E premte, 26 Korrik, 2024

NISMA PREMTUESE E PRESIDENTIT MAKRON, A DO TË KETË NJË ZGJIDHJE PËR KONTESTIN SHKUP-SOFJE

Duket se tashmë ka një impenjim më të madh ndërkombëtar për t’i dhënë zgjidhje kontestit mes Shkupit dhe Sofjes. Bëhet e ditur se presidenti francez, Emanuel Makron ka ftuar në Paris, presidentin dhe kryeministrin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe Kiril Petkov. Analisti, Selim Ibrahimi thotë se nisma franceze vjen pas asaj amerikane, e cila vazhdon të mbështesë të dyja palët dhe pa ndonjë presion. Sipas tij, nisma në Uashington ka gjasa reale ta ndihmojë këtë të fundit, pra nismën franceze, e cila duket serioze dhe mund t’i japë fund kontestit ose çështja të rrumbullaksohet deri në vjeshtë. Ibrahimi thotë se zgjedhja e nyjës në mes dy vendeve kërkon një diplomaci serioze, e cila nuk do të jetë në funksion të një aleance të re ruso-gjermano-franceze, por e mbështetur nga ajo euro-amerikane


Shkruan: Enis Shaqiri

Presidenti francez, Emanuel Makron ka ftuar në Paris, presidentin dhe kryeministrin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe Kiril Petkov. Bëhet e ditur se arsyeja e këtij takimi është heqja e vetos bullgare për nisjen e negociatave aderuese të RMV-së me BE-në.

Plani i Makronit, sipas burimeve të BGNES është që të gjendet një zgjidhje para takimit të KOREPER, ku marrin pjesë përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, që përgatisin takimit e Këshillit Evropian në nivel ministrash.

Ndërkaq, Kryeministri bullgar Kiril Petkov, në një deklaratë për mediat bullgare në Bruksel, ku qëndron për samitin e BE-së, tha se nuk ka hapa real për zgjidhjen e kontestit Shkup – Sofje. Në lidhje me ftesën nga Parisi zyrtar, Petkov, nuk e ka konfirmuar, mirëpo as nuk e ka demantuar informacionin se do të shkojë në Paris para përfundimit të udhëheqjes së Francës me BE-në.

Nuk mund të konfirmojmë se ka hapa realë. Konfirmojmë një gjë, që duhet të shmanget çdo keqpërdorim i temës. Për çdo gjë që merren vesh diplomatët, ne do të duhet ta kalojmë në Kuvend. Pra, Kuvendi është zgjidhja e fundit, nuk do të ketë asgjë të fshehur për popullin bullgar dhe ne të gjithë do të kemi një vizion të përbashkët”, tha Petkov.

I pyetur nëse pret që kontesti të ketë avancim dhe përparim real në ndonjë mënyrë, siç kërkon presidenti francez Emmanuel Macron, Petkov shtoi se gjithçka varet nga Evropa se sa do t’i pranonte kushtet që janë shumë të rëndësishme për Bullgarinë, kundrejt Maqedonisë së Veriut.
Analisti politik, Selim Ibraimi thekon për KDP se vizita në Manastir e delegacionit bullgar çorientoi Shkupin nga dinamika e bisedimeve dhe si pasojë e kësaj, komisioni ndërshtetërorë deri më tani nuk ka pasur përparim në çështjen mes Shkupit dhe Sofjes.
Ibrahimi nënvizon se nisma franceze vjen pas asaj amerikane, e cila vazhdon të mbështesë të dyja palët dhe pa ndonjë presion. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me shumë gjasë do ta ndihmojnë nismën franceze, e cila mund t`i japë fund kontestit.

“Deri tani nga komisioni ndërshtetërorë nuk ka pasur përparim në çështjen e re në mes Shkupit dhe Sofjes. Vizita në Manastir e delegacionit bullgar ishte si shkas që Shkupi zyrtarë të defokusohet nga dinamika e bisedimeve për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme. Nisma franceze vjen pas asaj amerikane e cila vazhdon të mbështesë të dyja palët dhe pa ndonjë presion. Nisma në Uashington ka gjasa reale ta ndihmojë këtë të fundit, pra nismën franceze, e cila duket serioze dhe mund t’i japë fund kontestit ose çështja mund të rrumbullaksohet deri në vjeshtë.” thekson për KDP, Ibraimi

Sipas Ibraimit, zgjedhja e nyjës në mes dy vendeve kërkon një diplomaci serioze, e cila nuk do të jetë në funksion të një aleance të re ruso-gjermano-franceze, por e mbështetur nga ajo euro-amerikane.

“Një indikatorë tjetër që mund të interpretohet është nevoja e Francës për t’u paraqitur aktor i rëndësishëm jo vetëm europian, por edhe global në kuadër të luftës në Ukrainë dhe krizës së re europiane. Zgjedhja e nyjës në mes dy vendeve kërkon një diplomaci serioze, e cila nuk do të jetë në funksion të një aleance të re ruso-gjermano-franceze. Problemi duhet të këtë zgjidhje apo mbështetje euro-amerikane. Dhe padyshim në pajtim me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të 2017-ës”, thotë analisti Ibraimi.

Kujtojmë se sipas medias bullgare “BGNES”, në seancën e së premtes të Këshillit bullgar për siguri, ku është biseduar për RMV-në, një përfaqësues i Qeverisë ka thënë se Sofja ka marrë premtime nga Parisi se të gjitha kërkesat bullgare do të përfshihen në kornizën negociuese dhe se zbatimin e tyre do ta garantojë personalisht presidenti Makron.
Pra plani i Makronit përmban propozime që nuk janë tërësisht të qarta dhe nuk është e sigurt nëse Komisioni Evropian mund të jep garanca për zbatimin e tyre në të ardhmen.

Takimi i Këshillit Evropian është më 23 dhe 24 qershor, kur paralelisht do të mbahet edhe takimi i BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Të fundit