E premte, 26 Korrik, 2024

REFUZIMI I PROPOZIMIT FRANCEZ PASHMANGSHËM NDAN SHQIPËRINË NË RRUGËN E INTEGRIMEVE

Mospranimi i propozimit francez në Maqedoninë e Veriut hap rrugën e ndarjes së Shqipërisë në rrugën e çeljes së negociatave me BE-në. Analisti politik nga Shqipëria, Mentor Nazarko thekson se nëse vjen deri tek kjo gjë, nuk do të ketë ndonjë impakt negativ mbi RMV-në dhe ndarja do të ishte vetëm e  përkohshme, sepse qasja e BE-së është që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet njëkohësisht. Ndërsa, analisti politik Sefer Tahiri nuk mendon që propozimi francez do të refuzohet, por në rast se vjen deri te refuzimi, ai vlerëson se veçimi i Shqipërisë do të jetë i pashmangshëm, sepse ajo nuk mund të mbetet peng i kontestit të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, nëse nuk çelen negociatat me BE-në, euroskepticizmi do të jetë në rritje, ndërsa shenjat e tij tashmë kanë filluar të shfaqen.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Sipas paralajmërimeve të fundit nga Republika e Shqipërisë dhe vet kryeministri Edi Rama, nëse Maqedonia e Veriut nuk e pranon propozimin e fundit europian, Shqipëria do të kërkojë ndarje në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Analisti politik nga Shqipëria Mentor Nazarko thekson se nëse vjen deri tek kjo gjë, nuk do të ketë ndonjë impakt negativ mbi RMV-në dhe ndarja do të ishte vetëm e  përkohshme, sepse qasja e BE-së është që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet njëkohësisht.

“Nëse Shqipëria do ndahet nga Maqedonia e Veriut, nuk besoj se kjo të ketë ndonjë impakt negativ mbi Maqedoninë, në pikëpamje simbolike po jo thjesht simbolike. Mirë do të ishte që Shqipëria bashkë me Maqedoninë të ishin në të njëjtën valë integruese apo që të miratohet njëherësh korniza negociuese e tyre, por natyrisht në një situatë të konfliktualitetit të brendshëm si ky, nga konfliktualiteti i jashtëm apo debati ndërshtetërorë me Bullgarinë, kemi arritur në një konfliktualitet të brendshëm ndërmaqedonas. Ndoshta ky është veprimi i duhur i cili nuk do të ketë impakt negativ në Maqedoni. Kjo ndarje unë besoj që do të jetë e përkohshme sepse në fund të fundit BE-ja përkundrejt vendeve të Ballkanit, ka qasjen e integrimit në grup që do të thotë të gjithë vendet e Ballkanit pavarësisht parimeve të ndryshme të negocimit me BE-në supozohet të integrohen njëkohësisht, një zgjidhje kjo e cila nënkupton që asnjë shtet nuk pengon tjetrin në kursin e integrimit”, thotë për KDP, Mentor Nazarko.

Kurse profesori universitar dhe analisti politik në vend Sefer Tahiri nuk mendon që propozimi francez do të refuzohet, por në rast se vjen deri këtu, ai mendon që ndarja e Shqipërisë nga pakoja është e pashmangshme.

“E para, mendoj se Maqedonia e Veriut do ta pranojë propozimin francez dhe të gjitha proceset dhe procedurat formale – juridike për miratimin e tij në kuadër të sistemit juridik të vendit. Por, nëse ndodh që për arsye të ndryshme, vendi të mos pranojë propozimin, veçimi i Shqipërisë do të jetë i pashmangshëm, sepse ajo nuk mund te mbetet peng i kontestit të Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk çelen negociatat me BE-në, euroskepticizmi do të jetë në rritje, ndërsa shenjat e tij tashmë kanë filluar të shfaqen”, thotë Tahiri.

Kujtojmë se sot është mbajtur takimi i parë i grupit punues të partive politike në Parlament, në të cilat marrin pjesë të gjitha partitë parlamentare.

 

Të fundit