E shtunë, 27 Korrik, 2024

LEXIMI I “NËNSHTRESAVE” DISKURZIVE

Pikërisht kjo suazë diskurzive që në esencë duket se po mbron një kauzë , në fakt po performon një hapësirë ekskluzive diskurzive që përjashton diskurset tjera që janë në përputhje me kontekstin kohor, me realitetin multietnik dhe multigjuhësor të Maqedonisë së Veriut, që është tërësisht në përputhje me matricën europiane, të cilën e synojnë pjesa dërrmuese e qytetarëve. Në fakt, përveç suazës diskursive kundërvënëse ndaj kontestit me Bullgarinë, po krijohet edhe një nënshtresë e lexueshme diskursive antishqiptare që “sintetizohet” në emër të kësaj kundërvënie.  Këto mbase mbeten të kuptueshme dhe përhershmëri politike në Maqedoninë e Veriut, por mbeten të pakuptueshme mendimet “kamikaze” të disa analistëve nga hapësira shqiptare, të cilat pa njohje elementare të realiteteve etnike dhe politike këtu “sharrojnë” në ide konfuze dhe tërësisht të pakuptueshme.    

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Kontesti me Bullgarinë tashmë ka nxjerrë në sipërfaqe shumë anomali politike dhe shoqërore. Sikundër kemi mundur ta shohim, në protestat e fundit të organizuara nga opozita është shfaqur edhe një sentiment i gjuhës së urrjtjes ndaj shqiptarëve si fajtorë kujdestar në shtetin që njeh një trajektore të njëanshme ndërtimi që nga fillimet e proceseve demokratike. Sigurisht, çështjet identitare mbeten të ndjeshme dhe trajtimi i tyre kërkon kompetencë, vizion, dialog pa paragjykime, por edhe mendësi që i tejkalojnë folklorizmat dhe sentimentet që orientohen kundër tjetrit.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut gjithnjë kanë treguar një mirëkuptim mbi çështjet identitare që kanë tanguar bashkëqytetarët maqedonas, një solidarizim për të manifestuar atë çfarë përfaqësojnë, në asnjë rast pa u futur në këtë debat me tendenca për të përfituar nga situatat që janë përcjellë edhe me nebuloza politike dhe gjeostrategjike, gjegjësisht me ndikime nga jashtë, që në esencë gjithnjë e kanë zhvendosur fokusin nga problemet me të tjerët në një përplasje të brendshme me qytetarët.

Ka një shqisë kolektive te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që asnjëherë nuk ka gabuar në perceptimin e këtyre situatave identitare të mbuluara me nebulozë politike. Fatkeqësisht, gjithë ky mirëkuptim dhe gjithë ky qëndrim korrekt kolektiv i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është atakuar padrejtësisht nga mendje mesjetare të apasievizuara, të cilat gjithnjë e kanë zhvendosur fokusin e përplasjeve pikërisht aty ku nuk duhet, në marrëdhëniet ndëretnike. Në fakt, siç po dëshmohet edhe me zhvillimet e fundit, forca destruktive lojtarësh të moçëm politikë që qëndrojnë diku në prapaskenë, përpiqen edhe kësaj radhe ta zhvendosin fokusin në planin e brendshëm, në marrëdhëniet ndëretnike, që si zakonisht, sipas gjitha teorive, mbeten një terren kompleks dhe potencial përplasjesh. Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve është zhvendosje fokusi nga ustallarët e destabiliteteve etnike dhe politike. Pikërisht në këtë suazë diskurzive, me shumë “delikatesë” dhe logjik “argumentuese” kundër propozimit francez marrin pjesë edhe shumë aktorë të shoqërisë civile që me vite të tëra kanë vjelë para nga fondet europiane në emër të vizionit europian.

Pikërisht kjo suazë diskurzive që në esence duket se po mbron një kauzë të drejtë, në fakt po performon një hapësirë ekskluzive diskurzive që përjashton diskurset tjera që janë në përputhje me kontekstin kohor, me realitetin multietnik dhe multigjuhësor të Maqedonisë së Veriut, që është tërësisht në përputhje me matricën europiane, të cilën e synojnë pjesa dërrmuese e qytetarëve. Në fakt, përveç suazës diskursive kundërvënëse ndaj kontestit me Bullgarinë, po krijohet edhe një nënshtresë e lexueshme diskursive antishqiptare që “sintetizohet” në emër të kësaj kundërvënie.  Këto mbase mbeten të kuptueshme dhe përhershmëri politike në Maqedoninë e Veriut, por mbeten të pakuptueshme mendimet “kamikaze” të disa analistëve nga hapësira shqiptare, të cilat pa njohje elementare të realiteteve etnike dhe politike këtu “sharrojnë” në ide konfuze dhe tërësisht të pakuptueshme.

Në fakt, ky dyzim kundërvënës gjithnjë ka ekzistuar që nga pavarësimi i Maqedonisë dhe vazhdon të metastazojë me po aq arrogancë dhe i stimuluar nga lojtarë që kërkojnë nga prapaskena të jenë të pranishëm në hapësirën politike, ghithnjë sipas formulës së tyre të njohur që nënkupton përkeqësimin e marrëdhenieve ndëretnike, sikurse në fillimet e demokracisë, atëherë kur kishim privatizimin e egër, krijimin e elitave të kriminalizuara.

Në fakt, loja e kundërvenies duket pak më e thellë dhe më misterioze se sa që shfaqet, pak më përtej opozitarizimit legjitim të VMRO-DPMNE-së, që rrezikon të apesievizohet. Protestat janë legjitime, sikundër që është legjitim çdo kundërshtim. Dhe, në këtë pikë opozita ka të drejtë. Edhe debate është legjitim. Mbetet e papranueshme gjuha e urrjtjes ndaj shqiptarëve, të cilët në gjithë proceset e fundit kanë treguar pjekuri dhe racionalitetet politik. Fati i Maqedonisë së Veriut mbetet familja europiane. Zgjidhjet gjithnjë duhet kërkuar në kornizat e këtij vizioni.

Të fundit