E premte, 26 Korrik, 2024

“URA ME TRI HARQE” E BASHKËPUNIMIT KULTUROR SHQIPTAR

Pas një ndërprerje të përkohshme të akvititeteve tradicionale të këtij manifestimi për shkak të pandemisë, Universiteti i Tetovës bëhet mikpritësi i radhës i këtij manifestimi kulturor në të cilën u shpalosën prezantime me veprimtari të ndryshme artistike të manifestuara në realizime dhe projeksione pamore dhe skenike, nga fusha e artit muzikor, dramatik dhe figurativ.  “Ura me tri harqe ” me anë të dinamikës së rotacionit po futet në dekadën e tij të dytë të organizimit. Ky aktivitet vjetor kulturor është një projekt i përbashkët i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe Universiteti i Arteve të Tiranës.

Shkruan: Valmisa Novi

Më 26 dhe 27 maj arti flet shqip nëpërmjet manifestimit  kulturor  “Ura me tri harqe ” i cili me anë të dinamikës së rotacionit po futet në dekadën e tij të dytë të organizimit. Ky aktivitet vjetor kulturor është një projekt i përbashkët i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe Universiteti i Arteve të Tiranës. Pas një ndërprerje të përkohshme të akvititeteve tradicionale të këtij manifestimi për shkak të pandemisë, Universiteti i Tetovës bëhet mikpritësi i radhës i këtij manifestimi kulturor në të cilën u shpalosën prezantime me veprimtari të ndryshme artistike të manifestuara në realizime dhe projeksione pamore dhe skenike, nga fusha e artit muzikor, dramatik dhe figurativ.

Kjo ekspozitë e kthyer tashmë në traditë që organizohet përmes trekëndëshit Tetovë, Prishtinë, Tiranë mbledh bashkë profesorë e studentë për të dëshmuar talentin e tyre nëpërmjet vizatimit, pikturës, grafikës, skulpturës, instalimeve, dizajnit si pjesë e artit figurativ, nëpërmjet organizimit të një koncerti muzikor si pjesë e artit muzikor dhe nëpërmjet shfaqjeve teatrore dhe shfaqjeve të filmave me metrazh të shkurtër si pjesë e artit dramatik.

Profesori i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Mixhait Pollozhani, thotë se “ekspozita e përbashkët e studentëve të artit figurativ me rreth 60 pjesëmarrës, me më shumë se 70 punime të realizuara në mediume të ndryshme artistike demostruan talentin e tyre dhe paralajmëruan edhe ardhmërinë e arteve pamore shqiptare”.

Sipas tij, këto artistë të ardhshëm shfaqen me vepra të realizuara në gjini, teknika dhe materiale të ndryshme të cilat brenda tyre ngërthejnë premisa të nduarnduarta ideo-estetike dhe stilistike.

“Mbase tingëllon ashpër zbatimi i thënies së famshme të (post)impresionistit Pol  Gogen se arti ose është plagjiaturë ose revolucion , në lidhje me këtë ekspozitë studentore, por kur i sodit pak më me kujdes veprat e ekpozuara, duket që studentët pjesëmarrës nuk i shmangin dot ‘kurthet’ e njërës apo të tjetrës! Por sigurisht që ka nga ato vepra që shkojnë edhe përtej përkufizimit të lartpërmendur mbi artin, të cilat shpalosin anën shpresëdhënëse të ardhmërisë artistike të autorëve të tyre. Të prirë nga talenti, të nxitur nga guximi i tyre rinor dhe kreativ, në përputhje me shkallën e përgatitjes akademike dhe kulturën e tyre figurative apo pamore, si dhe nën drejtimin e pedagogëve të tyre, me mjete të vizatimit, pikturës, grafikës, skulpturës, instalimeve, dizajnit, videos, me takt kanë gërshetuar praktikën tradicionale dhe tendencat me prirje bashkëkohore artistike”, thekson Pollozhani.

Një manifestim i tillë përbën një shembull të mirë të komunikimit kulturor midis shqiptarëve, sidomos kur kultivohet te brezat e rinj, pasiqë përbën një hap në drejtimin e duhur për konsolidimin e artit dhe kulturës kombëtare shqiptare pa kufinj shtetëror.

Të fundit