E shtunë, 27 Korrik, 2024

ALI AHMETI: VETTING PËR POLITIKANËT NGA VITI 1991, TË FILLOHET ME MUA

SHKRUAN: ENIS SHAQIRI

 

Lufta kundër korrupsionit mund të jetë e njëmendtë vetëm nëse fillohet një proces i vettingut për të gjithë politikanët, nga viti 1991 e këndej. Këtë propozim të enjten mbrëma e dha lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i cili ishte i fundit që e mori fjalën në seancën parlamentare ku zhvillohej debati për interpelancën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi.

“Le të fillojë vettingu nga unë”, tha Ahmeti, duke theksuar se korrupsioni nuk luftohet me akuza e etiketime të pareshtura. “Përderisa ky tempull (Parlamenti) po shndërrohet në prokurori, akuza për kriminalitet, akuza për korrupsion, unë u them: ejani ta bëjmë hapin e duhur, të nisim verifikimin e të gjithë kuadrove nga 1991 e këndej. Pra, të kuadrove politik, të sigurisë, prokurorive, të gjykatave…Ta bëjmë duke filluar nga unë”, nënvizoi ai.

Kreu i BDI-së tha se me shumë vëmendje e ka përcjellë debatin me çrast tha se është i shqetësuar, sidomos etiketimet në baza etnike të funksionarëve shqiptarë.

I shqetësuar, po përcjell prononcimet e partive politike, ja ndryshuan emrin Bujar Osmanit në “Bugar Osmani”. Ndërsa ne jemi përcaktuar fortë sepse ky është shteti jonë dhe i përbashkët. Përse vallë e përmenda luftën e parë botërore. Problemet nuk u zgjodhën në luftën e parë botërore, bashkëkombësit e mijë shqiptarë dhe bashkëvendësit e mi maqedonas u nënshtruan, u nëpërkëmbën të pushtuar, nga një pushtim në tjetrin. Andaj zoti Xhaferi ka hy në mision. Po edhe Bujar Osmani që ja keni ndryshuar emrin ka një mision,” tha Ahmeti

Ndërkaq, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, gjatë fjalimit të tij e kritikoi punën e deritanishme të Xhaferit. Sipas tij, mbyllja e deputetëve është vepër penale, dhe se duhet  miratuar ligje në mënyrë kriminele me procedurë të shkurtuar, ndërsa ofendimi i shërbimeve kuvendore paraqet shkelje e kodeksit të kuvendit.

Thoni se deshët që t’i numëroni deputetë. Kjo nuk është e saktë. Shërbimet i numërojnë të punësuarit sipas nenit 95 paragrafi 4 dhe kjo nuk është e kontestueshme që ta bëni dhe e bëni rregullisht. Por shërbimet e sigurisë e mbyllin derën por jo sipas kësaj procedure siç bëni ju. Kjo është vepër penale, sipas nenit 12 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë ku janë shkruar vlerat themelore dhe e drejta e lirisë së lëvizjes. Ky është kodeksi i Kuvendit. Këtë kodeks nuk do ta komentoj. Me këtë kodeks shumica parlamentare, BDI dhe LSDM e bënë këtë”, deklaroi Micevski.

Kurse nga radhët LSDM-së, deputeti Darko Kaevski tha se vetëm deputetët e VMRO-DPMNE-së e mbrojnë krimin ku, sipas tij, disa janë të përfshirë drejtpërdrejt në të, kurse të tjerët kanë urdhër të drejtpërdrejtë nga “Pallati i Bardhë” dhe Hristijan Mickoski. Darko Kaevski mes tjerash potencoi se partia opozitare po bën obstruksione, bllokada, frenime, provokime dhe gjithçka që e pengon legjislativin të funksionojë mirë dhe në vazhdimësi.

Pasi mbaroi debati për interpelancën e kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi, e iniciuar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, nga 104 deputetë të pranishëm, 61 votuan kundër, 43 “pro”, ndërsa të përmbajtur nuk kishte.

Askush prej nesh nuk është i pagabueshëm. Për atë arsye që nga fillimi u përbetova që nuk do të lëshohem në etiketa personale. Besoj që edhe parashturesit e interpelancës nxorën mësim”, tha Xhaferi në mbyllje të seancës.

 

 

Të fundit