E shtunë, 27 Korrik, 2024

ANGAZHIME DHE SHPRESË PËR FILLIMIN E NEGOCIATAVE

Përderisa në Bullgarinë fqinje vazhdon drama e një krize qeveritare, që ndërlidhet edhe me kontestin me Maqedoninë e Veriut, lëvizje të shumta diplomatike po kërkojnë ndërkohë një zhbllokim të procesit integrues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Së fundmi edhe Holanda ta treguar protagonizëm në drejtim të hapjes së negociatave, ndërkohë që ish presidenti kroat, Mesiç, në një paraqitje të tij ka theksuar se do duhej të hiqet vetoja bullgare. Gjithë lëvizjet japin shpresë për një zhbllokim të situatës, ndërkohë që më 24 qershor pritet në Bruksel të mbahet Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor.

 Shkruan: Enis Shaqiri

27 shtetet anëtare të BE-së, më 24 qershor, në Bruksel, do të zhvillojnë konferencën e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e Presidentit të Këshillit Evropian dhe të Komisionit Evropian, pritet që fokusin e bisedimeve ta zhvendosin në tre fusha siç janë energjia, rinia dhe siguria.

Bazuar në informacione të kufizuara nga burimet diplomatike, çështja prioritare për liderët ballkanikë do të jetë edhe  përshpejtimi i procesit të zgjerimit me hapjen e kapitujve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, Bullgaria ende po e bllokon miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave për aderim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Presidenti bullgar Rumen Radev kërkon që vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut në Bruksel të mbetet ende në fuqi të paktën deri në formimin e shumicës së re parlamentare në Sofje.

Nga ana tjetër deputeti i partisë politike bullgare “Vazhdojmë ndryshimin” Atanas Mihnev në një deklaratë për mediat vendase tha se “po shkojmë drejt sigurimit të shumicës absolute në Parlament”. Ai ka theksuar se është duke biseduar me deputetë “me një motivim real për ndryshimin e Bullgarisë, dhe për të mbështetur qeverinë aktuale.”

Stjepan Mesiç, ish president i Kroacisë, beson se vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut në rrugën drejtë BE-së do të largohet.

“Është çështje e diplomacisë, është një çështje që do të zgjidhet, dhe nuk guxon të jetë një çështje që do të ndalojë hyrjen e Maqedonisë së Veriut në integrimet euroatlantike”, ka thënë Mesiç.

Gjermania, Sllovakia dhe një numër vendesh të tjera si dhe së fundmi edhe Holanda që tashmë mbështet kandidaturat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, kanë këmbëngulur që Bullgaria të heqë veton e saj për Maqedoninë e Veriut, e cila po e mbanë peng edhe Shqipërinë.

Ndryshe, qeveria holandeze në vitin 2019 bllokoi fillimin e negociatave së bashku me Francën dhe Danimarkën me të vetmen arsye se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të “dobësonin të gjithë Bashkimin Evropian”, duke treguar për korrupsionin dhe mungesën e lirisë së mediave.  Ndërkohë mësohet se kryeministri holandez Mark Rute si dhe partitë e koalicionit në Dhomën e përfaqësuesve në Holandë tani po bëjnë presion që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fillojnë procesin e negociatave,

Ndërkohë me 24 qershor, presidenti i Francës Emmanuel Macron pritet t’u prezantojë liderëve të BE-së propozimin e tij për një “Komunitet Politik Evropian”, të cilin ai e njoftoi në një fjalim më 9 maj.

Ky komunitet ”Komunitetin politik Evropian” tashmë është miratuar edhe nga kreu i Këshillit Evropian. Sipas njoftimit, përveç vendeve të BE-së, në komunitetin e ri do të përfshihen edhe vendet kandidate, si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria si dhe Britania e Madhe, e cila e braktisi BE-në në vitin 2020.

Macron që atëherë ka sqaruar se propozimi nuk synon të jetë një mekanizëm  zëvendësues për anëtarësimin në BE të vendeve kandidate aktuale.

Të fundit