E premte, 26 Korrik, 2024

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT NË SHQIPËRI: MAJLINDA BREGU – FAVORITE

Majlinda Bregu është kandidatura favorite e shumicës së majtë për të qenë në krye të shtetit. Sikurse transmeton KDP, burime pranë grupit parlamentar të PS-së thanë për gazetën “Shekulli” se zonja Bregu është kandidatura më me peshë, që do të marrë shumicën e votave, jo vetëm të grupit socialist, por edhe deputetëve të PD-së, që janë përçarë në tre grupime të vogla si dhe votat e aleatëve të opozitës.

Zonja Bregu përmbush të ashtuquajturat “kushte” që kishte vënë shumica e majtë me në krye zotin Rama, për të mos qenë pjesë e Kuvendit, të jetë femër dhe të jetë një figurë që ka përkrahjen e shumicës së deputetëve. Zonja Bregu prej vitit 2018 është Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), pas propozimit dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe z.Rama, sipas burimeve pranë grupit parlamentar të PS-së, e ka vlerësuar maksimalisht qëndrimin e saj pro “Open Balkan”, ku janë përfshirë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Kandidaturën e zonjës Bregu e mbështeti mbrëmë edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kur deklaroi se ndjen keqardhje që opozita nuk propozoi emrin e Majlinda Bregut për presidente. Balla nuk komentoi nëse e përjashton mundësinë e kandidimit të Bregut nga vetë PS, por shprehu vlerësim për figurën e saj. “Kam vlerësim tejet pozitiv me znj. Bregu. Më vjen shumë keq që opozita nuk e propozoi znj. Bregu”, deklaroi Balla. Drejtuesi i grupit parlamentar socialist tha se do ta votonte Ardian Dvoranin për President nëse do ta miratonte kryesia e PS. I pyetur nëse emri i Bregut dhe Dvoranit janë në listën e emrave që do të diskutohen të shtunën në Kryesinë e PS-së, ai nuk e mohoi këtë.

Majlinda Bregu (19 maj 1974) u diplomua në shkencat shoqërore në Universitetin e Tiranës. Për disa vite punoi si pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe është doktoruar në Universitetin e Urbinos në Itali.

Karrierën politike e nisi si koordinatore e Politikave Sociale në Komitetin Politik të Orientimit (KOP) të Partisë Demokratike të Shqipërisë në janar 2004. Më pas në prill të vitit 2004 ajo u bë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërise. Në vitin 2005 u zgjodh deputete e Partisë Demokratike dhe në vitin 2007 u emërua Ministre e Integrimit dhe Zëdhënëse e Qeverisë në kabinetin e drejtuar nga Sali Berisha, post që e ushtroi deri në vitin 2013. Në prill 2018 u votua nga 13 vendet e Europës Juglindore si Serkretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Kuvendi i Shqipërisë vendosi dy ditë më parë që raundi i katërt për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit të mbahet më 4 qershor, ndërkohë tre raundet e para u ezauruar pa kandidatura. Ndërkohë, deri tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë, dhe afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave është data 4 qershor. Raundi i parë, i dytë dhe i tretë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë u ezauruan më 16, 23 dhe 30 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh dhe në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (71 vota).

Të fundit