E diel, 13 Tetor, 2024

PROPOZIMI FRANCEZ “NDEZ” SKENËN POLITIKE

Kreu i shtetit Stevo Pendarovski, është shprehur pro propozimit francez. Sipas tij, ky propozim është i pranueshëm pasi bëhet fjalë për një “kompromis kalimtar”, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ndërkohë, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE e ka refuzuar propozimin. Lideri i kësaj partie, Mickovski ka theksuar se nuk na duhet Evropa nëse duhet të asimilohemi. Opozita shqiptare, ASH dhe Lëvizja Besa janë prononcuar pro propozimit francez.
Shkruan:

Enis Shaqiri
Që nga publikimi i dokumentit  “Propozimi francez” nga ana e qeverisë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, janë krijuar opinione dhe debate të ndryshme, në mbështetje të këtij propozimi si dhe refuzim të hapur.

Kreu i shtetit Stevo Pendarovski, është shprehur pro ndryshimit të propozimit francez. Sipas tij ky propozim është i pranueshëm pasi bëhet fjalë për një “kompromis kalimtar”, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Konsideroj se bëhet fjalë për një kompromis kalimtar për njërën nga fazat e integrimit evropian, që ka tri elemente të rëndësishme dhe për mua në këtë fazë është i pranueshëm“, tha Pendarovski.

Mes tjerash Pendarovski bëri të ditur se qeveria duhet të miratojë, edhe një konkluzion në propozimin e rindryshuar francez, që ka të bëjë në rast se gjatë këtij procesi euro-integrues, pala bullgare insiston që të negociohet edhe për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Ne nuk duhet të presim që dikush të na bllokojë, por ne duhet menjëherë të tërhiqemi nga bisedimet. Këtë e them sepse e dimë se me kë kemi punë”, ka thënë presidenti Pendarovski.

Ndërkohë, kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në lidhje me propozimin francez, ka realizuar një sërë takimesh me liderët e partive opozitare.

Gjatë takimit me kreun e opozitës Hristijan Mickovski. kryeministrit Kovaçevski, propozimin francez e cilësoj si një mundësi të vetme për zhbllokim të procesit euro-integrues. Sipas tij, propozimi i modifikuar francez “nuk rrezikon as gjuhën e as identitetin maqedonas dhe është mundësia e vetme për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian
Mes tjerash ka shtuar se bëhet fjalë për një dokument të rrallë, dokument i cili nuk mund të përsëritet për të ardhmen europiane të vendit. “Nevojitet qasje burrështetase, gjatë marrjes së vendimeve shtetërore nuk bisedohet për përqindje por për përgjegjësi për ardhmërinë e këtij shteti dhe të qytetarëve të këtij vendi,” ka thënë Kovaçevski

Ndërsa kryetari i VMRO DPMNE-së, i qëndron pas idesë se “propozimi i ri nuk dallon nga i pari në përmbajtje, e cila është e dëmshme për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase”.

Ndërkaq, kujtojmë se protestat në vend vazhdojnë në lidhje me propozimin francez.
Në tubimin e partisë së tij, para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mickoski nënvizoi se populli maqedonas po zgjohet që t`i jap fund emrit të ri Maqedonia e “Veriut”

Populli po zgjohet dhe të gjithë ata që duan t’i japin fund Maqedonisë [së Veriut] duke nënshkruar brenda një apo dy ditëve, populli maqedonas dhe qytetarët maqedonas nuk do ta harrojnë këtë. Nuk na duhet Evropa nëse duhet të asimilohemi” ka thënë Mickovski.

Mes tjerash, Mickovski tha se nuk na duhet Evropa nëse duhet të asimilohemi.

Nuk dua të jem në Evropë sepse kam të drejtë të jem maqedonas, që flet gjuhën maqedonase dhe që lufton për Maqedoninë e tij, për identitetin e tij, për kulturën e tij, për historinë e tij dhe për trashëgiminë e tij”, deklaroi Mickoski.

Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pas takimit me kryeministrin Dimitar Kocvaçevski, konfirmoi se e ka pranuar propozimin e ri francez, dhe se të njëjtin do ta shqyrtojnë në mënyrë të detajuar edhe në organet e partisë, në mënyrë që mos të lihet hapësirë që të keqinterpretohet në opinionin e gjerë.

E morëm sot propozimin të cilin sigurisht që do ta shqyrtojmë në mënyrë të detajuar edhe në organet e partisë, sidomos në kryesinë qendrore”, tha Sela duke shtuar se “kjo bëhet që sa më pak të lihet hapësirë për keqinterpretim

Sipas Selës, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE, ka vlerë gjeostrategjike dhe politikanët duhet më shumë të mendojnë për stabilitetin e rajonit, ndërsa më pak për marrjen e pikëve politike.

E vetmja rrugë duhet të jetë BE sa më shpejtë. Normalisht që kjo rrugë shkon përmes bisedimeve, përmes marrëveshjeve të cilat duhet të arrihen me vendet e BE-së. Nuk ka dyshim dhe mendoj se ASH është e qartë në këto linja”, tha Sela.

 

Përmes një komunikate për mediat edhe Lëvizja Besa ka theksuar se përkrahin propozimin francez, gjegjësisht çdo propozim që sipas tyre hap rrugën drejt BE-së.

“Jemi duke përcjellë me vëmendje situatën aktuale politike në vend dhe sidomos në drejtim të zhbllokimit të procesit euro-integrues të vendit pas propozimit francez. Edhe njëherë rikonfirmojmë pozicionin e Lëvizjes Besa se integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është opcioni i vetëm pa alternativë tjetër për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Lëvizja Besa është informuar nga ana e Qeverisë rreth propozimit francez dhe konform vendimeve partiake edhe njëherë konfirmon se do pranojmë çdo propozim që hap rrugën e integrimit në BE dhe që i njejti nuk do cenonte interesat e shqiptarëve në vend”, thuhet në komunikatë.

Pas përfundimit të procesit të konsultimeve, këto mendime do t’i adresohen Qeverisë, ku më pas Qeveria në bazë të arsyeve, do ta dorëzojë vendimin dhe do ta dërgojë në BE. Mirëpo kujtojmë se ende nuk është saktësuar se kur propozim do të kaloj në Kuvend.

Ndryshe, në lidhje me procesin e konsultimeve, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani deklaroi se propozimi mund të kaloj vetëm me vendim të qeverisë pa pasur nevojë për votim nga Parlamenti, siç kishte thënë më parë kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Byrnes përmes një mesazhi në Twitter, ka shprehur mbështetjen për bisedimet e brendshme që po zhvillohen në vend, mbi propozimin e modifikuar francez.

SHBA-ja mirëpret bisedimet në Maqedoninë e Veriut për propozimin e rishikuar të BE-së për fillimin e bisedimeve aderuese, duke njohur rëndësinë e gjuhës dhe identitetit të Maqedonisë së Veriut. Ne një kohë të gjatë kemi mbështetur ardhmërinë evropiane të Maqedonisë dhe tani shohim rrugë për të ecur përpara”, shkruan ambasadorja Byrnes.

Të fundit