E shtunë, 27 Korrik, 2024

EKSKLUZIVE ME KRYEDIPLOMATIN KROAT: BALLKANI PERENDIMOR E KA VENDIN NË BE

Gordan Gërliq Radman, ministër i Jashtëm i Kroacisë, në intervistën ekskluzive për dokumentarin ‘Balkanview’ që do të transmetohet së shpejti në TVM2 dhe portalin kdpolitik.com, flet për ngërçin e procesit të integrimit të Ballkanit Perendimor në familjen evropiane dhe nënvizon se agresioni rus në Ukrainë ka për të përshpejtuar përfshirjen e rajonit në BE për shkak se, thotë ai, Juglindja e Evropës i takon Bashkimit Evropian: ‘Duhet të jemi më shumë të pranishëm këtu, me qëllim të parandalimit të çfarëdo ndikimi të vendeve të treta,’- tha kryediplomati kroat i cili mori pjesë në Forumin e paradoditshëm të Prespës që u mbajt në Ohër.

Intrevistoi:SELADIN XHEZAIRI

KDP:  Vendi Juaj është anëtar i Bashkimit Evropian. Si e shikoni perspektivën evropiane të vendeve ballkanike?

Gordan Gërliq Radman: E dini se Kroacia ka qenë në ish-bashkësinë shtetërore jugosllave që, në fakt, ishte krijesë artificiale, por ndau të njëjtën histori dhe të njëjtin fat me shumë vende të Ballkanit të sotëm Perendimor, me përjashtim të Shqipërisë. Shqipëria sot është pjesë e Evropës Juglindore, pra e Ballkanit Perendimor. Sidoqoftë, kemi pasur një histori të gjatë dhe Kroacia e posedon këtë përvojë dhe mund të kontribuojë, mund të jetë avokate, mund të jetë lehtësuese pikërisht për shkak të përvojës, dijes, eksperizës së vet për këto vende në mënyrë që sa më parë të hyjnë në Bashkimin Evropian.

  • Zoti ministër, përmendët ish-Jugosllavinë, atëbotë flitej përafërsisht se Jugosllavia është e rrethuar apo kufizohet me vende me halle. Përmendeshin shkronjat e para të fqinjëve si Bullgaria, Rumania, Italia, Greqia, Shqipëria e Hungaria…

Gordan Gërliq Radman: Po, po..

  • Fitohet përshtypja se në momentin kur po flasim të gjitha ish – republikat dhe krahinat jugosllave, me përjashtim të vendit tuaj dhe Sllovenisë, vazhdojnë të jenë hall, problem, i Bashkimit Evropian. Çfarë mendoni Ju?

Gordan Gërliq Radman: E dini, ky ishte një sllogan i trilluar i ish-pushtetmbajtësve komunistë me qëllim të homogjenizimit të vendit shumënacional që i shkaktoheshin padrejtësi të mëdha, për shkak se popujt nuk ishin të barabartë. Pra, ne ishim të ndarë në dallime, nuk njiheshin entitetet kombëtare dhe e dini – gjatë komunizmit që ishte totalitar dhe ku kishit dominimin e një populli që kishte gjithë pushtetin në duart e veta, ai sistem federativ që ndoshta ishte i mirëmenduar, por në praktikë nuk funksiononte dhe shteti si i tillë u shpërbë. Ai u shpërbë në mënyrë që të ndërmerrnim proceset demokratike dhe që, të bashkuar në ato dallime, të mund të funksionojmë. Së këndejmi, mendojmë se ky projekt evropian që është një projekt paqeje, që është projekt i sundimit të së drejtës, të respektimit e tolerancës, një projekt i tregut të përbashkët, pra i të drejtave të njeriut dhe i të gjitha lirive, kujtoj se meriton kujdesin edhe të vendeve të Ballkanit Perendimor dhe ashtu sikurse Sllovenia e Kroacia që realizuan anëtarësimin në Bashkimin Evropian, çmojmë se këtë duhet ta arrijnë edhe vendet e Ballkanit Perendimor.ministri kroat

  • Zyrtarët perendimorë flasin me plotë gojë e me optimizëm kur është fjala për Ballkanin Perendimor dhe integrimin e tij, por midis normatives dhe reales, me gjasë, ekziston një hendek i thellë. Si e shikoni Ju, nga Brukseli do të thoja, këtë dëshpërim të ne ballkanasve me politikën që po zhvillon Bashkimi Evropian?

Gordan Gërliq Radman: Le të flasim shtruar. Po shohim qëndrime që thonë se problem është Brukseli. Bashkimi Evropian nuk është Brukseli, nuk janë këta vetëm nëpunës, burokratë, sikurse e përceptojmë ne. Është një kompozitë e 27 vendeve anëtare. Pra, duhet të marrim, të sensibilizojmë, të ndërgjegjësojmë të gjitha këto vende, të 27-tat, për domosdonë e zgjerimit në drejtim të Evropës Juglindore. Kriza e tanishme në Ukrainë, agresioni rus, kujtoj se ka për të kontribuar për përpjekje më të mëdha, për një angazhim më të madh politik të Bashkimit Evropian, për shkak se Ballkani Perendimor, Juglindja e Evropës, i takon Bashkimit Evropian. Duhet të jemi më shumë të pranishëm këtu, me qëllim të parandalimit të çfarëdo ndikimi të vendeve të treta. Këtë që po thoni për ‘shumë optimizëm’, po, natyrisht. Në këto panelet e Forumit të Prespës që u zhvillua në Ohër, po ashtu u përmend durimi strategjik. Mendoj se punët po çohen përpara, ndoshta më ngadalë sesa pritej, por po shkojnë përpara. Kjo është me rëndësi, është e rëndësishme se ekziston vulllneti. Zaten, aty ku është vullneti, aty është rruga!

