E shtunë, 13 Korrik, 2024

BULLGARI: 12 TË LËNDUAR NË AKSIDENTIN E AUTOBUSIT SERB

Tetë fëmijë dhe katër të rritur u plagosën të dielën kur një autobus serb ra në një kanal dhe u përmbys në autostradën për në Sofje në Bullgari,- njofton KDP.

Shumica e të lënduarve janë fëmijë, të cilët, siç bëhet e ditur janë kryesisht anëtarë të një ansambli  nga Beogradi. Fëmijët po ktheheshin nga festivali në Nesebar dhe me ta ishin edhe prindërit e tyre.

Të lënduarit janë transportuar në Spitalin Universitar në Stara Zagora. Sipas drejtorit të tij, fëmija më i vogël i shtruar në spital është gjashtë vjeç, ndërsa më i madhi 17 vjeç. Njëri nga prindërit  është lënduar rëndë dhe këmba e tij do t’i amputohet,- ka deklaruar për median bullgare drejtori i spitalit, Jovço Jovçev.

Ende nuk dihet shkaku i aksidentit, por sipas dëshmisë së një pasagjereje, transmeton KDP njoftimin e medias serbe, autobusi ka dalë nga rruga në momentin kur shoferi është munduar të ul sediljen e asistentit të tij, në mënyrë që në të të ulej  një prind me fëmijën të cilit i villej.

Shoferi i autobusit serb të aksidentuar është ndaluar dhe sipas informacioneve edhe ai ka pësuar lëndime të lehta. Raportohet se ai, në testin për alkool dhe drogë, ka rezultuar negativ dhe ndaj tij me shumë gjasa gjatë ditës do të ngrihet padi.

Të fundit