Gjithnjë e më shumë po shtohen insinuata dhe analiza që tregojnë se Uashingtoni po e kthen fokusin në Ballkanin Perëndimor, shkruan në një analizë media serbe B92, përcjell KDPolitik.com.
Kjo media, e cila konsiderohet e afërt me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, analizon nga një perspektivë pozitiviste “rikthimin” e SHBA-së në Ballkan, pas një “tërheqjeje të gjatë, e cila ka krijuar hapësirë për Rusinë dhe Kinën”.
KDPolitik më poshtë ju sjell analizën në formën integrale:
A do të ketë edhe një herë SHBA ndikimin më të fortë në Ballkanin Perëndimor – kjo është pyetja që lind pasi një grup senatorësh amerikanë nga partitë demokratike dhe republikane paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë dhe luftën kundër korrupsionit në rajonin tonë.
Bëhet fjalë për një projektligj të njohur si Ligji për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe bashkë me të senatorët amerikanë kanë nxjerrë edhe një projektligj për sanksione speciale për të shtypur aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Të dyja këto akte ligjore, të mbështetura si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët, tregojnë se SHBA-të po ndjekin me vëmendje gjithçka që ndodh në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm kaq, por duan të ndikojnë në proceset ekonomike, politike dhe të gjitha proceset e tjera në Ballkan.
Senatorja demokrate Zhana Shahin, e cila prezantoi të dy projektligjet, vuri në dukje se nisma vjen si rezultat i rritjes së shqetësimit në Ballkanin Perëndimor për luftën në Ukrainë. Siç tha ajo, marrëdhënia e SHBA-së me rajonin është vendimtare në këtë moment, kur “qëllimet e presidentit rus Vladimir Putin për të përhapur ndikimin malinj në të gjithë Evropën Lindore janë të dukshme”, prandaj duhet të forcohet afrimi i rajonit me BE-në dhe NATO-n.
“Ligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që lufton korrupsionin, përmes miratimit të një ligji të posaçëm për sanksionet ndaj aktorëve destabilizues. E gjithë kjo hap rrugën për integrime më të gjera euro-atlantike,” tha Zhana Sahin.
Senatorët amerikanë e shohin këtë projektligj si një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe për të mbështetur përpjekjet për të përmirësuar demokracinë dhe për të çrrënjosur korrupsionin.
Mbështetje për “Ballkanin e Hapur”
Gjithashtu, në projektligj senatorët amerikanë kanë mbështetur tregun e përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe nismën “Ballkani i Hapur”, i cili, siç theksojnë ata, ka potencial të madh për përmirësimin e kushteve ekonomike në rajon.
Nëse dhe çfarë mund të ndryshojë në Ballkanin Perëndimor pas këtij projektligji në SHBA, është një temë që do të jetë aktuale në muajt dhe vitet e ardhshme në të gjithë rajonin.
Ata e lanë pak pas dore rajonin
Kryetari i qendrës arsimore dhe hulumtuese “LIbek”, Millosh Nikoliq, thekson se propozimi i këtij ligji në një farë mënyre paraqet “zgjimin e Amerikës në raport me Ballkanin Perëndimor”.
“Përshtypja e cenueshmërisë së rajonit tonë u përforcua vetëm nga pushtimi i Ukrainës. Kishte një përshtypje të justifikuar se SHBA-të e neglizhuan disi këtë rajon dhe se fuqitë e tjera të mëdha, kryesisht Rusia dhe Kina, e përfituan nga kjo në dekadën e kaluar”, thekson ai për “Blic”.
Siç thotë Nikoliq, ai propozim ka disa shtresa – aspekti ekonomik, i sigurisë, energjetik, infrastrukturor, edukativo-kulturor, mediatik.
“Është një propozim gjithëpërfshirës për të forcuar prezencën strategjike të SHBA-së në rajonin tonë në afat të gjatë. Disa nga objektivat e propozimit janë më urgjente, si p.sh., pozicioni i misionit EUFOR në Bosnje-Hercegovinë. Të tjerët fokusohen në rregullimin e fushës së sanksioneve, e cila pjesërisht është mbuluar me dekretet e presidentit të SHBA-së”, vlerëson Nikoliq.
