E shtunë, 27 Korrik, 2024

KUR UNT DO TË KETË KAMPUSIN UNIVERSITAR?

Shkruan: Gentuar Ismaili 

Universiteti “Nëna Terza”, edhe 7 vite pas themelimit të saj, ende nuk ka objekt të vetin. Studentët dhe stafi akademik e ai adminisrativ janë të ndarë në dy objekte, njëri në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” dhe tjetri tek objekti i “Sindikatave të lira të RMV-së”.

Nga pushteti ekzekutiv dhe ai i UNT-së thonë se objekti do jetë gati deri në përfundim të këtij viti akademik. Më tej kanë shtuar se janë kryer të gjitha procedurat juridiko-administrative në aspektin e miratimit të planit urbanistik dhe pranim-dorzimin e objekteve dhe hapjen e tenderit për rikonstruimin e objekteve të marra nga shteti.

“Ne jemi duke punuar që 5 hektarë tokë në kazermën e Ilindenit, jemi në procedurë për rikonstruimin e 3000 metrave katror. Shpresojmë që të ecë në dinamikën e duhur procedura e prokurimit dhe deri në fillim të vitit akademik, eventualisht me vonesa të pranueshme, një pjesë e mësimit të kalon në kampusin e ri”, ka njoftuar rektori Izet Zeqiri.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri shprehet se Qeveria dhe Ministria e Financave, ka ndarë edhe mjete financiare për objektin e universitetit.

“Unë si ministër, menjëherë që në fillim të detyrës e kam pasë anën procedurale juridike e kam vazhduar ta eci përpara. E dini që nga ana e Ministrisë së Financave dhe Qeverisë ka mjete të siguruara në buxhet dhe këto procedura administrative më i kemi tejkaluar të gjitha. Tash çështje e pritjes, kuptohet se janë procedura tjera, duhet universiteti të bëjë organizimin e tenderimeve, mjeteve, realizimin e punimeve”, bëri me dije ministri Shaqiri.

Toka e kazermës “Ilinden”, universitetit ju premtua që në vitin 2016. Ministrat dhe rektorët po ndërrohen, ndërsa UNT edhe pas 7 viteve premtime, ende nuk ka objekt.

Të fundit