E shtunë, 27 Korrik, 2024

“COFFEE TALKS”, HAPËSIRA JOFORMALE E DEBATIT TË RELAKSUAR

Qëllimi kryesor i Coffee Talks është të organizojë diskutime joformale mbi tema me interes për komunitetin në baza mujore në mënyrë që të ofrojë një hapësirë ​​shkëmbimi të ideve, mendimeve dhe pozicioneve ndërmjet panelistëve dhe audiencës, si dhe mundësitë e të mësuarit për tema të ndryshme në një ambient të relaksuar ku çdo kush mund të ndihet vetvetja. Ndërkohë,  biseda e radhës ka qenë në temën “Mirëqenia mendore dhe fizike: strategjitë, politikat dhe programet për prioritizimin e shëndetit të grave”, ndërsa është organizuar nga Liberal Alternative Institute – LAI së bashku me Hapësirën Socio-kulturore Tetova (Social Cultural Space Tetova)

Shkruan: Valmisa Novi

Liberal Alternative Institute – LAI së bashku me Hapësirën Socio-kulturore Tetova (Social Cultural Space Tetova) kanë ndërmarrë një iniciativë të përbashkët të quajtur #CoffeeTalks, ku për çdo muaj organizojnë takime me tematika relevante diskutimi për audiencën e gjerë në Tetovë dhe të rinjtë në veçanti. #CoffeeTalks është një nismë që lindi nga projekti “Brave”, projekt ky në kuadër të nismës “Të rinjtë kundër gjuhës së urrejtjes” të organizatës joqeveritare Liberal Alternative Institute.

Qëllimi kryesor i Coffee Talks është të organizojë diskutime joformale mbi tema me interes për komunitetin në baza mujore në mënyrë që të ofrojë një hapësirë ​​shkëmbimi të ideve, mendimeve dhe pozicioneve ndërmjet panelistëve dhe audiencës, si dhe mundësitë e të mësuarit për tema të ndryshme në një ambient të relaksuar ku çdo kush mund të ndihet vetvetja.

Ditën e sotme u organizua biseda e radhës me temë: “Mirëqenia mendore dhe fizike: Strategjitë, politikat dhe programet për prioritizimin e shëndetit të grave”, duke synuar që diskutimi i kësaj teme shpesh të konsideruar si tabu, do të shërbejë në thyerjen e stigmës që ndërlidhet me shëndetin mendor në përgjithësi dhe shëndetin e grave në veçanti. Nën moderimin e Arijana Ibrahimit, folëset pjesëmarrëse për të ndarë mendimin e tyre rreth kësaj teme ishin: Luljeta Mulaki, gjinekologe dhe Obstetër rezidente, Nebahat Imeri, psikologe klinike dhe këshilltare Gestalt si dhe Iva Nasufi gazetare dhe e diplomuar në drejtësi.

Këto takime të përmuajshme organizohen në javën e fundit të çdo muaji dhe tematikat zgjidhen në bazë të kërkesave të parashtruara, të cilat mund të përshtaten dhe me tematikën kryesore të një muaji të caktuar. Gjatë takimeve të organizuara në muajt e mëparshëm janë trajtuar tema si: “Roli i edukatorëve në shëndetin mendor të të rinjve gjatë pandemisë”, “Lëvizja për të Drejtat e Gruas: Liritë, Zgjedhjet dhe ‘dora jo aq e fshehur’ e Patriarkatit”, e cila ishte tematika e muajit mars, i njohur ndryshe edhe si muaji i grave, si dhe “Rikthimi i hapësirave publike: Ripërdorimi dhe përshtatja e hapësirave publike të braktisura”. Përveç folësve qendror, të cilët janë njohës të mirë të tematikës së trajtuar,  përfaqësues të komunitetit dhe aktivistëve qytetarë, këto takime janë të hapura për këdo, për të rinjtë entuziastë e kurioz, për ata që e shijojnë një kafe me shoqërinë dhe që duan të marrin pjesë në një bisedë konstruktive dhe mirëinformuese, gjithkush është i mirëpritur për kafe dhe bisedë.

Për të rinjtë që e kanë të pamundur të jenë fizikisht në hapësirat e Space Tetova, këto #CoffeeTalks mund të ndiqen në livestream në Facebook si dhe në Radio Tetova. Iniciativa është për t’u përgëzuar jo vetëm për realizimin e takimeve kaq të nevojshme mes të rinjve por edhe për faktin se pas këtyre organizimeve qëndron puna vullnetare dhe e palodhur e anëtarëve të organizatës LAI dhe komunitetit të Social Cultural Space Tetova.

Të fundit