E martë, 28 Maj, 2024

Shkupi mbron vendimin për avionin e Lavrovit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut të hënën ka mbrojtur vendimin për refuzimin e kërkesës së Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për në Beograd.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka deklaruar të hënën se Maqedonia e Veriut është shtet anëtar i NATO-s dhe çdo vendim që merret nga Aleanca është edhe vendim i Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi shtet anëtar i NATO-s, që do të thotë se vendimet që merren në NATO janë edhe vendimet tona. Ne kemi një politikë të jashtme plotësisht të harmonizuar me politikën e Bashkimit Evropian. Pra, sa i përket fluturimit specifik, nuk ka asnjë trajtim tjetër. Vendimi që tashmë është marrë, mbetet në fuqi”, ka deklaruar Kovaçevski.

Pos Maqedonisë së Veriut, fluturimin e avionit të Lavrovit nëpër hapësirat e tyre ajrore e kanë ndaluar edhe Mali i Zi dhe Bullgaria.

Lavrov, të hënën, ka thënë se anulimi i vizitës së tij në Serbi, ka qenë i pashembullt.

“Nëse vizita e ministrit të Jashtëm rus në Serbi, shihet nga Perëndimi si kërcënim në shkallë universale, atëherë gjërat në Perëndim janë qartazi shumë keq”.

Ndërkaq, Muhamed Halili, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, me këtë vendim Shkupi ka konfirmuar përkushtimin për t’u rreshtuar në anën e BE-së dhe të SHBA-së.

“Dikush mund të thotë se ku e mori guximin? Guximi është në qëndrimin dhe forcën e përbashkët. Kjo është meritë e asaj që Maqedonia e Veriut është pjesë e NATO-s dhe dihet se kontrolli i hapësirës ajrore me vendim të NATO-s bëhet nga forcat ajrore të Greqisë”, ka vlerësuar Halili.

Kërkesa e Ambasadës ruse ishte bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt kishte vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt.

Maqedonia e Veriut e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë duke i dhënë mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij vendi.

Më 28 mars, Maqedonia e Veriut kishte dëbuar pesë diplomatë rusë, ndërsa më 15 prill edhe gjashtë të tjerë për shkak të dyshimeve në veprimtarinë e tyre, respektivisht se kryenin aktivitete që ishin në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut do të ketë pasoja nga Rusia lidhur me vendimin e fundit për ndalimin e hapësirës ajrore për avionin e shefit të diplomacisë ruse, Lavrov, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Muhamed Halili ka theksuar se Shkupi veçse është në listën e shteteve armike të Rusisë.

Por, ai nuk beson se pasojat do të jenë të mëdha pasi edhe ekonomikisht nuk ka qenë shumë e varur nga Rusia.

“Rusia është hakmarrë deri më tani pasi Maqedoninë e Veriut e ka futur në grupin e shteteve armike. Rusia e di se forca e vendit tonë për të bërë ndonjë bllokadë apo për të dëmtuar ekonominë ruse është e vogël, sepse ne më shumë varemi prej eksporti se sa prej importit. Varemi nga gazi, por është një vendim i BE-së që duhet ta respektojmë”.

“Sidoqoftë, Maqedonia e Veriut zgjidhje tjetër nuk ka, ose të ecë rrugës, të cilën e ka përcaktuar, të dënojë agresionin rus në Ukrainë, ose të shitet, siç kanë bërë disa vende, madje edhe të BE-së që shiten për interesa vetanake ekonomike. Maqedonia e Veriut e ka zgjedhur rrugën e bashkëpunimit dhe partneriteti strategjik me SHBA-në dhe synon të bëhet anëtare e BE-së, prandaj dilema nuk ka”, ka thënë Halili.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, Maqedonia e Veriut, në periudhën janar – mars 2022, në Rusi ka eksportuar mallra në vlerë rreth dy milionë dollarë, ndërsa ka importuar mallra në vlerën rreth tre milionë dollarë.

Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve në vitin 2021 ka qenë 233,5 milionë dollarë amerikanë.

Të fundit