E shtunë, 27 Korrik, 2024

AHMETI PRET FLORIAN QEHAJËN, AMBASADOR I RI I KOSOVËS

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur  ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shkup, Florian Qehaja. KDP raporton se në qendër të vëmendjes së bisedimeve kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon. Kryetari Ahmeti me këtë rast, sikurse bëhet e ditur, duke uruar  ambasadorin Qehaja për marrjen e detyrës, ka shprehur bindjen se bashkëpunimi i mirë dhe efikas me Republikën e Kosovës do të vazhdojë me intensitet edhe më të madh. Projektet infrastrukturore gjithashtu ishin pjesë e bisedës gjatë këtij takimi, duke përfshirë punimet në autostradën Shkup – Bllacë, Korridorin 8, rrugën Tetovë – Prizren, si dhe projektet tjera të rëndësishme për lidhjen jo vetëm të Maqedonisë së Veriut me Kosovën, por të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Në njoftimin e shërbimit për informim të BDI-së thuhet po ashtu se Ahmeti dhe Qehaja kanë biseduar edhe për projektin One Stop Shop, i cili duhet të nis të zbatohet së shpejti dhe përmes të cilit do të hiqen barrierat kufitare me çka do të mundësohet qarkullimi i lirshëm i qytetarëve dhe mallrave. Njëkohësisht, bëhet e ditur se kryetari Ahmeti i ka thënë ambasadorit Qehaja se Maqedonia e Veriut ka dhe do të vazhdojë të mbajë qëndrim afirmues deri në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat rajonale dhe europiane. Nga ana e tij, ambasadori Qehaja ka përcjellë vlerësimet e shtetit të Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe efikas ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në sfera të ndryshme e me interes të përbashkët. Qehaja gjithashtu ka falënderuar Ahmetin dhe Bashkimin Demokratik për Integrim për angazhimin sistematik që i japin institucioneve të  Kosovës drejt aspiratave euroatlantike dhe për gatishmërinë që të përcjellin përvojat në këtë plan.

 

 

Të fundit