E premte, 26 Korrik, 2024

SKEPTICIZËM PËR FILLIMIN E BISEDIMEVE, NË SKENË EDHE “LOJTAR TË VJETËR” POLITIK

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut me gjysmë zëri me sa duket po paralajmërojnë se në qershor nuk do të ketë fillim të negociatave me BE-në. Ndërkohë që në Bullgarinë fqinje po bëhen përpjekje për ta diskutuar çështje e vetos në nivele më të larta, me gjasë ajo do të diskutohet vetëm në nivel koalicioni qeveritar, ku tre nga katër partnerët janë kundër heqjes së vetos. Opozita iu ka bërë thirrje vendeve të BE-së që të bashkohen, siç theksojnë, ndaj agresionit politik të Bullgarisë ndaj Maqedonisë. Ndërkohë në skenë është shfaqur ish kryeministri dhe ish lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i cili e ka kritikuar marrëveshjen me Bullgarinë fqinje.

Shkruan: Enis Shaqiri

Katër partitë e koalicionit në pushtet në Bullgari pritet të debatojnë për pozicionin e vendit në raport me negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe veton që Sofja e ka vendosur në rrugën e saj evropiane.

Kryeministri Kiril Petkov ka propozuar që kjo temë të debatohet në nivelin më të lartë, në Këshillin për Siguri Kombëtare, por pasi Presidenti i shtetit e ka injoruar thirrjen e tij, çështjen do ta vendosë para partive të kabinetit të tij. Tre nga katër partnerët janë kundër heqjes së vetos për Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut, edhe përfaqësuesit e pushtetit edhe ata të opozitës nuk dëshirojnë të lidhen për një datë të caktuar për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se fillimi i bisedimeve varet nga çështja e hapur me Bullgarinë dhe vendimi i 27 vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se në asnjë moment nuk është lidhur me datën.

Unë në asnjë moment nuk jam lidhur me datën për fillimin e negociatave, sepse ajo datë për fillimin e bisedimeve nuk varet nga njëra palë, gjegjësisht nga ne, por varet nga dy palë pasi që kemi një çështje të hapur politike me Republikën e Bullgarisë, e cila ka vendosur veto për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe normalisht varet nga vendimi i BE-së, gjegjësisht nga të gjitha 27 vendet anëtare. Kështu që funksionimi dhe puna e një Qeverie nuk mund të lidhet me një datë. Akoma nuk ka dokument të pranueshëm për të dyja palët dhe e cila mund të jetë bazë për fillimin e negociatave”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ndryshe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka bërë thirrje deri tek përfaqësuesit e Brukselit që të mblidhen të gjithë së bashku sikurse ndaj agresionit rus në Ukrainë, ashtu edhe ndaj, siç tha ai, agresionit politik që Bullgaria ushtron ndaj Maqedonisë së Veriut

Vetëm do ta drejtoj porosinë time ndaj njerëzve në Bruksel që të bëjnë presionin e nevojshëm ndaj Qeverisë në Sofje, njësoj siç janë bashkuar rreth agresionit rus në Ukrainë, të bashkohemi ndaj agresionit politik të Bullgarisë ndaj Maqedonisë, të bëjnë presion dhe më në fund Maqedonia t’i fillojë bisedimet me BE-në për anëtarësim të plotë“,  tha Mickoski.

Nga ana tjetër ish-presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut,  Branko Cërvenkovski thotë se marrëveshja me Bullgarinë, jo vetëm që nuk mbylli asnjë çështje, por përkundrazi, hapi kutinë e Pandorës dhe krijoi bazën për një sërë kërkesash të Bullgarisë, të cilat depërtojnë në atë masë në identitetin dhe historinë tonë kombëtare.

Marrëdhëniet me Greqinë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës janë pakrahasueshme më të mira se para marrëveshjes. Përkundrazi, marrëdhëniet me Bullgarinë janë pakrahasueshme më të këqija pas nënshkrimit të marrëveshjes sesa para nënshkrimit të marrëveshjes. Ose të jesh i drejtpërdrejtë. Nënshkrimi i një marrëveshjeje miqësie dhe bashkëpunimi me Bullgarinë me përmbajtje të tillë, veçanërisht formulimi i një ‘historie të përbashkët’ dhe formimi i një komisioni historik të përzier me mandat për të arbitruar ngjarjet dhe personalitetet historike, ishte një gabim i madh,” ka theksuar Crvenkovski.

Ai vlerëson dhe beson se opinioni maqedonas dhe shoqëria maqedonase në tërësi duhet të jenë të përgatitur, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, se bllokada nga Bullgaria mund të zgjasë shumë dhe se për këtë arsye nuk do të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian.

Sigurisht, kjo nuk është mirë për Maqedoninë, por nuk duhet të përjetohet si një tragjedi kombëtare që do të na paralizojë. Përkundrazi, duhet të jetë një nxitje për ne që të fillojmë t’i rregullojmë gjërat më seriozisht dhe me përgjegjësi në shtëpi. Procesi i negociatave është po aq i rëndësishëm, nëse jo edhe më i rëndësishëm se vetë akti i anëtarësimit të plotë në BE, sepse në 30 vitet e fundit të pavarësisë së Maqedonisë është treguar se, për fat të keq, nuk ka mjaftueshëm vullnet të fortë politik (që do të thotë pa kapacitet, jo potencial, por vullnet) për të kryer ndonjë reformë thelbësore nëse nuk ka nxitje ose presion nga jashtë,” ka thënë ish-presidenti i Republikës së Maqedonisë së atëhershme,  Branko Cërvenkovski.

Ndryshe, për negociatat me Shkupin dhe për presionet ndërkombëtare që Sofja ta heqë veton, Kiril Petkovi sonte do të debatojë me tre partnerët e koalicionit në Qeveri.

Të fundit