E shtunë, 27 Korrik, 2024

TAKIMI I OSMANIT ME BLINKENIN NXIT REAGIME NË KOSOVË

Takimi që shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani e pati me sekretarin e shtetit amerikan, Anthony Blinken, ka shkaktuar debate midis pozitës dhe opozitës në Kosovë, raporton KDP. Ky debat lidhet me vizitën e para disa ditëve të kryeministrit Albin Kurti, e cila edhe pse zgjati tri javë, nuk u shënua me takime të nivelit të lartë, si për shembull me Blinkenin.

Ish-kryeministri nga radhët e LDK, Abdullah Hoti, i cili në vitin 2019 nënshkroi Marrëveshjen e Washingtonit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në zyrën e presidentit amerikan, i ka treguar Kurtit se çka do të thotë vizitë në SHBA.

“Kjo është arritje, ky është takim. Përgëzime Ministrit të Jashtëm te Maqedonisë se Veriut, Bujar Osmanit, për negocimin e partneritetit strategjik me ShBA”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, delegacioni i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga Osmani, sot në Washington kanë filluar Dialogun Strategjik me SHBA, që shënon fillimin e një faze të re në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Nder i veçantë takimi i sotshëm me Sekretarin Shtetëror të SHBA-së, Antony Blinken.

Falënderim i veçantë për Dialogun e shkëlqyer Strategjik, që po zhvillohet sot në Uashington nën patronazhin e Stejt Departamentit

Partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve hy në një fazë të re, më dinamike, të miqësisë, ndërkaq raportet bilaterale vendosen në një kornizë të re, më precize për zhvillimin e tyre të mëtejmë.

SHBA-të mbështesin pa mëdyshje integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut si një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit.

Si aleatë të NATO-s i ndajmë principet dhe vlerat bashkëkohore demokratike dhe e dënojmë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës“, ka shkruar Osmani në Facebook.

 

Të fundit