Mbështetja më e rëndësishme ekonomike
Nikoliq beson se për Serbinë, qëllimet më të rëndësishme të projektligjeve amerikane kanë të bëjnë me “mbështetjen në fushën e ndërtimit të prosperitetit ekonomik dhe forcimin e institucioneve demokratike, pra mbështetjen në fushën e projekteve të infrastrukturës rajonale”.
“Këtu parashikohet miratimi i një strategjie pesëvjeçare. Mbështetja që mund të marrin kompanitë tona dhe sektori privat, mbi të gjitha kompanitë e vogla dhe të mesme, në këtë kuptim mund të jetë shumë domethënëse për ekonominë. Në këtë kontekst është e rëndësishme të theksohet se propozimi nënvizon në mënyrë eksplicite potencialin dhe iniciativat e mëdha të Ballkanit të Hapur. Gjithashtu do të doja të theksoja veçanërisht se rëndësia e bashkëpunimit arsimor, partneriteteve mes universiteteve dhe rëndësia e bashkëpunimit të të rinjve është e njohur”, nënvizon Nikoliq.
Një instrument më i fortë për të luftuar korrupsionin
Edhe Suzana Grubjeshiq nga Qendra për Politikë të Jashtme ndan mendimin se lufta në Ukrainë dhe agresioni rus e kanë rikthyer fokusin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, sepse siç thotë ajo, integrimi i rajonit në strukturat euroatlantike mbetet punë e papërfunduar. .
“Së dyti, SHBA-të po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje pranisë së Kinës në rajon, gjë që mund të nënkuptojë edhe rritjen e përfshirjes amerikane”, vlerëson Suzana Grubjeshiq.
Siç thotë ajo, SHBA-të do të krijojnë nisma të reja kundër korrupsionit që do të mbulojnë të gjithë rajonin.
“Do të zgjerojë kompetencat për sanksionimin amerikan të të korruptuarve, si dhe ndërtimin e nismave të reja ekonomike rajonale që duhet të përmirësojnë konkurrencën e rajonit në tregun global”, nënvizon Suzana Grubjeshiq.
Bashkëbiseduesi ynë na kujton se në qershor të vitit të kaluar presidenti amerikan Joe Biden ka miratuar një dekret me përmbajtje të ngjashme me këto projektligje.
“Iniciativa e gjashtë senatorëve nga të dyja palët amerikane i jep Shteteve të Bashkuara të Amerikës një instrument më të fortë për të luftuar korrupsionin dhe ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor”, përfundon Suzana Grubjeshiq.
Rreth korrupsionit
Presidenti i “Libek” Millosh Nikoliç nuk është optimist se projektligjet amerikane do të kontribuojnë shumë në luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.
“Lufta kundër korrupsionit është diçka që nuk duhet parë si detyrë shtëpie nga jashtë, por si vullnet autentik i aktorëve tanë politikë vendas. Ky propozim nënkupton mekanizma të caktuar për ta mbështetur atë vullnet. Por kjo mbetet diçka që në radhë të parë varet nga vullneti i politikanët e zgjedhur të rajonit tonë dhe sanksionet e parashikuara nuk do të mund të ndryshojnë aq shumë”, apostrofon Nikoliq.
Ndikimi rus po zvogëlohet
Nikolić beson se edhe pa këto ligje amerikane, ndikimi rus në Ballkan “do të ulet në mënyrë të pashmangshme në afat të gjatë”.
“Ideja pas këtij propozimi është se si të sigurohet që për shkak të kësaj tërheqjeje historike, Rusia e Putinit të mos shkaktojë thyerje që mund të destabilizojnë politikisht dhe sigurinë rajonin. Ky propozim synon të mbushë zbrazëtitë strategjike para të tjerëve. Kjo është arsyeja pse një gamë e gjerë mbështetjeje dhe ofrohen mundësi bashkëpunimi, që nuk është vetëm deklarative”, thotë Nikoliq.