E premte, 26 Korrik, 2024

KANCELARI SCHOLZ: DUAM QË MV-ja TË BËHET ANËTARE E BE-së!

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i është drejtuar Maqedonisë së Veriut me një  letër të hapur, duke bërë thirrje  për pranimin e kompromisit evropian për kontestin me Bullgarinë në mënyrë që vendi të nisë negociaatat me BE-në.

Sikurse transmeton KDP-ja, kancelari gjerman, Olaf Scholz, vlerëson se pranimi i propozimit francez hap rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Në letrën e hapur drejtuar qytetarëve të vendit, të publikuar këtë të hënë, sikurse njofton DW në maqedonisht, Scholz porosit se i kupton dhe ndanë frustrimet, por pohon se Gjermania dëshiron që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së.

Ja letra e plotë e Kancelarit gjerman:

“Ne duam Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së!

Vendi juaj përballet sërish me marrjen e një vendimi tepër të rëndësishëm: A dëshironi të pranoni kompromisin evropian? Me këtë, 17 vjet pas marrjes së statusit të kandidatit për anëtar në BE, përfundimisht mund të mbahet konferenca e parë për anëtarësim. Do të jetë ky një hap i rëndësishëm që do t’ju afrojë të jeni anëtar në BE dhe me çka do të kapërcehet bllokada.

Unë e kuptoj mosdurimin tuaj dhe frustrimin tuaj. Dhe, më shumë se kaq: I ndaj me ju!

Unë ju mirëkuptoj kur do të thoni: Ne na u premtua gjatë kohë dhe shumë. Ajo që na u kërkua ishte e tepërt. Unë e kuptoj dyshimin tuaj  nëse me këtë hap do të hapet me të vërtetë rruga për të hyrë në BE.

Dua të jem krejtësisht i sinqert me ju: Madje edhe pas pranimit të këtij kompromisi, procesi për të hyrë në BE nuk do të jetë i lehtë. Do të ketë pengesa të tjera që do të duhen tejkaluar, mirëpo unë, po ashtu, ju them: Bashkarisht do t’i bëjmë detyrat që na presin.

Për shkak se duam të jeni anëtare e këtij Bashkimit Evropian!

Ne ju duam, të dashur maqedonas dhe maqedonase, të anëtarësuar në një union ku ruhen dhe kultivohen dallojat Tuaja dhe tonat kulturore, gjuhët dhe identitetet tona të ndryshme. Kjo na bën bashkarisht të fuqishëm.

Të gjithë e dimë se kompromiset ndonjëherë nënkuptojnë koncesione të dhimbshme. Bashkimi Evropian përbëhet nga kompromise, ditë për dite, Mirëpo, jam i bindur fuqimisht se bile edhe kompromiset e rënda në fund përherë na çojnë përpara dhe na bëjnë më të fortë.

Ne jemi dhe do të mbetemi në anën tuaj.

I Juaji Olaf Scholz, kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë”./KDP/

Të fundit