Nëse ju rastis të takoni në rrugët e qytetit të Shkupit një vajzë të qeshur, jashtëzakonisht pozitive dhe me një të folur karakteristike tetovare, teksa po bën video me improvizime, komente dhe përmbajtje argëtuese, me gjasë ajo është Teuta Ramadani, vajza që ka arritur një audiencë prej më shumë se 45 mijë ndjekësve në njërin nga rrjetet më të frekuentuara të momentit siç është TikToku. Ëndrra e saj është të bëhet aktore. Ajo ka talentin që së fundi ia siguroi një rol në një serial turk. Teuta thotë se të rinjtë duhet t’i shfrytëzojnë rrjetet sociale për kreativitet.
Shkruan: Fatjona Abdullahi
Teuta Ramadani është 31-vjeçare dhe prej 4 vjetësh jeton në Shkup bashkë me familjen, megjithëse origjina e saj është nga Tetova. Aktivitetin e saj në TikTok e ka filluar prej më shumë se një viti, por pa ndonjë pritshmëri të lartë për ecurinë e saj. Madje, ajo tregon se nxitjen kryesore e kishte nga familjarët e saj të cilët duke ia njohur natyrën hokatare dhe dëshirën për të bërë parodi me personazhet e njohura dhe imitime e improvizime të natyrës komike, e motivuan që të merrej me profilin e saj i cili shpejt mori përmasa të suksesshme. Për atë vetë, një konfirmim ishte videoja e cila përnjëherësh arriti 1.2 milion shikime dhe për të cilën ajo kishte dedikuar më shumë se 4 orë të ditës. Me pak fjalë, kjo është natyra e Teutës dhe ndoshta ky është sekreti i suksesit të saj; ajo përkushtohet shumë në çdo gjë që bën dhe ka vullnet dhe durim për të ndjekur atë që i pëlqen.
Kjo vajzë dalëngadalë po i afrohet ëndrrës së saj, e cila nuk përfundon me të qenët influencere apo me bashkëpunimet e produkteve dhe reklamave që bën në profilin e saj. Teuta ka një ëndërr e cila ngadalë po merr trajtën e vet, ajo pretendon të depërtojë në botën e filmit dhe të bëhet një aktore, e cila ndonëse nuk ka ndjekur një shkollë aktrimi, ka talentin i cili së fundi ia siguroi një rol në një serial turk. Të qenët aktive në profilin e saj në rrjete sociale, e ka ndihmuar Teutën që të jetë sa më e lirshme dhe më e zhdërvjellët në improvizim, në gjestikulacione ekspresive, në pantomimë dhe natyrisht të jetë edhe më elokuente. Të gjitha këto, ndonëse nuk e kompensojnë ndjekjen e një itinerari të rregullt akademik, u japin shumë dorë afiniteteve që ajo natyrshëm i ka dhe që vetëm duke i vënë në sy të publikut, arrin edhe t’i testojë dhe t’i dijë pikat e saj të forta dhe vendet ku ka nevojë për përmirësim.
Balkan Ninnisi, seriali i realizuar nga produksioni turk TRT1, i cili po xhirohet në vendin tonë, i dha Teutës mundësinë që për herë të parë të marrë pjesë në një episod përkrah aktorëve profesionistë dhe me karrierë disavjeçare. Me modestinë që e karakterizon, Teuta thotë se ky rol, ndonëse periferik, i jep asaj shumë shtysë që të përpiqet akoma më shumë dhe ta vazhdojë rrugën e artit, të cilën fatkeqësisht babai i saj i ndjerë e la në gjysmë dhe u ndërpre karriera e tij prej kitaristi, piktori dhe vallëtari të dikurshëm në Shoqatën Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri”. Talentin e tij në muzikë, Teuta thotë se e ka trashëguar vëllai i saj, i cili është rep artist, i njohur me pseudonimin Benxhi, ndërsa Teuta vetë ndonëse ka prirje, më shumë se në muzikë e gjen veten te aktrimi.
Rolin e ka fituar me audicione dhe meqenëse e papërvojë, nuk kishte pritshmëri të larta, por përpjekjet ia vlejtën dhe ajo ia doli të përzgjidhej si pjesë e këtij seriali pas dy audicionesh. Seriali është në gjuhën turke, por kjo nuk ishte pengesë, sepse Teuta tregon se njeh 7 gjuhë të huaja dhe turqishtja është një ndër to.
Jo rastësisht e pyetëm se si përballet me bullizmin në rrjete sociale, sepse në ditët e sotme shohim mjaft komente negative të cilat ndikojnë tek të rinjtë duke i bërë të rimendojnë dy herë përpara se të shfaqen hapur në rrjete sociale, por Teuta thotë se i tejkalon me lehtësi, madje me “humor të zi” sepse ndryshe negativiteti të gllabëron dhe zbrapsesh nga qëllimet që i ke vënë vetes. Megjithëse as atë nuk e lënë indiferente komentet deprimuese apo edhe dirigjuese për mënyrën se si duhet ta jetojë jetën, të orientohet drejt krijimit të një familjeje në vend se të humbasë kohën në rrjete, ajo po bën atë që do, pra shpërndan pozitivitet, punon për të arritur ëndrrën e saj aktrimin, ndan këshilla për veshjet, grimin, gatimin dhe aktivitetet e saj ditore me audiencën që e ndjek dhe natyrisht argëton veten dhe të tjerët me video që kanë përmbajtje humoristike dhe thumbuese. Paragjykimet për moshën, statusin civil, veshjen dhe natyrën e saj mendjehapur, Teuta zgjedh të mos i pranojë si realitet të sajin sepse konsideron se shoqëria jonë ka nevojë për sensibilizim më të madh në mënyrë që të pranohet gjithkush ashtu siç është në natyrën e vet.
E pyetëm se çfarë do të këshillonte të rinjtë që nuk kanë guximin e saj të shprehen lirshëm, të ndajnë mendime dhe të përballen me gjykimin publik dhe ajo thotë “Ëndrrat kërkojnë punë të palodhshme dhe guxim. Vajza dhe djem, ose si ju drejtohem në të folurën time “ej o djema, e ju vajza” mjafton të fokusoheni te vetja juaj dhe të bëni atë që doni. Vitet kalojnë dhe jeta është e shkurtër, prandaj krijoni sa m shumë përvoja dhe rrjetet sociale merrni si një mënyrë për të promovuar talentin që ju keni sepse në ditët e sotme, është mënyra më e shpejtë për t’u lidhur me njerëzit apo institucionet të cilat mund të jenë çelësi i një karriere që pretendoni, madje kudo në botë. Rrjetet sociale duhet t’i shohim si një mundësi për të qenë më të unifikuar, më të qasshëm me informacionin, më të disponueshëm për argëtim dhe për avancim në profesion. Assesi të mos i përdorim për të shpërndarë negativitet dhe për të nxitur bullizim e urrejtje mes nesh. Ne shqiptarët jemi një popull me shumë njerëz të talentuar dhe është mirë që ta përkrahim njëri-tjetrin në çdo projekt dhe arritje, të njihemi për gjëra të bukura dhe ta pranojmë secilin ashtu siç është pa dashur ta ndryshojmë e aq më pak ta gjykojmë!”
Me këtë qasje pozitive ndaj jetës, urojmë që Teuta Ramadani të jetë një tjetër rast suksesi që duke ditur si ta menaxhojë fuqinë e vëmendjes mediatike që japin rrjetet sociale, do të arrijë të realizojë qëllimet e veta dhe të jetë e realizuar në karrierën që pretendon në aktrim.