E premte, 26 Korrik, 2024

PROPOZIMI FRANCEZ DHE PRITJET PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE

Janë ditë pritjesh se çfarë zhvillimesh do të ketë në kontestin Sofje-Shkup, ndërkohë që parlamenti bullgar ka votuar për propozimin francez. Kryeministri bullgar, Kiril Petkov ka theksuar se loja tashmë luhet në Maqedoninë e Veriut. “Ne me pranimin e propozimit francez kemi mbrojtur edhe interesat nacionale, por ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për vendimet e shteteve fqinje. Shkupi tashmë e ka në dorë të ardhmën e tyre”, ka thënë Petkov. Ndërkohë, Këshilli i Ambasadorëve në Maqedoninë e Veriut ka vlerësuar se çështjet identitare nuk duhet të jenë pjesë e kornizëz negociouese, ndërkohë që propozimin francez e kanë vlerësuar si document multilateral që jep baza shprese për fillimin e bisedimeve.

Shkruan: Enis Shaqiri

Këshilli i Ambasadorëve, lidhur me problematikën Maqedoni e Veriut- Bullgari, vlerëson se gjuha, çështjet historike, dhe protokolli nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese mes dy vendeve. Ky Këshill, kornizën negociuese franceze e ka vlersuar si një dokument multilateral, i cili jep baza shprese për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në sipas vërejtjeve të mëposhtme:

Protokolli bilateral i cili nuk është nënshkruar nga ana e përfaqësuesve maqedonas të komisionit të përbashkët por është adoptuar nga ana e Parlamentit bullgar nuk duhet të jetë në përfundimet e Këshillit evropian sepse do t’i mundësojnë Bullgarisë gjithnjë të thirret në pjesët kontroverse të këtij dokumenti. Këshilli edhe njëherë vlerëson se çështjet e historisë nuk duhet të jenë pjesë e Kornizës negociuese.”

Ndërkaq, sa i përket çështjes më të ndjeshme të gjuhës dhe identitetit, Bullgaria ngul këmbë në mosnjohjen e gjuhës maqedonase, ndërkohë që aktorët politikë kanë bërë të ditur se do ta refuzojnë një Kornizë të tillë negociuese.

Në propozimi francez thuhet se gjuha e përkthimit të akteve të BE-së është maqedonishtja, dhe kjo nuk mund të jetë lëndë për negocim.

Nga ana tjetër Kryeministri në largim Kiril Petkov, i cili sot pritet që të parashtrojë dorëheqjen, thotë se tani shteti fqinjë e ka fjalën.

Ne me pranimin e propozimit francez kemi mbrojtur edhe interesat nacionale, por ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për vendimet e shteteve fqinje. Shkupi tashmë e ka në dorë të ardhmën e tyre”, ka thënë Petkov

Petkov mes tjerash potencoi se tashmë loja luhet në Maqedoninë e Veriut dhe sipas tij përgjegjësia bie në shtetin fqinj pasi ata e kanë kryer detyrën.

Ndryshe, lidhur me propozimin francez, sipas një hulumtimi nga “Galup international” 59,9 përqind e bullgarëve mendojnë se “propozimi francez” nuk i merr parasysh interesat e bullgarëve, ndërsa 25 përqind e kanë vlerësuar se propozimi francez “në shkallë të mjaftueshme i ka parasysh interesat bullgare”.

Ndërsa për votimin e mosbesimit të Qeverisë bullgare të kryeministrit Kiril Petkov, 48,1 përqind e të anketuarve e kanë miratuar rrëzimin e Kabinetit qeveritar, ndërsa 50,5 përqind nuk pajtohen me vendimin e tillë të Kuvendit të Bullgarisë.

Kujtojmë se sot pritet të parashtrohet dorëheqja e qeverisë bullgare e kryesuar nga kryeministri Kiril Petkov, pasi javën e kaluar nuk arriti ta tejkalojë votimin për mosbesim. Që nga e premtja këtë e bëri të ditur Presidenti bullgar Rumen Radev, kur paralajmëroi se pret dorëheqjen e Petkovit.
Pasi kryeministri Petkov të parashtroj dorëheqjen, presidenti bullgar Rumen Radev do të konsultohet me grupet parlamentare në parlament dhe më pas do të japë një mandat për të formuar një qeveri të re. Sipas kushtetutës bullgare, Asambleja Kombëtare ka të drejtë të bëjë tre përpjekje për të formuar kabinetin qeveritar. Radev duhet t’i japë mandatin e tij të parë partisë “Vazhdojmë me ndryshimin” si grupi më i madh parlamentar në Parlamentin bullgar, i cili synon të rikandidojë Kiril Petkovin për kryeministër.

Të fundit