E shtunë, 27 Korrik, 2024

A JANË ZGJEDHJET BRENDAPARTIAKE “PRELUD” PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME?

Zgjedhjet e brendshme në partite politike zakonisht “paralajmërojnë” zgjedhje të parakohshme parlamentare. Së fundmi partitë kanë realizuar zgjedhje të brendshme nëpërmjet një procesi që vlerësohet të jetë demokratik. Profesori universitarë Latif Mustafa thotë që ripërtërimi i kuadrove nuk do të thotë domosdoshmërisht zgjedhje, por ai nuk  e përjashton mundësinë për zgjedhje të parakohshme në vend.  Sipas tij, akomodimi i aktivistëve politik për një kohë të gjatë brenda partisë dhe institucioneve publike është shenjë e stagnimit. Analisti politik Xhenur Iseni nuk beson që së shpejti të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend, pasi kjo, sipas tij, nuk i konvenon garniturës në pushtet. “Këto reformime janë sa për sy e faqe para opinionit, në fakt janë zgjedhur kryetarët e degëve nëpër oda”, thekson Iseni.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Partitë politike duket se në heshtje po bëjnë përgaditje të brendshme partiake për zgjedhje të reja. Së fundmi, ato kanë bërë disa ndryshime kadrovike. Në muajin shkurt LSDM ndryshoi kryetarin dhe kryesinë e saj. Më pas VMRO-DPMNE ndryshoi kryesinë dhe organet e tjera partiake. Edhe Aleanca për Shqiptarët, e cila mbajti kongresin e dytë, e konfirmoi liderin e deritanishëm si kryetar dhe vazhdoi me procesin e ndryshimeve të organeve tjera. Të njejtën iniciativë e morën edhe Lëvizja Besa dhe Alternativa dhe në fund  Bashkimi Demokratike për Integrim, e cila pati zgjedhje në 10 degët e saj, duke ndryshuar kryetarër e degëve, antarët e kryesive të degëve, kryetarë të këshillave vendor dhe antarë të kryesisë së këshillave vendor.

Profesori universitarë Latif Mustafa thotë që ripërtërimi i kuadrove nuk do të thotë domosdoshmërisht zgjedhje, por nuk e përjashton mundësinë për zgjedhje të parakohshme në vend.

“Ardhja e kuadrove të reja në strukturat kyçe partiake është një risi e mirëpritur. Akomodimi i aktivistëve politik për një kohë të gjatë brenda partisë dhe institucioneve publike është shenjë e stagnimit. Ripërtërirja e kuadrove nuk do të thotë domosdoshmërisht të ketë zgjedhje por megjithatë, partitë përgatiten. Nëse vazhdon praktika e bojkotimit të komisioneve parlamentare dhe protestat e vazhdueshme, tani edhe pas refuzimit për të të satën herë nga BE-ja, e gjithë kjo i hap rrugë zgjedhjeve të reja. Më keq se kaq nuk e di çfarë mund të bëhet. Gjendja është në patoz. Më e keqja do jetë vazhdimi i kësaj statuquo-je”, thotë profesor Mustafa.

Kurse analisti politik Xhenur Iseni nuk beson që së shpejti të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend, pasi kjo nuk i konvenon garniturës në pushtet.

“Këto reformime janë sa për sy e faqe para opinionit, në fakt janë zgjedhur kryetarët e degëve nëpër oda. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme për disa arsye. Së pari, pozita është e vetëdijshëm se nëse lejon zgjedhje të parakohshme mund të humbasë dhe të shpërbëhet. Nga ana tjetër, as amerikanët nuk do të lejojnë zgjedhje të reja. Brenda pak muajsh do të krijohet një zbrazëti e tmerrshme në të cilën jo vetëm kushton para në një kohë kur nuk ekziston, por do të ketë vetëm një cirk të panevojshëm që në fund nuk do të sjellë asnjë strukturë që mund të sjellë diçka spektakolare, të re dhe shpëtimtare”.

Përndryshe, opozita maqedonase vazhdimisht po bllokon Kuvendin, ndërsa paralajmërimet e tyre janë që do të bllokojnë komplet sistemin e shtetit, në rast se nuk caktohen zgjedhje të reja. Poashtu, në vend është rritur euroskepticizmi, pasi edhe Samiti në Bruksel kaloi pa epilog pozitiv për Maqedoninë e Veriut.

Të fundit