E premte, 26 Korrik, 2024

RETORIKË E ACARUAR NË DEBATIN MBI PROPOZIMIN FRANCEZ

Ka vazhduar debati i tensionuar mes pozitës dhe opozitës në kuvend mbi miratimin e propozimit francez. Opozita ka akuzuar për “tradhti”, ndërsa pozita ka akuzuar deputetët e VMRO-DPMNE-së për “posedim të pasaportave bullgare”. Me një fjalor tërësisht acarues ka kaluar edhe dita e dytë e debatit për “propozimin francez”, ndërkohë që gjithë akuzat e ndërsjella janë fokusuar te korniza negociuese që sipas opozitës e atakon gjuhën maqedonase, ndërsa sipas partisë në pushtet në asnjë rast nuk cenohet. Ka pasur edhe fjalor të rëndë ndaj BE-së nga deputetja e VRMRO-DPMNE-së, Ollga Llozanovska. Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka dënuar fjalorin ofendues të deputetes së VMRO DPMNE-së Ollga Llozanovska, e cila në fjalimin e saj skandaloz në Kuvend krahasoi Bashkimin Europian me regjimin nacist pas vizitës që kryetarja e Komisionit Europian znj. Ursula Von Der Layen realizoi dje në Maqedoninë e Veriut.

Shkruan: Enis Shaqiri  

Për të dytën ditë me radhë, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u zhvillua debati në lidhje me Informacionin për përmbajtjen e Propozim kornizës negociuese, të propozuar nga Presidenca franceze “propozimin francez,” propozim ky që e hap rrugën drejt Unionit Evropian.

Debati vazhdojë në të njëjtën atmosferë si dje, ku gjatë seancës deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së Brane Petrushevski, e grisi dokumentin “propozimi francez,” mes tjerash duke potencuar se “jua pështy marrëveshjen, edhe gjithçka.”

Absolutisht nuk kam ndërmend të ju dëgjoj, ndërsa turpërohem që ndajë të njëjtën hapësirë me ju. Për nderë të bashkëqytetarëve tuaj nga Vatasha, 12 të rinjtë të vrarë, të jua pështy marrëveshjen, edhe gjithçka”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Debati në Kuvend, vazhdoi kryesisht me fjalor të papërshtatshëm , ndërsa situata u përshkallëzua në momentin kur Zhaklina Llazarevska, deputete nga radhët e LSDM-së, i akuzoi deputetët e VMRO-DPMNE-së për posedim të pasaportave bullgare.

Kush jeni ju të neve të na quani tradhtarë?! Ju që keni disa pasaporta në xhepat tuaj. Unë kam vetëm një pasaportë edhe atë maqedonase. Unë luftoj për Maqedoninë time, për gjuhën time maqedonase, për popullin tim maqedonas, për identitetin tim maqedonase, për Maqedoninë time,” tha Zhaklina Llazarevska nga LSDM.

Fjalën e mori edhe deputeti Antonio Milloshoski, ndërkohë gjatë fjalimit deputet e shumicës bërtitini duke ia kërkuar pasaportën bullgare.

Е dini ju se ekspertët, gazetarët, populli dhe deputetët nuk janë aq naiv aq sa i mendoni ju. E nënvlerësoni inteligjencën e qytetarëve. Kjo marrëveshje është e dëmshme dhe është rezultat i diplomacisë suaj të keqe.”, tha Antonio Millosheski nga VMRO-DPMNE.

Ndërsa Daniela Markovska (LSDM) vazhdoi duke thënë se ne hyjmë në BE si maqedonas me gjuhë të pastër maqedonase, ndërsa ju jeni të humbur në histori.

Për çfarë po protestoni ju nga VMRO-DPMNE, të humbur në histori? Dje supremacistë, pardje të lashtë dhe sot gjoja partizanë. Ne hyjmë në BE si maqedonas me gjuhën maqedonase dhe unë si deputete e Gjorçe Petrovit do të luftoj për të ruajtur imazhin dhe veprën e Gjorçe Petrovit, dhe do të luftoj për të ruajtur imazhin dhe vepër e heronjve tanë nacionalçlirimtarë që ju i quani kriminelë”, tha deputetja Markovska.

Atmosfera e mos tolerancës politike u plotësua me fjalimin e Ollga Lozanovskas (VMRO-DPMNE) e cila përmes një “tweeti” të përdorur në foltore, ka krahasuar Ursula von der Leyen , kryetaren e Komisionit Evropian me nazistët e vitit 1933.

Nuk më intereson se çfarë flisni pas gjithë kësaj që i bëni popullit, por do t’ju lexoj një “tweet”. Në një ditë si kjo në vitin 1933, nacistët kanë miratuar ligj për sterilizim të obligueshëm të personave me sëmundje të trashëguara. Sot, respektivisht dje në vitin 2022, na erdhën në shtëpi, në parlament, të na sterilizojnë ne maqedonasve”  ka thënë deputetja Lozanovska.

Nga ana tjetër, Von der Leyen, përmes një postimi në Twitter, ka ripërsëritur qëndrimin e saj duke thënë se Bashkimi Evropian do ta respektojë gjuhën maqedonase.

Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Ne e respektojmë këtë plotësisht”, ka shkruar Von der Leyen duke e shpërndarë një video nga fjalimi i saj i djeshëm në Kuvendin e RMV-së.

Ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ku mes tjerash ka dënuar fjalorin ofendues të deputetes së VMRO DPMNE-së Ollga Llozanovska.

Bëjmë thirrje deri te të gjithë deputetët për pjekuri, maturi, respektim të kodit etik të prononcimit në shtëpinë e demokracisë dhe mbi të gjitha për respekt ndaj përkrahjes që vendet e Bashkimit Europian i kanë dhënë gjithmonë zhvillimit demokratik të vendit tonë.Deputetja Llozanovska të kërkoj falje publike dhe VMRO DPMNE të distancohet nga fjalori i deputetes duke kërkuar përgjegjësi për fjalët e përdorura nga ana e saj.”

Të fundit