VMRO-DPMNE tashmë ka filluar konsultime për referendum pas miratimit të propozimit francez dhe hapjes së negociatave me BE-në. Sipas analistit politik Xhenur Iseni, me fillimin e negociatave për anëtarësim, referendumi është totalisht i panevojshëm, e sidomos në këto kohë të krizës ekonomike. “VMRO-DPMNE me presionin për të mbajtur referendum, dëshiron të fitojë pikë politike por edhe të analizon se sa ka mbështetje si parti në elektoratin maqedonas. Qeveria ka legjitimitetin e plotë për të marrë vendime, dhe jo për çdo vendim shtetërorë duhet të shkohet në referendum”, thekson Iseni.
Shkruan: Enis Shqiri
Që nga 19 korriku, kur Maqedoninë e Veriut mbajti konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga ideja e referendumit kundër ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Ndryshe, nga kjo parti bëjnë të ditur se kanë nisur edhe konsultimet me ekspertët dhe shoqërinë civile lidhur me formulimin e pyetjes së referendumit, ku edhe do të iniciojnë procedurë për mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve për referendum.
“Do të bisedojmë për propozimin për referendum, të shohim çfarë lloj referendumi, kur do ta fillojmë procedurën dhe ku do të orientohemi. Të dëgjojmë çfarë mendojnë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të partisë”, tha kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski.
Ndërkaq nga partia në pushtet LSDM bëjnë të ditur se kreu i kësaj partie Hristijan Mickovski, nuk ka mbështetje të partnerit të koalicionit në lidhje me referendumin në fjalë, mirëpo as edhe të partive tjera opozitare.
“Kërkesa e tillë për referendum, për të cilin Mickoski nuk e di as formën e as pyetjen, është vetëm me qëllim të manipulimit të anëtarësisë në parti, pasi të gjitha përpjekjet e tij për ngecje dhe destabilizimin e shtetit kanë dështuar. Mickoski është i vetmuar dhe i izoluar, partneri i tij i vetëm është “E Majta” proruse e udhëhequr nga Dimitar Apasiev”, thonë nga LSDM
Në një prononcim për KDP, analisti Xhenur Iseni thekson se jo për çdo vendim shtetërorë duhet të shkohet në referendum ndërsa VMRO-DPMNE sipas tij në kuadër të referendumit mundohet që të përfitojë pikë politike.
“Me fillimin e negociatave për anëtarësim, referendumi është totalisht i panevojshëm, e sidomos në këto kohë të krizës ekonomike. VMRO-DPMNE me presionin për të mbajtur referendum, dëshiron të fitojë pikë politike por edhe të analizon se sa ka mbështetje si parti në elektoratin maqedonas. Qeveria ka legjitimitetin e plotë për të marrë vendime, dhe jo për çdo vendim shtetërorë duhet të shkohet në referendum. Nëse do të ishte ashtu, atëherë të krijojmë një Qeveri teknokratike dhe mos të mbajmë zgjedhje, ” thotë Xhenur Iseni.
Në ndërkohë, me neutralitet të plotë, Stevo Pendarovski ka sugjeruar që pyetja e referendumit drejtuar qytetarëve të ishte nëse duan apo jo të integrohen në BE në këto kushte, “A dëshironi të shkoni në BE me këto kushte” pra pa përmendur marrëveshjen me Bullgarinë.
“A doni të shkoni në BE në këto kushte?”. Pa përmendur marrëveshje, pika… Opozita të dalë me një formulim të sinqertë dhe nëse është kjo cështja, të gjitha partitë të dalin në referendum dhe jo të bojkotojnë, është shprehur kreu i shtetit maqedonas. pendarovski sugjeroi gjithashtu edhe uljen e pragut të 50 plus 1 të votuesve të regjistruar. “Ta ulim pragun, dhe le të jenë vetëm ata që duan të votojnë atë ditë. Qeveria dhe opozita duhet të ndryshojnë Ligjin e Referendumit, të pastrojnë listën e zgjedhësve sipas regjistrimit të ri dhe ju siguroj se një pjesë e konsiderueshme do të jetë “pro” BE-së, ashtu siç pohoj se shumica e elektorati real votoi pozitivisht në referendumin për Prespën, ” ka thënë Pendarovski.