E shtunë, 27 Korrik, 2024

DIMITROV DHE OSMANI PËRPLASEN PËR “PROTOKOLLIN” ME BULLGARINË

Kontesti me Bullgarinë ka krijuar përplasje mes ish ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov dhe ministrit aktual, Bujar Osmani. Dimitrov, ka akuzuar kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Jashtëm Bujar Osmani për dështim në negociatat me Bullgarinë, ndërkohë që ka theksuar se gjithçka brenda kohës është reduktuar në fjalën “protokoll”. Nga ana tjetër, ministri Osmani në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një dokument, nëpërmjet të cilit sqaron se paraardhësi i tij, emrin e të cilit nuk e përmend, ka nënshkruar një Protokoll, në të cilin ka disa zotime të qarta, në lidhje me pikëpamjen bullgare të Kryengritjes së Ilindenit, si dhe një zgjidhje adekuate për Goce Delçevin

Shkruan: Enis Shaqiri

Ish-ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, akuzoi kryeministrin aktual të vendit Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Jashtëm Bujar Osmani për dështimin në negociatat me Bullgarinë. Sipas Dimitrovit, ministri Osmani, dhe kryeministri Kovaçevski, kanë shitur sukses të rremë nga Brukseli kundrejt banorëve të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në të njëjtën kohë e kanë lënë atë të ushqehet me gjysmë informacione.

Pjesa e dëshpërimit të qeverisë për sukses të rremë shkon aq larg sa që katër kushtet e kryeministrit, të folura me zë e qartë në mes të Brukselit, u shkrinë fillimisht në dy fjalë, “protokoll” dhe “hapje”, e më pas. në 24 orë vetëm një fjalë – ‘protokoll’ ‘. Tre ditë më parë, ministri i Jashtëm i bëri thirrje parlamentit bullgar që të mos miratojë propozimin sepse ai do të “bllokonte procesin evropian në planin afatgjatë”, dhe vetëm në një ditë miratimi i propozimit u bë “progres i madh”. Nëse kjo agoni do të vazhdojë me lojë fjalësh dhe pozicionesh, propozimi ndoshta do të bëhet plotësisht i pranueshëm për ta dhe ashtu siç është dhe nga ‘jo-ja’ historike do të mbetet vetëm pluhur i hidhur. Nëse kjo ndodh vërtet, të gjithë do të marrim frymë për një kohë të gjatë, të ngecur në ngërç”, ka shkruar Dimitrov në Facebook.

Nga ana tjetër, ministri Osmani në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një dokument, nëpërmjet të cilit sqaron se paraardhësi i tij, emrin e të cilit nuk e përmend, ka nënshkruar një Protokoll, në të cilin ka disa zotime të qarta, në lidhje me pikëpamjen bullgare të Kryengritjes së Ilindenit, si dhe një zgjidhje adekuate për Goce Delçevin, ku nënshkruesi e obligon Komisionin, por edhe vendin (Maqedoninë e Veriut), që të kenë një afat të shkurtër deri në fund të vitit 2019, për të gjetur një zgjidhje, lidhur me problematikën në fjalë.

Deri më tani kemi nënshkruar vetëm një Protokoll, nënshkruar nga paraardhësi im, i cili ka disa detyrime të qarta të cilat, për fat të keq, vetëm i kemi marrë, por nuk i kemi realizuar: E para është se pranojmë pikëpamjen bullgare për kryengritjen e Ilindenit, duke pranuar nomenklaturën ‘Kryengritja Ilinden-shpërfytyrimi’, duke krijuar kështu një kornizë në të cilën Komisioni pritet të veprojë , e cila, nga ana tjetër, krijon vështirësi në punën e tyre, por gjithashtu ka vendosur tashmë një precedent në marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë se çështjen historike mund t’i zgjdhim politikisht, në vend që t’ua lëmë Komisionit. Së dyti, me nënshkrimin e Protokollit të vetëm, paraardhësi im e obligoi Komisionin, por edhe vendin para gjithë botës se kanë afat të shkurtër deri në fund të vitit 2019 për të gjetur zgjidhje për Goce Dellçevin dhe kryengritjen, tashmë të përcaktuar sipas pozicionit bullgar si ‘Ilinden-Shpërfytyrimi’, thuhet në postimin e Osmanit.

Ndërkaq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në një deklaratë për media tha se procesi me Bullgarinë po zhvillohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ministria e Jashtme është duke biseduar me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Bullgari me ekipet e saj të ekspertëve. Në momentin kur do të ketë propozim të pranueshëm nga të dyja palët, atëherë do të vendoset në institucionet e RMV”, tha Kovaçevski.

Në ndërkohë ka rreaguar edhe “E Majta” e Apasievit në lidhje me zhvillimet e fundit me bisedimet me Bullgarinë për çështjen e vetos.
Nga partia “E Majta” kërkojnë ndërprerje urgjente të negociatave me Bullgarinë.
Sipas tyre, para disa ditësh nga Kuvendi Popullor i Republikës së Bullgarisë ishte dërguar mesazh shovinist-kombëtar me pretendime territoriale ndaj Republikës së Maqedonisë.

Përkujtojmë se ky nuk është akti i parë i tillë, dhe se nga deputeti në Parlamentin Evropian, Xhambaski, paraprakisht gjithashtu ishin dhënë deklarata me pretendime territoriale ndaj Maqedonisë, ndërsa mosndëshkimi dhe mosndërmarrja asgjë nga ana e BE-së pas deklaratave të tilla, ka rezultuar me veprim stimulues të politikave negative bullgare, të cilat me siguri në të ardhmen do të jenë prezentë ende më shumë”, thonë nga “E Majta”.
Analisti politik Albert Musliu, thotë se nëse do të arrihet një marrëveshje midis Shkupit dhe Sofjes, nuk do të ketë asnjë pengesë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, ku do të fillojë hapja e atyre kapitujve negociues.Sipas Musliut, propozimi francez me gjasë mund të modifikohet me kërkesat e Maqedonisë.

Është realisht e mundur, nuk ka shumë çështje që nuk janë rënë dakord. Janë dy qëndrime, një që protokolli të mos jetë pjesë e kornizës së negociatave dhe i dyti është fillimi i negociatave pa përfunduar ndryshimet kushtetuese,” ka thënë Musliu.

Të fundit