E premte, 26 Korrik, 2024

PIKTORJA DHE AKTIVISTJA E DIMENSIONEVE HUMANE

Semra Rashiti, studentja e përkushtuar dhe piktorja e re, që jeton dhe vepron në Shkup, është një rast frymëzues dhe dëshmi se artistët janë të kudondodhur dhe gjenden mes nesh, të fshehur nën petkun e modestisë dhe çiltërsisë që i karakterizon në thelb ata. Ajo është e angazhuar në disa shoqata dhe organizata joqeveritare të cilat e kanë fushëveprim të vetin avancimin profesional dhe humanizmin. Veten e sheh të plotësuar vetëm kur arrin t’u shërbejë dhe t’u ndihmojë njerëzve në nevojë dhe altruizmi e dëshira për të qenë vullnetare në këto iniciativa, e bën atë të ndihet e realizuar. Paralelisht me studimet, Semra ka filluar që pasionin e saj për pikturën ta kthejë në një lloj profesioni duke u angazhuar kështu në artin mural, i cili njihet edhe si një ndër artet më të vjetra historikisht

Shkruan: Fatjona Abdullahi

“E bukura, në jetë edhe mund të humbasë, por në art bëhet e pavdekshme”, thoshte Da Vinçi.

Në ditët e sotme kur jemi në krizë të ruajtjes së disa vlerave që bart arti i mirëfilltë, të rinjtë dhe të rejat që kultivojnë shijen artistike dhe pasionin e vet e kthejnë në punë dhe profesion, janë vlerë e shtuar e shoqërisë.

Semra Rashiti, studentja e përkushtuar dhe piktorja e re, që jeton dhe vepron në Shkup, është një rast frymëzues dhe dëshmi se artistët janë të kudondodhur dhe gjenden mes nesh, të fshehur nën petkun e modestisë dhe çiltërsisë që i karakterizon në thelb ata. Ajo ndjek studimet në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe krahas suksesit të treguar në studime, aktivitetet e saj janë të shumta dhe mjaft frytdhënëse edhe në drejtime të tjera.

 

Si një e re me shumë ideale dhe aspirata për jetën, ajo e konsideron veten piktore autodidakte që kishte guximin të lëvronte në pasionin e saj të fëmijërisë, duke e përsosur ditë pas dite talentin e saj.

Ka qenë pjesë e 3 ekspozitave kolektive dhe tani është duke u përgatitur për të katërtën ekspozitë, e cila ka qëllim shumë human dhe bëhet për t’u solidarizuar me  nevojtarët, jetimët dhe studentët.

 

Semra Rashiti është e angazhuar në disa shoqata dhe organizata joqeveritare të cilat e kanë fushëveprim të vetin avancimin profesional dhe humanizmin. Ajo veten e sheh të plotësuar vetëm kur arrin t’u shërbejë dhe t’u ndihmojë njerëzve në nevojë dhe altruizmi e dëshira për të qenë vullnetare në këto iniciativa, e bën atë të ndihet e realizuar.

Paralelisht me studimet, Semra ka filluar që pasionin e saj për pikturën ta kthejë në një lloj profesioni duke u angazhuar kështu në artin mural, i cili njihet edhe si një ndër artet më të vjetra historikisht. Muralet e saj shihen nëpër shkolla fillore dhe të mesme dhe janë vlerësuar me kritika pozitive nga njohësit e kësaj sfere.

Por, Semra nuk është aspak e kursyer në shtrirjen e talentit të saj, ajo së fundi njihet edhe si  professional henna artist apo si artiste e vizatimeve me këna, në disa pjesë të trupit, të cilat janë kryesisht me motive orientale dhe konsiderohen si tatuazhe të përkohshme me këna. Edhe këtu, ajo është mjaft e vlerësuar dhe puna e saj promovohet shumë në rrjete sociale si instagrami apo feisbuku, nga klientela e saj, e cila nuk është e vogël në numër.

Mes kaq shumë aktivitetesh, udhëtimesh dhe trajnimesh në seminare të ndryshme që lidhen me profesionin e saj primar, arkitekturën, Semra pa dyshim se gjen kohë për të afërmit dhe miqtë, që i ka të shumtë dhe të cilët e vlerësojnë për natyrën e saj të qetë, për zgjuarsinë dhe maturinë që ajo ka, pavarësisht moshës së saj të re.

Semra Rashiti është e qartë në vizionin e saj, arkitektura dhe arti i pikturës do ta shoqërojnë gjithë jetën sepse fundja, tradicionalisht, arkitektët më në zë, kanë ditur gjithmonë të sjellin projekte të mëdha artistike dhe arkitektonike. Këto dy fusha, i japin dorë njëra-tjetrës dhe vetëm se e plotësojnë profilin e Semrës, e cila aspiron që në të ardhmen, të ketë edhe biznesin e saj personal me gërshetimin që tashmë dihet se cili është…

Në fund, Semra ndan një porosi për të rinjtë:“Në rrugën që keni filluar edhe nëse kahja ju ndryshon, mos u dorëzoni, vazhdojeni deri në fund! Zoti ka planet më të mira për ju, ndërsa ju, vetëm ndiqni ëndrrat tuaja!”

Ndërsa, ne, duke parë shembuj të tillë të artistëve të rinj që guxojnë ta shfaqin talentin e tyre dhe e sfidojnë veten përtej profesionit dhe përtej pritshmërive që njerëzit kanë, me shumë dëshirë duam të bëhemi pjesë e rrugëtimit të tyre dhe të hapave të parë të karrierës, duke promovuar punën e tyre dhe duke u dhënë vizibilitet dhe përkrahje.

Të fundit