E premte, 26 Korrik, 2024

Lavrov: Anulimi i vizitës në Serbi, i pashembullt

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë të hënën se anulimi i vizitës së tij në Serbi, ka qenë i pashembullt.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media, pasi vendet afër Serbisë – Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin që planifikohej të dërgonte kryediplomatin rus të hënën në Beograd.

“Nëse vizita e ministrit të Jashtëm rus në Serbi, shihet nga Perëndimi si kërcënim në shkallë universale, atëherë gjërat në Perëndim janë qartazi shumë keq”.

Lavrov ka thënë se homologu i tij serb, Nikolla Sellakoviq është ftuar në Moskë, dhe shpreson që udhëtimi i tij nuk do të pengohet.

“Gjëja kryesore se është askush nuk do të mund të shkatërrojë lidhjet tona me Serbinë”.

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vullin, ka thënë se i vjen shumë keq për pengesën në vizitën e Lavrovit, të cilin e ka përshkruar “mik të mrekullueshëm dhe të dëshmuar të Serbisë”.

“Një botë në të cilën diplomatët nuk mund të arrijnë paqe, është botë në të cilën nuk ka paqe. Ata që parandaluan arritjen e Sergei Lavrovit, nuk duan paqe, ata ëndërrojnë të mposhtin Rusinë”, ka thënë Vullin përmes një deklarate.

“Serbia është krenare që nuk është pjesë e histerisë anti-ruse, ndërsa shtetet që janë pjesë, do të kenë kohë për t’u turpëruar”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka konsideruar vendimin “një tjetër kanal të mbyllur të komunikimit”.

Kremlini ka thënë të hënën se mbyllja e hapësirës ajrore ka qenë “veprim armiqësor”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se një veprim i tillë mund të ndryshojë orarin e takimeve të nivelit të lartë diplomatik.

Megjithatë, Peskov ka thënë se kjo gjë nuk do ta pengojë Moskën nga mbajtja e kontakteve me shtetet mike.

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë të dielën se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka thënë më 6 qershor se mbron vendimin për refuzimin e kërkesës së Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se Maqedonia e Veriut është shtet anëtar i NATO-së dhe çdo vendim që merret nga Aleanca është edhe vendim i Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi shtet anëtar i NATO-s, që do të thotë se vendimet që merren në NATO janë edhe vendimet tona. Ne kemi një politikë të jashtme plotësisht të harmonizuar me politikën e Bashkimit Evropian. Pra, sa i përket fluturimit specifik, nuk ka asnjë trajtim tjetër. Vendimi që tashmë është marrë mbetet në fuqi”, ka thënë Kovaçevski.

Presidenca e Serbisë ka bërë të ditur se në vend të takimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me Lavrovin, lideri serb do të takohet të hënën me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko.

Serbia, vend që ka lidhje të ngushta kulturore me Rusinë, e ka përballuar presionin për të marrë qëndrimin për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.

Serbia është krejtësisht e varur nga nafta dhe gazi rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar muajin e kaluar që Rusia të vazhdojë të dërgojë gaz natyror në Serbi, derisa disa shteteve u është bllokuar furnizimi për shkak se kanë refuzuar të paguajnë në rubla ruse.

Të fundit