E premte, 26 Korrik, 2024

SCARDUS FEST, NJË FESTIVAL NDRYSHE PËR PROMOVIMIN E EKOTURIZMIT

Festivali zgjati dy ditë, një festival ndryshe i cili theksin e kishte në promovimin e ekoturizmit të Malit Sharr, traditat dhe folklori i rajonit, ushqimin tradicional të rajonit, nëpërmjet produkteve organike vendore, duke shpalosur konceptet e ekonomisë së gjelbër, nën tingujt e muzikës, në shoqërinë e filmave, aktiviteteve në natyrë dhe sigurisht një kënd të posaçëm për fëmijët. Me mbështetje nga Komuna e Tetovës, u organizua transport falas për këdo që ishte i interesuar për ta ndjekur festivalin

Shkruan: Valmisa Novi

Fundjavën që lamë pas Sharri plak gumëzhoi nën ritmit e Scardus Fest, festivali veror i organizuar nga Hotel Scardus në bashkëpunim me Institutin Alternativa Liberale.

Festivali zgjati dy ditë, një festival ndryshe i cili theksin e kishte në promovimin e ekoturizmit të Malit Sharr, traditat dhe folklori i rajonit, ushqimin tradicional të rajonit, nëpërmjet produkteve organike vendore, duke shpalosur konceptet e ekonomisë së gjelbër, nën tingujt e muzikës, në shoqërinë e filmave, aktiviteteve në natyrë dhe sigurisht një kënd të posaçëm për fëmijët.

Me mbështetje nga Komuna e Tetovës, u organizua transport falas për këdo që ishte i interesuar për ta ndjekur festivalin, por që mungesa e mjetit të transportit e kufizon. Transporti falas i ofruar nga komuna ishte i vlefshëm për të dyja ditët e festivalit, në katër orare të ndryshme gjatë ditës.

Këndi për fëmijë ofroi për vogëlushët lojëra, aktivitete krijuese si vizatim e ngjyrosje, aktivitete argëtuese si muzikë, vallëzim si dhe animatorë për të sjellë një botë të vërtetë përrallash për të vegjlit tanë, në majën e Sharrit.

Për të rinjtë u organizuan aktivitete si ecje në natyrë, vizitë në stanet e Shipkovicës, vozitje me biçikleta ekologjike, kalërim. Ndërkohë që gjatë të dyja ditëve të festivalit është ofruar ushqim tradicional dhe produkte bio, nëpër këndet e tyre respektive. Për t’i përmbyllur aktivitetet ditore në mënyrë të kënaqshme, nuk munguan as mbrëmjet festive me muzikë dhe shfaqje filmi në kinemanë e sajuar enkas për festivalin. Një iniciativë dhe organizim për t’u përgëzuar, madje urojmë të jetë i pari në vargun e festivaleve të tjera pasuese dhe të kthehet në traditë.

Të fundit