E enjte, 12 Shtator, 2024

ME NOT NGA ITALIA NË SHQIPËRI, EVA BUZO PËRFUNDON ME SUKSES SFIDËN PËR 34 ORË

Eva Buzo ka përfunduar me sukses udhëtimin e saj nga brigjet e Leces, (San Focca) deri në Gadishullin e Karaburunit, ku dhe ka prekur brigjet e Shqipërisë në një nga gjiret e Karaburunit, në afërsi të kepit të Gjuzës, transmeton KDP.MK.

Ajo notoi plot 34 orë – 92 kilometra, në det, ndërsa kapiteni që e shoqëronte, pas mbërritjes në Vlorë, u shpreh se Eva është “një përbindësh” , duke nxjerr në pah guximin dhe fuqinë që tregoi në këtë aventurë të guximshme.

“Urime Evës, jam pa fjalë. Eva hyri në historinë e detit në një mënyrë më fisnike duke sakrifikuar veten e saj. Kalimi i kanalit të Otrantos, pas një dështimi të një viti më parë, do të themi e  betonozoi emrin e Evës në një nga shkëmbinjtë e Karaburunit. Unë do të thosha që ta quajmë ‘Shkëmbi i Evës’ atë shkëmb ku Eva kapi për herë të parë kapi tokën shqiptare. Eva ka bërë mbi 50 e ca milje” tregon Sherif Dyrmishaj, peshkatari që e ka shoqëruar gjatë këtij rrugëtimi.

Po ashtu edhe shoqëruesja Evis Spahiu, notare dhe shoqëruese e Buzos, tregoj për gjendjen e saj shëndetësore.

“Asnjë moment nuk është dorëzuar, ritmi i saj që nga fillimi deri në fund ka qenë konstant. Ka pasur problem nga kalcifikimi, psh tani nuk është në gjendje të flasi, për disa ditë derisa të stabilizohet situata, por disa çuna shumë të sjëllshëm nga Vlora na sollën disa akullore edhe ajo sikur e stabilizoi gjendjen e saj. Ka notuar për 92 kilometra për 34 orë”,  tha Evis Spahiu.

Në momentin e mbërritjes, Eva s’ishte në gjendje të fliste për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa, por raportohet se gjendja e saj është e mirë.

Ndryshe, Eva është një avokate në Australi dhe e angazhuar masivisht me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo ka punuar edhe në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi, me organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision dhe Save the Children.

Mendimi për të kaluar me not kanalin e Otrantos, i erdhi gjatë periudhës së izolimit nga pandemia, kur duke parë në Google Maps disa vende të mundshme për të notuar, u ndal në distancën midis Italisë dhe Shqipërisë.

Udhëtimi i saj ishte i vështirë për të pasi vitin e kaluar ndërpreu sfidën, vetëm 10 milje larg Karaburunit,  për shkak të komplikimeve, por që arriti ta përfundojë sot.

 

Të fundit