E hënë, 19 Gusht, 2024

TREDHJA DHE REGJISTRI SI “ILAÇ” PËR PEDOFILËT

Shkruan: Xhelal Neziri

Përdhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë ka ngjallur reagime të fuqishme në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarë etnikë. Një akt çnjerëzor, i kryer nga 5 persona që s’mund t’i quash as kafshë. Ata kanë mbajtur të miturën peng për plot njëmbëdhjetë orë, duke i lënë trauma dhe ankthe të përjetshme. Ky akt barbar ka nxitur protesta që sot paralelisht po zhvillohen në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.

Protestat janë mjet i mirë për presion ndaj institucioneve, por jo të mjaftueshme. Kërkohet zgjidhje të problemit nga rrënja. Ky problem buron nga neglizhenca e kompetentëve për të vepruar dhe në mentalitetin seksist që po krijohet nga produksionet masive kulturore. Pra, problemi qëndron te pandëshkueshmëria e pedofilëve dhe klipet muzikore të këngëtarëve ku lartësohet droga, kurse femra paraqitet vetëm si objekt seksual. Nëse shihen profilet e të akuzuarve për pedofili të gjithë janë tipa gangsterësh që duan të jetojnë si protagonistët e këngëve të idhujve të tyre. Madje, disa prej atyre këngëtarëve janë të akuzuar poashtu për pedofili, por ende vazhdojnë të helmojnë publikun duke nxitur kriminalitetin. (Muzika hiphop në SHBA u popullarizua pasi ishte strategji e largimit të të rinjve me ngjyrë nga krimi dhe prostitucioni, kurse ndër ne po bën të kundërtën)

Ajo që duhet të bëjnë shtetet tona është t’i qasen zgjidhjes sistematike të problemit, që fillimisht do të prodhojë ndëshkimin adekuat për pedofilët.

Së pari duhet të krijojë regjistrin e pedofilëve, ku me fotografi, emër, mbiemër dhe të dhëna do të shfaqen të gjithë ë dënuarit për dhunim seksual të të miturve. Kjo është e nevojshme pasi praktikat tregojnë se pedofilët, edhe pas vuajtjes së dënimit me burg, e përsërisin veprën. Ky regjistër do të shfrytëzohej nga shkollat, lagjet, pallatet dhe mjedise tjera të ndërveprimit midis njerëzve me qëllim të mbajtjes sa më larg të këtyre personave. Një regjistri i pedofilëve të dënuar në Maqedoninë e Veriut u lëshua në vitin 2012 si mjet për të luftuar këtë shëmti, por ka kohë që nuk funksionon. Është një neglizhencë institucionale që tërthorazi sjell raste dhe viktima të reja.

Së dyti, duhet të ndryshohet normativa ligjore me qëllim që dënimi me burg i pedofilëve të shoqërohet me tredhje, ose kastrim fizik ose kimik. Disa shtete në SHBA (California, Florida, Guam, Iowa, Louisiana, Montana dhe Wisconsin) kanë legalizuar kastrimin kimik të pedofilëve, i cili nënkupton përdorimin e injektimin e kemikaleve për të zhdukur hormonin e testosteronit, me ç’rast përgjithmonë zhduket edhe dëshira seksuale. Një ligj të këtillë në vitin 2011 e ka miratuar edhe Koreja e Jugut, Ukraina në 2019, Pakistani…kurse Nigeria ka ligj që dënon me kastrim fizik – sterilizim të pedofilëve. I vetmi vend në Bashkimin Evropian (BE) që përdor kastrimin fizik si dënim është Çekia. Ndryshimet e Kodit Penal, që mundësojnë tredhje kimike të pedofilëve, u miratuan edhe në Maqedoninë e Veriut në vitin 2014. Megjithatë, përveç mosfunksionimit të regjistrit, statistikat thonë se deri më tash nuk është kryer asnjë operacion i tillë.

Pra, ky problem kërkon qasje sistematike. Është i natyrshëm dhe shumë me vend mllefi dhe protestat, por ato janë vetëm alarm për një zgjidhje të qëndrueshme. Është politika ajo që duhet të përshtat sistemin dhe ligjet në drejtim të çrrënjosjes së kësaj dukurie të shëmtuar, kurse mediat dhe shoqëria civile të motivojnë familjarët dhe viktimat e dhunës seksuale që ta paraqesin të njëjtën.

Të fundit