E premte, 26 Prill, 2024

KOHA KUR ROZHAJA ISHTE QYTETI MË HUMAN I BOTËS

Rrëfimi human i kësaj qyteze dhe banorëve të saj nis më 1992 kur pranon refugjatë nga BeH, ndërsa vazhdon më 1999 kur mirëpret refugjatë nga Kosova…Sakaq, në komunën që numëron 20 mijë banorë, u gjetën të paktën tri herë më shumë refugjatë. Sigurisht që kjo do të ishte një sfidë për vende shumë më të pasura, e lëre më për një zonë të vogël, malore dhe të varfër siç është Rozhaja.

Por, në këtë krizë të madhe humanitare, të gjithë ata që jetuan atë periudhë do të dëshmojnë për një gjë: nuk ka ndodhur kurrë që ndonjë nga refugjatët të flejë i uritur dhe nën qiellin e hapur. Pyesni si?

Shkruan: EDIN SMAILOVIQ

Rozhaja është një qytezë me nja 10 mijë banorë. Shtrihet saktësisht në 1000 metra lartësi mbi nivelin e detit. Përafërsisht po kaq banorë jetojnë nëpër katundet  të cilat i përkasin komunës së Rozhajës. Klima është kryesisht malore, e ashpër. Vetëm dhjetë kilometra larg qytetit është kufiri me Kosovën dhe pika kufitare e Kullës. Udhët vështirë të kalueshme malore  do të bëheshin atë pranverë të ’99-tës rrugë shpëtimi për dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova.

Në këtë rrugë të përgjakshme dhe të pasigurt, vendi i parë ku sado-kudo mund të ndiheshin të sigurt, të merrnin një copë bukë dhe një vend për të fjetur. Fatkeqësisht, shumë prej tyre nuk e pritën këtë, sepse humbën jetën duke u  përpjekur për të mbijetuar.

Por Rozhaja nuk ishte vetëm vendstrehim  për refugjatët e vitit 1999. Rrëfenja  humane e kësaj qyteze dhe e banorëve të saj fillet i ka në vitin 1992. Qysh atëherë në Rozhajë mbërrijnë refugjatë nga Bosnja dhe Hercegovina,kryesisht nga Bosnja lindore (Foça, Çajniçja, Gorazhda). Megjithatë, kulmi i krizës së refugjatëve nga Bosnja dhe Hercegovina u arrit me dëbimin e boshnjakëve nga Trebinja më 1993. Atëbotë disa mijëra të dëbuar do të kalojnë nëpër këtë lokalitet.

Në Rozhajë do të gjejnë ndihmën altruiste të popullatës vendase e cila, ndonëse pllakosur nga varfëria e rëndë për shkak të sanksioneve dhe hiperinflacionit, e ndan atë që ka me ata që kishin ngelur pa asgjë, veç Zotit dhe një cope qielli. Shumica e të përndjekurve nga lufta në Bosnjë do të gjejnë strehim nëpër vendet e Evropës Perëndimore, por disa do të gjejnë shtëpinë e tyre të re në Rozhajë. Për humanitetin dhe njerzillëkun  e asaj kohe dëshmon më së miri rasti i vëllezërve të mitur Bitevi, prindërit e të cilëve do të vriten në fillim të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Rozhajasi Jusuf Fazliq

Vëllezërit do të birësohen dhe do të rriten nga rozhajasi Jusuf Fazliq. Ai, sipas emrit përkëdhelës të njërit prej vëllezërve, “Çampi”, do t’i vendosë emrin edhe sallonit të tij të parukerisë.

Me përfundimin e luftës në 1995, shumica mendonte se më kurrë nuk do të nodheshim para një sprove të këtillë.

Por, edhe kësaj here u dëshmua se nuk është e udhës të parashikosh diçka në këtë pjesë të botës që quhet Ballkan.

Qysh në vitin 1998 filloi lufta në Kosovë. Në pranverën e vitit 1999, lufta do të arrijë maksimumin e saj dhe qindra mijëra njerëz do të largohen nga shtëpitë e tyre. Mali i Zi u gjet para një sprove të re të madhe, të madhe veçmas për Rozhajën, portën e Malit të Zi drejt Kosovës.

Sakaq, në komunën që numëron 20 mijë banorë, u gjetën të paktën tre herë më shumë refugjatë. Sigurisht që kjo do të ishte një sfidë për vende shumë më të pasura, e lëre më për një zonë të vogël, malore dhe të varfër siç është Rozhaja.

Por, në këtë krizë të madhe humanitare, të gjithë ata që jetuan atë periudhë do të dëshmojnë për një gjë: nuk ka ndodhur kurrë që ndonjë nga refugjatët të flejë i uritur dhe nën qiellin e hapur. Pyesni si?

