E mërkurë, 24 Korrik, 2024

REFERENDUMI: KONTRARIAN NDAJ LSDM-BDI-ASH, OPOZITAR MES VMRO-E MAJTA

Shkruan: Arsim Zekolli

Ngjashëm me referendumin e vitit 2018 mbi Marrëveshjen e Prespës, edhe kjo nismë dhe ide e opozitës maqedonase mbi Marrëveshjen me Bullgarinë diktohet nga një arsyetim sipërfaqësor dhe disa motive të fshehura politike dhe personale. Motivet sipërfaqësore janë të bazuara mbi drojen legjitime të maqedonasve por skajshmërisht të egzagjeruara nga VMRO-DPMNE dhe E Majta si kërcënim i egzistencës së gjuhës, historisë, identitetit dhe vetë qenies maqedonase.

Nervozizmi, hamendja, skepsa dhe droja legjitime e maqedonasit ordiner mbi këto çështje u demantua nga nivelet më të larta politike e diplomatike Trans-Atlantike si dhe nga vetë përmbajtja e Marreveshjes dhe Protokolleve përcjellëse. Çështjet diskutabile mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë gjithsesi do diskutohen dhe shqyrtohen nga komisionet përkatëse si dhe në procesin e vetë negociatave. Ajo që megjithatë është me rëndësi për këto dyshime maqedonase është fakti se çështjet e tilla mund të kenë epilog pozitiv vetëm përmes afrimit dhe anëtaresimit në BE. Dhe anasjelltas, të njëjtat çështje do mbesin të hapura si kërcënim per maqedonasit nëse mbesin jashtë proceseve integruese dhe të hapura për dobësim të korpusit maqedonas përmes shtetësive bullgare, erozionit socio-ekonomik dhe humbjes së betejës nga aparati medial, kulturor e politik nga Bullgaria dhe vendeve tjera fqinje.

Motivet politike dhe personale në prapapvijë të oponencës maqedonase janë më të komplikuara për të kuptuar dhe shpjeguar. Me qëllim po e përdori termin oponencë në vend të opozitës, pasi që sjellja e VMRO-DPMNE-së dhe E Majta janë shembull klasik të zëvendësimit të rolit opozitar me pozimin kontrariran. Dy partitë në fjalë që moti kanë çuar dorë nga roli i opozitës klasike, që nënkupton mospajtim konstruktiv, dhe kanë përkrahur rolin kontrarian të kundërshtimit të politikave qeverisëse vendore dhe rekomandimeve ndërkombetare pavarësisht nëse ato janë të mirëqena, pozitive, konstruktive dhe në të mirën e vendit dhe qytetarëve. Kjo qasje nga VMRO-DPMNE dhe E Majta vërtet mundëson një ngritje politiko-ditore në popullaritet dhe nëpër anketa, por përveç satisfaksionit të mllefit dhe pezmit populist, nuk ofron zgjidhje për sfidat para establishmentit maqedonas të pozitës dhe opozitës.

Insistimi i tepërt në këtë koncept kontrarian për momentin është në favor te qasjes Mickoski-Apasiev, por së shpejti do dëshmohet si destruktiv për vetë partitë e tyre. Pasi që natyra e qasjes kontrariane doemos shpie drejt dhe perfundon ne dogmatizëm, si dhe ne diktaturë të ekstremit mbi moderimin. Për të kuptuar këtë proces që lëkund themelet e VMRO-DPMNE-së, duhet së pari të kuptojme shkaqet që e sollën në këtë gjendje.

VMRO-DPMNE që nga inagurimi i Nikolla Gruevskit ka çuar dorë nga misioni fillestar të manifestuar nga Lubco Georgievski për kontestim, zbërthim, zhbërje dhe eliminim të verzioneve zyrtare politike, historike, kulturore nga e kaluara komuniste, Jugoslave dhe pro-Sërbe. Dëshira autokratike e Nikolla Gruevskit për shkatërrim të opozitës LSDM dhe instalim të VMRO-DPMNE si e vetmja parti politike gjith-maqedonase rezultoi në një fenomen të papritur me pasoja afatgjata për partinë e tij dhe aq më shumë për maqedonasit. Në deshirën për të vardisur e larguar trupin votues të LSDM dhe ish-zyrtarëve të saj, Gruevski mundësoi infiltrim e një vokabulari, të një koncepti diametralisht të kundërt nga ai i Georgievskit. Agjenda e VMRO-DPMNE si parti e së djathtës konservative, anti-komuniste, nacionaliste gradualisht fillon të zbehet falë ndikimit të eks-komunisteve të infiltruar dhe epshit për më shumë vota ish-LSDM në konto të partisë. Rrjedhimisht, paraqitja, tematika, vokabulari dhe politika e VMRO-DPMNE fillon të ngjanë në atë të LSDM në vitet e 90ta, ikonografia partizane zëvendësoj ikonografinë Komite, imazhi me shumë kopionte stilin jugo-nostalgjik se sa atë maqedonas. Ky zëvendësim tezash, në fund do rezulton në zëvendësim rolesh.

