E premte, 26 Korrik, 2024

“BREZA GRASH”, NJË PSALM DASHURIE PËR ZËRIN E GRAVE NDËR BREZNI

Adelina Xhaferi, hapëroi në botën e letërsisë që në vitin 2020, me larmi motivesh në llojin e haikut, ndërsa botimin e librit të dytë “Breza grash” ka vendosur t‘ia dedikojë kryekëput figurës së gruas dhe sidomos gruas shqiptare dhe përjetimit e ndjesive më të thella që ajo njeh.

Shkruan: Fatjona Abdullahi

Ditëlindjen e saj të 25-të, Adelina Xhaferi e shënoi me botimin e librit të dytë me poezi të titulluar “Breza grash”.

Për autoren, letërsia nuk është vetëm pasion por edhe profesion të cilin e ushtron me shumë përkushtim, ndaj dhe lexuesit kanë mundësinë që në duart e veta të kenë një libër të ri që ia vlen të lexohet.

Adelina Xhaferi, hapëroi në skenën e letërsisë që në vitin 2020, me larmi motivesh në llojin e haikut, ndërsa botimin e librit të dytë ka vendosur t‘ia dedikojë kryekëput figurës së gruas dhe sidomos gruas shqiptare dhe përjetimit e ndjesive më të thella që ajo njeh.

“Vargjet që rrjedhin brenda librit janë UNË, janë për MU’ dhe PËR TË, arratisur atje tek AI fshihet nga duart e ftohta dhe për NE (brezat e grave rënduar përnatë me dhimbje përmbi gjinj) çdo natë bashkë i themi psalmet e dashurisë. Ky libër është UNË. Më shumë se kaq nuk guxon të flasë asgjë. Më tako mes faqesh!” Kështu shprehet poetja për krijimet e saj, e vënë përballë “detyrës” që e sfidon të jetë zëri i grave ndër brezni…

Për të dalë në dritën e botimit, ajo ka zgjedhur të bashkëpunojë me profesoreshën universitare Vjollcë Berisha e cila ka bërë redaktimin e veprës, lektura është bërë nga Valdeta Dulahi, Besnik Emini është kujdesur për radhitjen teknike ndërsa kopertina e librit është dizajnuar nga Aida Sinani.

Një libër që, siç thotë autorja, u ngjiz në kohë pandemie, e pa dritën e botimit në fillimverën postpandemike kur lexuesit i duhet një frymë e re dhe një perspektivë ndryshe nga tymnaja e frikës dhe dyshimit që zgjati jo pak…

Ne i urojmë shumë suksese Adelinës dhe një varg me botime të reja!

Të fundit