Përgjigja është shumë e thjeshtë. Rozhaja edhe sot është sigurisht një zonë që ka ruajtur më shumë nga tradita e mikpritjes. Të edukuar se musafiri është i shenjt, e sidomos muhaxhiri, këta malësorë hapën dyert e shtëpive të tyre pa asnjë llogaritje.

Shprehimisht, në çdo shtëpi në Rozhajë gjatë atyre muajve qëndruan nga disa familje të dëbuara nga Kosova. Pikërisht kjo ndihmoi që, krahas ndihmës së qeverisë së Malit të Zi dhe komunitetit ndërkombëtar, të evitohet katastrofa e refugjatëve.

Rrëfime refugjatësh nga Rozhaja

Vite më vonë, duke takuar njerëz nga Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, do të dëgjoja rrëfenjat e tyre për ditët si refugjatë në Rozhajë. Askush nuk më tregoi asnjë histori të shëmtuar. Përkundrazi, ishte ky vendi i parë pas golgotës së përndjekjes ku për një moment ata rikthyen besimin në sojin e njeriut.

Rozhaja prej dekadash ndodhet në fund të listës së qyteteve dhe komunave  të zhvilluara në Mal të Zi. Kështu ishte në Mbretërinë e Jugosllavisë, kështu ishte në Jugosllavinë socialiste, kështu është fatkeqësisht edhe në Malin e Zi të pavarur. Rozhaja është gjithashtu qyteti me numrin më të madh të përfituesve të ndihmës sociale në raport me numrin e banorëve në shtet.

Në njëqind vitet e fundit, të paktën disa Rozhaja janë shpërngulur nëpër botë. Një Rozhaje emigroi pas Luftës së Dytë Botërore në Turqi, një në Sarajevë dhe të paktën një nga viti 1990 e deri më sot nëpër vendet e Evropës Perëndimore.

Të mësuar që shteti të ishte njerka e tyre, rozhajasit u mbështetën kryesisht tek vetja, kështu që kur kaloni sot nëpër Rozhajë dhe shihni të gjitha ato shtëpi, porta, avlli të rregulluara, gjithë kjo është kryesisht rezultat i iniciativës personale të këtyre njerëzve  të vyer  dhe ndërmarrës, dhe shumë pak ose pothuajse fare i shtetit të Malit të Zi.

Rozhajën sot në media mundohen ta paraqesin si një vend të krimit dhe kontrabandës tejkufitare, kurse qytetarët e saj si njerëz të prirur ndaj krimit ose të paktën që mashtrojnë dhe shmangin rregullat. Në të njëjtën kohë, askujt nuk i bie ndërmend të vijë në këtë vend nëpër rrugë të shkatërruara dhe të takohet e të bisedojë me këta njerëz. Tekstet shkruhen nga zyra të ngrohta, larg jetës reale.

Sepse, po të vinin në Rozhajë, edhe sot do të takonin njerëz pranë të cilëve nuk mund të futni dorën në xhep për të paguar, sepse edhe banori më i varfër i këtij vendi nuk do t’ju lejojë të paguani në qytetin e tij, sepse nuk ua lejon nderi. Nëse, mos e dhashtë Zoti, do t’u ndodhte ndonjë fatkeqësi, është e sigurt që nuk do të mbeteshit pa ndihmë, pak konak dhe pa fjalë të ngrohta.

Refugjatë nga Trebinja dhe Kosova

Në fund, do të ishte e ndershme që qeveria e re e Malit të Zi në prag të përvjteorit të përtëritjes së pavarësisë, t’ju kushtojë më shumë vëmendje nevojave të këtij mjedisi që me përqindjen më të lartë (90,15%) në Mal të Zi, më 21 maj të vitit 2006 votoi për Mal e Zi të pavarur.

Ndërsa, sa u përket rrëfimeve nga vitet 1993 dhe 1999, më duhej ta shkruaja këtë, sepse siç po shkojnë punët në Mal të Zi, disa do të fillojnë së shpejti të na bindin se  nuk ka pasur refugjatë nga Trebinja dhe Kosova.

E po, nuk do të mundet

Makar, për shkak të gjithë këtyre njerëzve të mirë nga Rozhaja, të cilët makar për një orë, një ditë, një muaj i ofruan qenies tjetër njerëzore një çati mbi kokë dhe një copë bukë.

Dhe i dëshmuan Zotit se ka të mira.

Dhe do të ketë, sa të jetë bota, jeta dhe natyrisht edhe Rozhaja!/balkans.aljazeera.net/

Të fundit