E shtunë, 27 Korrik, 2024

PE MBËSHTET INTEGRIMIN, OPTIMIZËM PËR FILLIMIN E NEGOCIATAVE

Sonja Mirakova, bashkëkryetare e Komisionit të Përzier Parlamentar Maqedonia e Veriut – BE, ka theksuar se Parlamenti Evropian i jep përkrahje fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Ndërkohë, eurodeputeti, Vlladimir Billçik ka theksuar se është me rëndësi që dialogu politik të vazhdojë kur janë në pyetje interesat strategjike të shtetit, siç është integrimi evropian. SHBA-të gjithashtu kanë përshëndetur përpjekjen e Francës për gjetjen e zgjidhjes së suksesshme dhe kanë shfaqur gatishmëri për rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit

Shkruan: Enis Shaqiri

Sonja Mirakova, bashkëkryetare e Komisionit të Përzier Parlamentar Maqedonia e Veriut – BE, ka theksuar se Parlamenti Evropian i jep përkrahje për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Sipas Mirakovas, Parlamenti Evropian i jep mbështetje të qartë vendit për integrim evropian. Ajo mes tjerash potencoi se në mbledhjen e 19-të të Komisionit të Përbashkët Parlamentar, janë miratuar rekomandime të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Dokumenti që kemi me vete është udhëzues. Është dokument i miratuar nga Komisioni i Përbashkët Parlamentar, i themeluar me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian. Ky komision deri më tani ka mbajtur 19 mbledhje dhe vazhdimisht ka rekomandime. Këto rekomandime mund të gjenden shpesh në dokumentet e Këshillit, dokumentet e KE-së, dokumentet e PE. Në një farë mënyre, kur eurodeputetët të votojnë për një rekomandim të tillë drejtuar institucioneve të BE-së dhe Maqedonia e Veriut do t’i qëndrojë qëndrimeve”, ka thënë Mirakovska.

Sipas Mirakovas, për dokumentin në fjalë, komisioni ka shqyrtuar pikën më delikate, e cila ka të bëjë me vijat e kuqe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që nënkupton pranimin e kornizës negociuese me formulim të qartë për gjuhën maqedonase

Arritëm që në këtë dokument të rëndësishëm, si pika tre të hyjmë në vijat e kuqe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo nënkupton pranimin e kornizës negociuese me formulim të qartë për gjuhën maqedonase, mbrojtjen e qartë të identitetit maqedonas, trajtimin e çështjeve historike jashtë kornizës dhe fillimin e negociatave para fillimit të çfarëdo procedure për ndryshimin e Kushtetutës”, ka shtuar Mirakovska.

Në ndërkohë, eurodeputetja Irena Joveva, në takimin e sotëm, ku pjesmarrës kanë qenë edhe eurodeputeti, Vlladimir Billçik, si dhe shefi i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Dejvid Gir, ka shprehur optimizëm se fillimi i negociatave së shpejti do të ndodhë.

Përkrahje ka shprehur edhe Billçik, duke shtuar se është me rëndësi që dialogu politik të vazhdojë kur janë në pyetje interesat strategjike të shtetit, siç është integrimi evropian.

Nga ana tjetër, Nano Ruzhin, ish ambasador, ka theksuar se duhet t`i jepet mbështetje maksimale kryeministrit Dimitar Kovaçevski në lidhje me problematikat bullgare. Sipas tij, me propozimin francez ruhet rreth 90% gjuha dhe identiteti maqedonas.

Duhet ta mbështesim kryeministrin Dimitar Kovaçevskin, pas refuzimit të propozimit francez, Kovaçevski ka vepruar me shumë kujdes dhe më është dukur i frikësuar”, tha Nano Ruzhin.
Ndërsa sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, propozimi francez për tejkalimin e vetos bullgare ende mbetet i papranueshëm për Maqedoninë e Veriut në formën aktuale. duke shtuar se Ministritë e Jashtme të dy shteteve po diskutojnë për dallimet e fundit që janë shfaqur si pengesë për marrëveshje.

MPJ me ekipet e saj të ekspertëve po bisedon me MPJ e Bullgarisë. Kur do të ketë propozim të pranuar nga të dyja palët, atëherë do të dorëzohet në institucionet e Maqedonisë së Veriut, por për momentin nuk kemi një propozim të tillë”, ka thënë Dimitar Kovaçevski

Kujtojmë se Presidenca franceze me BE-në vazhdon deri më 30 qershor, ku pas zhvillimeve të fundit nuk ka pasur një propozim të ri.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë mbështetje të plotë procesit të negociatave që po i udhëheq presidenca franceze.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, nënvizoi për Zërin e Amerikës se “SHBA-të janë mbështetës të fortë të integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është pikërisht në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, deklaroi zëdhënësi, duke shtuar se “ne marrim parasysh shumë deklarata të liderëve të BE-së për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE për të forcuar sigurinë e Evropës, si dhe sigurinë tonë kolektive. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë hedhur themelet dhe tani është koha për t’i çuar ato përpara në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit

Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën në përgjithësi, shpresojmë se përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe ne si SHBA do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku duhet. E përshëndesim Francën për përpjekjet e saj që të arrijë zgjidhje të suksesshme që sa më shpejtë të fillojnë bisedimet. Negociatat mes palëve akoma vazhdojnë, ndërsa ne jemi të gatshëm të bëjmë rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit”, kanë kumtuar nga Stejt Departamenti Amerikan për Zërin e Amerikës.

Të fundit