Duke mundësuar LSDM-së që të marrë përsipër dhe të vazhdojë rolin historik të VMRO-DPMNE-së të Georgievskit në debat, diskutim, kontestim, zbërthim, zhbërje dhe eliminim të dogmave të vjetruara nga e kaluara. Qoftë në raport me shqiptaret, me grekët, me bullgarët, me rishqyrtim të ndërlidhjeve historike me Serbine dhe Rusinë dhe kthesen e vendosur drejt integrimeve euro-atlantike.

Largimi i elementeve oportuniste, distancimi nga vokabulari dhe politikat me afat të skaduar, detyron LSDM të kalon nëper cikle krizash interne por edhe një reformësim që do tejklaon suazat partiake dhe do marrë karakter të reformave sistemore në përgjithësi. Paradoksalisht, pra, në vend që VMRO-DPMNE demo-krishtere konservative të bëjë distancimin nga e kaluara dogmatike, është LSDM trashiguesja e Partisë Komuniste (autore e dogmave në fjalë) që merr përsipër rolin e reformatorit nga njëmendësia drejt demokracisë, nga dogmat historike drejt të vertetave historike.

Ky është faktori kyq që determinon kontrarianizmin e VMRO-DPMNE dhe E Majta dhe dëshirën që përmes ruajtjes së dogmës të ruajnë dominancë apo relevancën e vet në skenën politike.

Kerkesa për Referendum është vetëm një nga instrumentet populliste (rrjetet sociale, protestat) që mungesën e idesë dhe ofertës ta zevendësojnë me forcën numerike të qytetarëve. Por problem për VMRO-DPMNE është që me insistimin e saj mbi ruajtjen e dogmës nga e kaluara, mundësoi paraqitjen e E Majta e cila tani dogmën e tillë e dërgon në ekstrem më të madh se ai i VMRO-DPMNE, duke cënuar dominancat e saj si partija më e fortë në kampin maqedonas.

Rrjedhimisht, sjellja e VMRO-DPMNE tani nuk diktohet vetëm nga rivaliteti kontrarian ndaj LSDM por edhe detyrimi që të bëjnë opozitarizmin autentik ndaj E Majta dhe nga grupimet e ndryshime pro-Serbe, Jugo-nostalgjike, klientela kalkulante oligarke dhe rrymimeve ideologjike të ndryshme përbrenda partisë së Mickoskit.

Rezultati perfunidmtar i një Referendumi të tillë mbetet i panjohur për nga numri, por jo edhe nga efekti. Në momentin, kur argumentet kontrariane të imponuara mbi qytetarët nga VMRO-DPMNE ngjajnë se gëzojnë përkrahje të konsiderueshme.

Por efekti real i Referendumit është nëse oferta e refuzimit baraspeshohet me ofertën e pranimit. Mënyra në të cilën Mickoski, Apasiev proklamojne idenë e Referendumit bazohet ekskluzivisht mbi energjinë negative kundrejt Marreveshjes me Bullgarinë, por dështon në propozimin e ofertës pozitive se si të zgjidhjen çështjet kontestuese. Kjo është e rëndësishme të mbahet në mend pasi që për dallim nga Apasiev dhe E Majta me orientim pro-Sërb dhe pro-Rus, kontrarianet e VMRO-DPMNE dhe Mickoski e kanë të qartë se në kalkulimet e tilla nuk ka vend për partinë e tyre, nuk ka mirëkuptim nga faktori trans-atlantik dhe bie ndesh me dëshirat socio-ekonomike të qytetarëve në përgjithësi.

Edhe pse në sipërfaqe ngjan sikur Mickoski dhe Apasiev mbajnë të ndajnë të njejtin motiv për Referendumin, në realitet diferenca mes tyre është më e madhe se ajo mes VMRO-DPMNE dhe LSDM dhe partitë politike shqiptare.

Hendikepi tjetër në lidhje me Referendumin është se mungesa e ofertës alternative ndaj “Jo Marrëveshjes me Bullgarinë” cënon edhe efektin e saj në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe partnerët jetik për stabilitetin dhe egzistencën e Maqedonisë.

Së fundmi, rezultati negativ i Referendumit mbi Marrëveshjen e Prespës nuk lëkundi qëndrimin e qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Në përgjithësi, roli i Referendumit nuk mban më atë peshë të vendosjes sikur që kishte dikur, kjo falë ekperiencës në Britani, Irlandë dhe vende tjera në të cilat Referendumi është shndërruar në instrument popullizmi që sjell dobi momenti dhe dëme afatgjate.

Mbetet të shifet nëse VMRO-DPMNE do e ketë parasysh këtë natyrë të Referndumit si shaptë me dy teha. Pasi që epizodi me protestat anti-Bullgare, anti-Shqiptare dhe anti-Perëndimore në Shkup dëshmuan se vazhdimi ne atë model sjell më shumë dobi në konton e së E Majtë së Apasievti se sa në forcim të VMRO-DPMNE-së.

Të fundit