht socialist. Por atë e pranojnë edhe socialdemokratët e matur si Starmer dhe Reeves.
Ndonëse tani për tani është më pak e dukshme, në një moment të caktuar edhe konservatorët do të duhet ta miratojnë dhe ta zbatojnë atë. Instinkti i tyre i natyrshëm u thotë atyre se kostot e krizës duhet t’ua kalojnë punëtorëve dhe këtë duhet bërë menjëherë, përmes uljes së pagave, rritjes së taksave dhe shkurtimeve të buxhetit për shërbimet publike. Por duket se edhe e djathta që përbetohet më tregun e lirë duket po e kupton se nëse familjet falimentojnë, po ashtu falimentojnë edhe pronarët e hipotekave të tyre, kurse pas tyre edhe fondet mbrojtëse, shefat e të cilëve u mblodhën në ahengjet që Liz organizoi në Mayfair.
Në Britani dhe në mbarë Evropën, kapitalizmi përballet me fantazmën e kontrollit të çmimeve, taksave të jashtëzakonshme dhe madje edhe të nacionalizimit. Prandaj javën e kaluar Allister Heath, redaktor i Sunday Telegraphit, paralajmëroi se “lufta energjetike të cilën po e zhvillon Rusia po e shtyn Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar në kolaps ekonomik dhe socializëm”. Ndërkohë, Izabella Kaminska, gazetarja e cila prej kohësh mbulon financat dhe redakton blogun Blind Spot, shkruan:
“Nuk e kuptoj si është e mundur që tregjet të qëndrojnë kaq të qetë përballë mundësisë që shumica e sistemit kapitalist evropian të nacionalizohet. Në vend të së ‘drejtës për të blerë’, pronarët e rrezikuar të shtëpive dhe sipërmarrësit e vegjël mund të fitojnë ‘të drejtën për t’ia shitur’ pronën shtetit.”
Shkurt, ithtarët më largpamës të kapitalizmit laissez-faire po e kuptojnë se ky nuk është një eksces kalimtar, por një moment historik në të cilin kotësitë e epokës së tregut të lirë do të digjen në turrën e druve të ndërhyrjeve shtetërore.
Përpjekja për të zhvendosur barrën e krizës energjetike mbi punëtorët, ndërmarrjet e vogla dhe konsumatorët do të shembte ekonominë. Së këndejmi, të gjitha propozimet që dalin nga rrethi i Liz Truss përfshijnë dorëzimin e faturave disa taksapaguesve të ardhshëm.
Një ndër mundësitë, porosit e djathta toriste, është që shteti të marrë borxh, si në kohë lufte, dhe këto para, le të themi 75 miliardë paundë – t’ua dorëzojë kompanive të energjisë si kompensim për humbjet për shkak të kufizimit të çmimit. Opsioni tjetër që Truss po shqyrton është futja në borxh e vetë konsumatorëve, me çka çdo familje në Britani të Madhe do të ngarkohej me borxhin prej dekadash , të ngjashëm me borxhet në bazë të kredive studentore.
Përgjigja e laburistëve duhet të përfshijë parimet e mëposhtme themelore: së pari, kufizimi i çmimeve duhet të jetë universal, me ndihmën e mundshme shtesë për familjet më të varfra. Më pas, ndihma shtetërore që iu ofrohet kompanive nga sektorit privat duhet të nënkuptojë fitimin e një pjese përkatëse në pronësi ose në pronësi totale. Së treti, çfarëdo ndërhyrje të zgjidhet, epilogu përfundimtar i saj duhet të jetë rishpërndarja nga më të pasurit tek të gjithë të tjerët.
Gjithashtu, nuk duhet të heqim dorë nga përkushtimi afatgjatë për ndryshime në mënyrën e prodhimit dhe përdorimit të energjisë me çka do t’i japin fund varësisë nga karburantet fosile dhe shtetet totalitare që i eksportojnë ato. Duke pasur parasysh recesionin e ardhshëm të shkaktuar nga kriza energjetike, laburistët mund të mbrojnë relativisht lehtë propozimin vijues: futjen e një takse të jashtëzakonshme prej 95 për qind për kompanitë e naftës dhe gazit e me qëllim të mbulimit të kostos së ngrirjes së çmimeve dhe ndoshta me një huamarrjen shtesë të nga shteti për investime në energjinë bërthamore dhe termoizolim i banesave.
Por, siç e thashë, na nevojiten edhe ndryshime strukturore në pronësi dhe menaxhim, duke filluar nga licencat shtetërore për prodhuesit e naftës dhe gazit. Shteti do të duhet të zotërojë “aksionin e artë” në secilën prej kompanive që punojnë në puset e naftës dhe gazit në Detin e Veriut, në mënyrë që me të drejtat e veta të menaxhimit të mund të imponojë ndarjen e çmimin të brendshëm të shitjes me shumicë nga çmimi në tregun botëror.
Në këtë mënyrë do të subvencionohej drejtpërdrejt i gjithë sistemi, nga kompania Centrica deri te faturat e energjisë elektrike për pubet dhe familjet. Përveç kësaj, do të ishte e drejtë dhe logjike të nacionalizoheshin kompanitë e shitjes me pakicë dhe rrjeti kombëtar i shpërndarjes.
Investitorët do të pohojnë se janë viktima të “ekspropriimit” dhe do të kërkojnë dëmshpërblim sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Por në atë rast, ata do të duhet të qëndrojnë në fund të rradhës shumë të gjatë, sepse e njëjta gjë do të ndodhë enembanë Evropës dhe botës për sa kohë që Putini të jetë në pozicion të na shantazhojë me livrimin e gazit
*Shkrimi është marrë nga:pescanik.net