E premte, 26 Korrik, 2024

TAKIM “KONSTRUKTIV”, NUK KA ZGJIDHJE PËR VETON BULLGARE

Në një prononcim për media Kovaçevski e ka vlerësuar si konstruktiv takimin duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë tutje. Sipas tij, zgjidhja do të arrihet kur do të ketë një dokument. Ai ka theksuar se nuk lidhet për data dhe se përcaktimi euro integrues i vendit nuk lëkundet pavarësisht rezultatit që mund të sjell qershori. “Për rënien e vetos bullgare mund të flitet për mendimin tim vetëm pasi Ministria e Punëve të Jashtme të prezantojë rezultatet më të fundit të progresit në dialog dhe të mbahet  Këshilli i Sigurisë dhe të gjitha shërbimet dhe pastaj të gjitha këto të futen në parlament”, ka theksuar kryeministri bullgar, Petkov.

Shkruan: Enis Shaqiri

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe delegacioni i Qeverisë kanë realizuar një vizitë dyditore në Romë dhe në Vatikan, në kuadër të festimeve tradicionale për nder të 24 majit – Ditës së iluministëve Shën Kirili dhe Metodi.

Pas vizitës në Vatikan, tek Papa Françesku, Kovaçevski zhvilloi takim me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Kiril Petkov.

Siç mësohet, takimi në Romë, mes Dimitar Kovaçevskit dhe kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, ka përfunduar pa epilog.

Në një prononcim për media Kovaçevski e ka vlerësuar si konstruktiv takimin duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë tutje dhe se bisedat u zhvilluan kryesisht për ecurinë e bisedimeve ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme, ndërsa zgjidhja do të arrihet në momentin kur do të ketë një dokument, i pranueshëm për dyja palët. I pyetur për pasojat diplomatike dhe politike në rast se në qershor nuk merret data për konferencën e parë ndërqeveritare, Kovaçevski shtoi se nuk lidhet për data dhe se përcaktimi euro integrues i vendit nuk lëkundet pavarësisht rezultatit që mund të sjell qershori.

I pari i qeverisë shtoi se pala bullgare nuk ka kushte të reja për zhbllokim dhe propozimi portugez mbetet zgjidhja e preferuar e palës bullgare.

Ndërkaq, Petkov u tha gazetarëve se do të ishte i lumtur nëse presidenti Rumen Radev do ta thërriste Këshillin Kombëtar.

“Pra, për rënien e vetos bullgare mund të flitet për mendimin tim vetëm pasi Ministria e Punëve të Jashtme të prezantojë rezultatet më të fundit të progresit në dialog dhe të mbahet  Këshilli i Sigurisë dhe të gjitha shërbimet dhe pastaj të gjitha këto të futen në parlament dhe të vendos me një iniciativë të qartë se çfarë duhet të bëjë qeveria bullgare, sepse është formati më i gjerë dhe mendoj se është institucioni më i rëndësishëm”, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Nga ana tjetër presidenti bullgar Rumen Radev vlerëson se qeveria bullgare i përmbahet qëndrimit zyrtar bullgar të paraqitur në dokumentet e miratuara nga Kuvendi Kombëtar dhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare, aq më shumë qeveria e Kiril Petkov dëgjon zërin e bullgarëve në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut.

“Mendoj se sa më shumë që qeveria t’i përmbahet qëndrimit zyrtar bullgar, si dhe konkluzioneve nga Këshilli i fundit i Sigurimit, aq më i thellë është rasti i bullgarëve në RMV, sa më me përgjegjësi veprojmë si anëtarë të BE-së dhe i përmbahemi parimeve, aq më lehtë do të jetë në politikë dhe zgjidhjen me RMV”, tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Mes tjerash Presidenti Radev thotë se nuk mund të negociohet me Maqedoninë e Veriut sepse për të drejtat e njeriut nuk mund të ketë tegeti dhe negocim.

Kujtojmë se të premten, kryeministri bullgar Kiril Petkov i bëri thirrje presidentit Rumen Radev që të mbledhë një Këshill Konsultativ të Sigurisë Kombëtare për rastin ndaj RMV-së. Ai u bëri thirrje partive, shërbimeve dhe kreut të shtetit që të ridiskutojnë veton bullgare kundër fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike”, Atanas Atanasov përshëndeti veprimin e Petkovit për të kërkuar thirrjen e Këshillit.

“Bullgaria ka interes kombëtar që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së në mënyrë që ne të rrethohemi nga vende mike, por për momentin nuk ka mbështetje të mjaftueshme publike dhe as në parlament nuk ka gatishmëri për të hequr veton”, tha Atanasov.

Ndryshe, kjo inicativë u kundërshtua nga partia e Sllavi Trifonovit, “Ka popull të tillë.”
Deputeti Stanislav Balabanov, dhe ministrja e Jashtme Teodora Gençovska anëtarë të partisë së Trifonov, në qeverinë bullgare, komentuan se dyshimet e partisë për obligimet e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut u vërtetuan për shkak të kërkesës së Petkovit për thirrjen e këshillit konsultativ të sigurisë kombëtare.

Sipas Balabanov, thirrja e këshillit nuk ka kuptim, sepse në mbledhjen paraprake ky organ konfirmoi qëndrimin e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut dhe që atëherë ai nuk ka ndryshuar.

Ndërsa sipas Teodora Gençovskas, vendimi për mbledhjen e këshillit i takonte tërësisht presidentit dhe se nuk ishin zhvilluar bisedime në prapaskenë për heqjen e vetos, duke shtuar se qëndrimi i Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut mbetet i pandryshuar,

Të fundit