E shtunë, 27 Korrik, 2024

DIGJITALIZIMI I MUNGUAR I SHËRBIMEVE PUBLIKE

Në raportin e publikuar në lidhje me situatën aktuale për avancimin e Agjendës Digjitale në RMV theksohet se “shteti ofron një numër të kufizuar të e-shërbimeve” ku performanca e e-shërbimeve të qeverisjes në RMV është më e ulët se mesatarja e arritur në vitin 2010 në BE. Në shifra të thjeshta 12 vjet mund të duken pak, por duke konsideruar dinamikën e zhvillimit të botës digjitale, duket sikur jemi akoma në “neandertalin digjital”. Mungesa e informacionit të mjaftueshëm në lidhje me e-shërbimet, vazhdon ta orientojë qytetarin drejt shërbimeve tradicionale, shërbimet që ofrohen në sportel,  dhe kjo është e qartë pasiqë vetëm 1.5 përqind e popullsisë të vendit janë përdorues të regjistruar në portalin e e-shërbimeve.

Shkruan: Valmisa Novi

Agjenda digjitale dhe tranformimi digjital është futur në listën e prioritetit, si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, projekt i cili gjen zbatim në gjashtë shtete (Maqedoni e Veriut, Serbi, Kosovë, Mal i Zi, Shqipëri dhe Estoni) dhe financohet nga Bashkimi Evropian. Nevoja për digjitalizimit u bë mjaft e dukshme gjatë periudhës së pandemisë, por që nxori në pah edhe probleme të tjera, jo vetëm mungesën e shërbimeve elektronike po edhe papërgatitjen e një pjesë të gjerë të popullsisë për shfrytëzimin e shërbimeve që tashmë kanë filluar të ofrohen në vend. Digjitalizimi si proces synon përmirësimin e shërbimeve duke siguruar një efikasitet më të lartë të institucioneve, organizatave dhe subjekteve të tjera shoqërore.

Në raportin e publikuar në lidhje me situatën aktuale për avancimin e Agjendës Digjitale në RMV theksohet se “shteti ofron një numër të kufizuar të e-shërbimeve” ku performanca e e-shërbimeve të qeverisjes në RMV është më e ulët se mesatarja e arritur në vitin 2010 në BE. Në shifra të thjeshta 12 vjet mund të duken pak, por duke konsideruar dinamikën e zhvillimit të botës digjitale, duket sikur jemi akoma në “neandertalin digjital”. Mungesa e informacionit të mjaftueshëm në lidhje me e-shërbimet, vazhdon ta orientojë qytetarin drejt shërbimeve tradicionale, shërbimet që ofrohen sportel,  dhe kjo është mese e qartë pasiqë vetëm 1.5% e popullsisë të vendit janë përdorues të regjistruar në portalin e e-shërbimeve.

Digjitalizimi nuk shërben vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar, pasiqë shërbimet behën të arritshme nga kudo duke e ngritur vendin në një plan konkurrues  edhe në fushën ndërkombëtare. Falë digjitalizimit subjektet mund të marrin menjëherë ose pothuajse menjëherë shërbime më të shpejta dhe më të sigurta. Për më tepër, menaxhimi i dokumenteve digjitale iu ofron punonjësve mundësinë  e të qënit më produktivë dhe më të shpejtë në operacionet e tyre, pasi mund t’i arrijnë, krijojnë dhe ndajnë dokumente me një klikim të thjeshtë.

Digjitalizimi gjithashtu lejon një orientim dhe optimizim të hapësirave, pasiqë hapësirat fizike që përdoren për arkivim,  të cilat shpesh herë të stërmbushura me dokumente dhe materiale që jo rrallë herë janë jo lehtësisht të menaxhueshme, mund të shfrytëzohen për qëllime të tjera. Agjenda digjitale shkon paralel me agjendën e gjelbër, një administrim digjital në fakt eliminon përgjithmonë përdorimin e letrës, duke ndikuar edhe në mirëqenien e mjedisit. Përditësimi i të dhënave dhe dokumentacionit është më lehtësisht i menaxhueshëm në formën digjitale, madje edhe problem i dyfishimit të dokumenteve mund të anashkalohet falë menaxhimit digjital i cili garanton shpejtësi më të madhe në konsultimin e dokumenteve nga të gjithë të interesuarit.

Kalimi në platformën digjitale sjell edhe reduktimin e shpenzimeve, jo vetëm për ofruesit e shërbimeve por edhe për qytetarët ose subjektet që përfitojnë nga këto shërbime. Humbja e kohës në radhët e gjata duke pritur në sportelet e shërbimeve do të eliminohet, koha e harxhuar deri të adresimi nëpër sportele si dhe shpenzimet e nevojshme për realizimit e qëllimit do të jenë veç një histori e së shkuarës.

Të fundit