  • Ama, zoti Ministër, edhe sot e kësaj dite po flitet të ndikimin e madh rus, kinez, turk, në rajon!

Gordan Gërliq Radman: Po, flitet! Dhe, kjo është në fakt çështje e përcaktimit strategjik të Bashkimit Evropian që reflektohet nëpërmjet dokumentit ‘Kompasi strategjik’, një dokument ky prej 47 faqesh dhe pikërisht me angazhimin e Kroacisë është përfshirë në të referenca e madhe për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perendimor. Si do ta shikojmë Ballkanin Perendimor dhe ku e ka vendin Ballkani Perendimor në arkitekturën e ardhshme strategjike të Bashkimit Evropian. Për arsye se nëse dëshirojmë të pengojmë influencën e vendeve të treta që ju i përmendët, atëherë detyrimisht duhet të jemi të pranishëm këtu. Sot një ndër panelistët tha se para 30 vjetësh ne mund të udhëtonim nëpër vende me viza. Duheshin viza. Kujtoj se është arritje e madhe që ne sot nuk kemi regjim të vizave. Nëse, fjala vjen Kosova do të ketë liberalizim të vizave, kjo do të jetë një arritje e madhe. Nëse tash fillojnë negociatat për aderim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo është arritje e madhe. Nëse vendet e Ballkanit Perendimor, Serbia natyrisht nëse plotëson detyrimet e veta, dhe patjetër që duhet t’i përmbushë, dhe nëse respekton politikën e përbashkët të jashtme të sigurisë të Bashkimit Evropian për çka është përcaktuar, këtë do të duhet edhe ta dëshmojë. Ja, edhe Mali i Zi, po ashtu, gëzon mbështetjen tonë të madhe . Është drejt realizimit të mirë në praktikën ekzistuese dhe po shkon drejt rrugës evropiane. Bosnjë e Hercegocina është e vetmja që ka mbetur në fund pikërisht për shkak të disfunksionalitetit të vet. Vlerësoj se duhet të kemi një përkushtim më të madh ndaj Bosnjë e Hercegovinës, por para së gjithashj në funksion të respektimit të Marrëveshjes së Dejton-Parisit që nënkupton konstituitetin, pra barazinë e tre popujve konstitutiv. Prandaj ishte me rëndësi ndryshimi i Kodit Zgjedhor që ne në Kroaci çmojmë se është diskriminues ndaj popullit më të vogël për nga numri, e ky është populli kroat në Bosnjë e Hercegovinë.

  • Zoti Ministër, Ballkani Perendimor ka një të kaluar të afërt shumë të zymtë luftërash e viktimash. Kur flitet për pajtimin ndëretnik, përjashtim nuk bën as vendi juaj. Në këtë rrafsh, detyrimisht shtrohet çështja e kapërcimit të hendekut të mosbesimit të ndërsjellë në kontekst të perspektivës evropiane të rajonit. Kroacia ka probleme me Serbinë fqinje, Serbia me Kosovën e Malin e Zi. Bosnjë e Hercegovina, e thatë, është shtet jofunksional. Maqedonia e Veriut, po ashtu, probleme me Bullgarinë. Cilat janë parashikimet tuaja?

Gordan Gërliq Radman: Shpërbërja e ish-Jugosllavisë u shoqërua nga viktima dhe vuajtje të njerëzve të pafajshëm. Për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë në  mënyrë tragjike fajtor është Slobodan Milosheviqi dhe regjimi i tij. Aq brutalitet dhe aq dhunë në Evropë gjatë kohë nuk ishte parë. Kur përmendi këto shtete është me rëndësi që ato të përballen me të shkuarën, të dënojnë dhe procedojnë krimet e luftës. Ka edhe plotë çështje që nuk janë vetëm të natyrës dypalëshe, por janë trashëgimi evropiane juridike. Serbia duhet t’ju japë përgjigje për personat e pagjetur. Ende ka shumë njerëz të zhdukur për të cilët familjarët, më të dashurit e tyre, presin përgjigje. Po ashtu, duhet hequr dorë nga glorifikimi i kriminelëve të luftës, duhet hapur procese kundër tyre. Shkurt, duhet përballur me të kaluarën dhe, kuptohet, duhet të punojmë për pajtim, solidarësi, dhe për ndërtimin e shoqërive paqesore. Kush ka më shumë interes sesa Kroacia që të ketë fqinjësi të qetë e të qëndrueshme?

  • Çfarë mendoni, a janë të tejkaluara përsiatjet apo aspiratat fjala vjen për ato që quhen Serbi e Madhe, Shqipëri e Madhe, Kroaci e Madhe?

Gordan Gërliq Radman: Sot duhet njohur realitetet politike. Mendoj se çfarëdo ndërrimi i kufijve të territoreve, pra ajo që ka thënë e drejta ndërkombëtare se shtetet moderne dhe integriteti i tyre territorial duhet respektuar në kuadrin e të drejtës ndërkombëtare, prandaj nuk ka vend për kurrfarë aspiratash, pretendimesh territoriale. As Kroacia si anëtare e Bashkimit Evropian nuk e dëshiron këtë dhe ne dënojmë çfarëdo përsiatje në këtë drejtim. Kjo vetëm mund të rrisë tensionet politike dhe mund të sjellë vuajtje më të mëdha dhe të shkaktojë me të vërtetë çrregullime të mëdha tektonike në këtë pjesë të Evropës e madje edhe më gjerë./KDP/

 

Të fundit