E premte, 26 Korrik, 2024

TURIZMI PO E RIMERR VETEN, STRUGA E PËRGATITUR PËR SEZONIN TURISTIK

Pas vështirësive të shumta për shkak të pandemisë turizmi ngadalë po e rimerr veten. Struga, ky qytet i urave dhe i ngjalave tashmë ka bërë përgatitjet e duhura për sezonin e ri turistik. Nga komuna e Strugës thonë se qyteti është i gatshëm për sezonin e ri, ndërkohë që kanë punuar vazhdimisht në rregullimet infrastrukturore, por edhe në promovimin e ofertës turistike në panaire të ndryshme, duke vënë theksin në pasuritë natyrore, historike dhe kulturore. Erhan Papraniku, menaxher në një hotel në qytetin e Strugës, shprehet se pas dy vitesh të vështira të pandemisë, ky vit pritet të jetë sado pak më i mirë. Por, thotë ai, nuk do të ketë rikuperim shumë të shpejtë. Javën që shkoi turistët holandezë e kanë hapur sezonin e ri, ndërkohë që priten turistë më të shumtë edhe nga Turqia.

Shkruan: Eljesa Dervishi

I shtrirë pranë bregut të liqenit të Ohrit, Struga është një ndër qytetet turistike më të vizituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Struga ka vendndodhje të përshatshme. Gjendet në pjesën jugperëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bregun verior të Liqenit të Ohrit, në të dyja anët të lumit Drin i Zi, dhe shtrihet mbi rrugën e dikurshme Via Egnatia.

Në fund të muajit maj, në qytetin e Strugës fillojnë përgaditjet për sezonin e verës, sezon i cili sjell të gjithë turistët nga mbarë Evropa dhe vendi për të vizituar qytetin e urave, apo ndryshe edhe qytetin e ngjalave. Një nga arsyet më të mëdha që turistët vizitojnë qytetin e Strugës janë edhe pasuritë historiko-kulturore.

 

Zëdhënësia e Komunës së Strugës, Besa Ziba, thotë se Struga është e gatshme për sezonin turistik, rezultat ky i projekteve infrastrukturore dhe investimeve në qytet gjatë gjithë vitit. Ajo thotë se Struga si destinacion turistik është promovuar tashmë në panaire të ndyshme turistike në shtetet fqinje, ndërkohë që po ndjekim trendet botërore për zgjerimin e interesimit nga mbarë Evropa, pse jo edhe nga mbarë bota.

“Struga është e gatshme për sezonin turistik, si rezultat i projekteve infrastrukturore dhe investimeve në qytet gjatë gjithë vitit. Gjithashtu qyteti i Strugës gjatë vitit është promovuar në panaire të ndryshme turistike në shtetet fqinje gjithmonë duke prezantuar pasuritë natyrore, historike dhe kulturore. Potencialet turistike të Strugës po promovohen në kontinuitet dhe jemi krenarë që vazhdimisht po përmirësojmë ofertën turistike, po ndjekim trendet botërore dhe duke krijuar forma të reja të turizmit alternativ duke ju mundësuar punonjësve të turizmit të ofrojnë paketa të reja dhe të zgjojnë interesimin e mysafirëve nga mbarë Evrpoa dhe pse jo edhe nga mbarë bota”, thotë Ziba.

Erhan Papraniku, menaxher në një hotel në qytetin e Strugës, shprehet se pas dy vitesh të vështira të pandemisë, ky vit pritet të jetë sado pak më i mirë, por sigurisht nuk do të ketë rikuperim shumë të shpejtë. Sipas tij, pritshmëritë për turistë janë nga Turqia dhe Holanda. Mes tjerash ai shpehet se kohëve të fundit ka mungesë kamarierësh dhe kuzhinerësh për shkak të emigrimit, dhe gjithashtu problem tjetër janë edhe çmimet të cilat janë në rritje.

“Sigurisht pas dy viteve të pandemisë të cilat ishin të vështira, ky vit pritet të jetë sado pak më i mirë, por sigurisht nuk do ketë rikuperim shumë të shpejtë ose më sakt si në vitin 2019. Pritshmërit janë turist nga Turqia të cilët janë numër i madh dhe holandezë, të cilët i përgjysmuan kapacitetet t tyre dhe do vijnë vetëm 2-3 muaj, jo si më parë 5-6 muaj. Ka problem me kamarierë dhe kuzhinierë, sigurisht që ka arsye, dihet për shkak të emigrimit, problem tjetër është edhe me çmimet të cilat janë në rritje dhe nuk mudn t’i caktojmë çmimet ne si biznes”, thotë Papraniku.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, numri i turistëve deri në muajin mars të këtij viti ishte 39.786, nga të cilët 43.1 për qind janë turistë vendas dhe 56.9 për qind janë turistë të huaj.

Në periudhën janar – mars 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i turistëve është rritur për 45.9 për qind, numri i turstëve vendas është rritur për 21 përqind, ndërsa i turistëve të huaj është rritur për 79.5 përqind.

Në periudhën para pandemisë, në vitin 2019, sipas të dhënave të Entit të Statistikës, numri i turistëve të huaj në muajt qershor, korrik dhe gusht sillej rreth 200 mijë turistë.

Në periudhën e njëjtë të vitit 2020, numri i turistëve kishte zbritur në rreth 80 mijë, ndërsa në rreth 70 mijë në vitin 2021, kur edhe sezoni turistik ishte thuajse jofunksional për shkak të pandemisë.

Numrin më të madh të turistëve të huaj e përbëjnë holandezët, të cilët në vitin 2019 ishin rreth 20 mijë. Pikërisht turistët nga Holanda  janë ata që edhe këtë vit kanë hapur sezonin turistik me fluturimin e parë që është realizuar të ejnten e javës që shkoi.

Të fundit