E enjte, 12 Dhjetor, 2024

SHPRESË DHE SKEPTICIZËM PËR HEQJEN E VETOS

Ndërkohë që shtuar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut pët t’i hapur rrugë fillimit të negociatave me BE-në, analistët politikë shprehen skeptikë se një gjë e tillë mund të ndodh shpejt. Profesori dhe analisti nga Sofja, Anton Pançev për KDP, thekson se shumica e politikanëve bullgarë kanë dyshime se do të mjaftojnë garancitë personale nga ana e presidentit francez, Makron dhe nga kancelari gjerman Sholc. Sipas tij, faktori politik bullgar është plotësisht i bashkuar sa i përket kërkesave bullgare në raport me Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, analisti, Sefer Tahiri, shprehet skeptik për arritjen e një marrëveshjeje. Sipas tij, do të jetë shumë e vështirë, sepse bëhet fjalë për çështje të karakterit historik që prekin substancën etnokulturore.

Shkruan: Enis Shaqiri

Autoritetet më të larta politike të Maqedonisë së Veriut shpresojnë që në samitin e 24 qershorit të BE-së, Maqedonisë së Veriut t`i caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ka theksuar se pakoja Shkup-Tiranë ka mbetur e bllokuar për shkak të vetmit vend anëtar, Bullgarisë!
Osmani mes tjerash ka thënë se për çdo problem ka zgjidhje, mirëpo për marrëveshje të formalizuara dhe të nënshkruara nuk ka.

Unë nuk do të ndalem deri më 30 qershor, asnjë sekondë, për shkak se mendoj se ka hapësirë, mendoj se me pak vullnet politik ne që nesër mund ta mbyllim këtë çështje duke u bazuar në zgjidhjet që i kemi biseduar deri më tani gjatë këtyre takimeve të fundit. Elemente dhe zgjidhje për çdo problem ka, por marrëveshje të formalizuar, të nënshkruar nuk ka”, ka deklaruar Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Kujtojmë se kanë ngelur edhe 10 ditë deri tek samiti i ardhshëm i BE-së.

Zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, ka pasur takim me eurokomisarin për zgjerim, Oliver Varheji. Pjesë e këtij takimi ishin bisedimet për dialogun mes Shkupit dhe Sofjes.

Mariçiq pas takimit ka theksuar se nevojitet të shfrytëzohet maksimalisht koha për arritje të zgjidhjes evropiane mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, deri në samitin e BE-së, duke shtuar se përkushtimi i Francës për zhbllokim të procesit eurointegrues është i rëndësishëm.

Është e fuqishme mbështetja dhe përkushtimi i kryesimit francez për arritje të marrëveshjes dhe zhbllokimit të procesit tonë eurointegrues,” theksoi zëvendëskryeministri Mariçiq.

Nga ana tjetër profesori dhe analisti nga Sofja, Anton Pançev për KDPolitik.com, thekson se shumica e politikanëve bullgarë kanë dyshime se do të mjaftojnë garancitë personale nga ana e presidentit francez, Makron, dhe nga kancelari gjerman Sholc.

Shumica e politikanëve bullgarë kanë dyshime se do të mjaftojnë garancitë personale nga ana e presidentit francez, z. Makron, dhe nga kancelari gjerman, z. Sholc. Me tërë respektin ndaj këtyre liderëve evropianë, mandati i kufizuar i tyre nuk jep garanci afatgjata për realizimin e kërkesave bullgare. Prandaj, në Bullgari insistojmë për garanci të veçanta në kornizën negociuese ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, pra Brukseli zyrtar të bëhet garant në realizimin e të gjitha të drejtave të komuniteteve të ndryshme në Maqedoninë e Veriut,” thekson për KDP, Anton Pançev.

Mes tjerash Pançev, nënvizon se turbulencat politike aktuale në Bullgari nuk kanë të bëjnë me veton kundrejt Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, faktori politik bullgar është plotësisht i bashkuar sa i përket kërkesave bullgare në raport me Maqedoninë e Veriut.

Turbullimet politike në Bullgari nuk kanë lidhje me qëndrimin bullgar ndaj procesit të evrointegrimit të Maqedonisë së Veriut, sepse faktori politik bullgar është plotësisht i bashkuar sa i përket kërkesave bullgare – përfshirja e komunitetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe mbrojtja e të gjitha të drejtave të tij sipas akteve normative të shtetit maqedonas dhe akteve të BE-së, së bashku me respektimin e plotë të Traktatit tonë të miqësisë nga viti 2017. Në këto të drejta hyjnë edhe të gjitha aspektet e identitetit bullgar – librat mësimorë, trashëgimia kulturoro-historike, heqja e gjuhës së urrejtjes ndaj bullgarëve etj. Këto kërkesa u pranuan plotësisht nga institucionet e BE-së dhe nga shtetet anëtare, por ka paqartësi rreth garancive për përmbushjen e tyre nga autoritetet në Shkup,” thotë Pançev.

Ai shton se sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica dërrmuese e respondentëve mendon se Bullgaria ka bërë shumë lëshime ndaj Shkupit dhe nuk duhet të ketë më shumë bisedime, por autoritetet përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut thjesht duhet ta përmbushin Traktatin dhe të respektojnë të drejtat e komunitetit bullgar.

Nga ana tjetër, ka shumë gjasa se në Bullgari prapë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndoshta në vjeshtë. Në politikën e brendshme bullgare “çështja maqedonase” zë një vend të rëndësishëm dhe partitë po bëjnë “garë” cila prej tyre është më “patriotike”. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica dërrmuese e respondentëve mendon se Bullgaria ka bërë shumë lëshime ndaj Shkupit dhe nuk duhet të ketë më shumë bisedime, por autoritetet përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut thjesht duhet ta përmbushin Traktatin dhe të respektojnë të drejtat e komunitetit bullgar. Këto prirje qytetare do të ndikojnë edhe mbi platformat e partive politike në lidhje me këtë çështje”, ka theksuar për KDP, Anton Pançev.

 

Në ndërkohë, gazetari dhe analisti nga Maqedonia e Veriut, Sefer Tahiri, për KDP shprehet skeptik për arritjen e një marrëveshjeje. Sipas tij, do të jetë shumë e vështirë, sepse bëhet fjalë për çështje të karakterit historik që prekin substancën etnokulturore.

Mendoj se do të jetë shumë vështirë që pala maqedonaso – veriore dhe ajo bullgare të arrijnë marrëveshje, pasi bëhet fjalë për çështje të cilat janë të karakterit historik dhe prekin substancën etnokulturore të njërës nga palët dhe e cila nuk është në gjendje të pranojë se kombi dhe gjuha maqedonas janë konstituar pas vitit 1945! Këto përplasje dhe shikimi i ndryshëm i historisë e bën të paarritshëm kompromisin mes dy vendeve”, thekson Tahiri.

Të fundit